Kundërofensiva e Ukrainës, e ngadaltë por e suksesshme

Analiza

Kundërofensiva e Ukrainës, e ngadaltë por e suksesshme

Më: 27 gusht 2023 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Përparimi i shpejtë i Ukrainës në fushën e betejës me kundërsulmin e nisur në fillim të verës, i shpresuar nga shumë njerëz, nuk ka ndodhur. Madje javët e fundit mbulimi mediatik është bërë më i zymtë për shkak të dëshmive të fragmentuara nga terreni si dhe vlerësimeve jo shumë optimiste të shërbimeve të inteligjencës. Lajmet sigurisht nuk kanë qenë të mira. Lufta kundër Rusisë ka rezultuar të jetë e përgjakshme dhe e ngadaltë. Ngadalësimi i ukrainasve duket të jetë shumë i vështirë.

Por, vëzhguesit do të bënin mirë ta zbusnin disi pesimizmin e tyre. Sepse një luftë nuk vazhdon në mënyrë lineare. Mbrojtësit mund të rezistojnë për një kohë të gjatë dhe pastaj papritmas të thyhen, duke i lejuar sulmuesit të arrijë fitime të shpejta, përpara se mbrojtja të forcohet më tej në pjesën e pasme.

Ukrainasit synojnë të shkaktojnë pikërisht këtë efekt, dhe ka arsye të forta të mendohet se mund ta bëjnë këtë. Kundërofensiva e Ukrainës është larg fundit të saj. Madje është ende në fazat e hershme. Ka nisur prej vetëm 10 javësh dhe ka të ngjarë të zgjasë të paktën edhe 4 muaj të tjerë. Depërtimi tek linjat mbrojtëse të një ushtrie moderne, siç kanë bërë rusët në Ukrainën Jugore është një mision i vështirë për çdo ushtri. Ushtria amerikane e ka bërë dy herë këtë gjë në historinë e dekadave të fundit, dhe të dyja, herët kundër Irakut. Në vitin 1991, pasi goditën forcat irakiane për 39 ditë nga ajri, një koalicion i udhëhequr nga SHBA prej 650.000 trupash depërtoi dhe e shpartalloi brenda 100 orësh ushtrinë irakiane.

Në vitin 2003, një forcë më e vogël e udhëhequr nga SHBA, shkatërroi brenda pak javësh një ushtri irakiane shumë të degraduar. Ukraina nuk ka asnjë nga avantazhet që kishin Shtetet e Bashkuara në ato operacione.

Në të dyja sulmet ndaj Irakut, forcat e koalicionit përfituan nga supremacia ajrore, ndërsa avionët ukrainas nuk mund të operojnë mbi linjat ruse, dhe nuk mund t’i parandalojnë dot avionët dhe helikopterët rusë që të godasin trupat e tyre që përparojnë. Dhe Ukrainës i janë dërguar nga Perëndimi pak sisteme të blinduara që prishin fortifikatat dhe pengesat e vendosura nga armiku.

Po ashtu rusët kanë luftuar shumë më mirë se sa irakianët, dhe më mirë se sa e prisnin shumë analistë duke pasur parasysh performancën jo mbresëlënëse të Rusisë në muajt e parë. Forcat ruse kanë ndërtuar një linjë mbrojtëse të gjerë në thellësi, të përbërë nga breza të gjerë e të thellë minash të vendosura me mjeshtëri, kanale anti-tank dhe pengesa të tjera. Ushtarët e pajisur me dronë po përdorin një zjarr të konsiderueshëm artilerie kundër çdo njësie ukrainase që përpiqet të kalojë. Ndërkaq ushtria ruse ka adoptuar një mbrojtje elastike, në të cilën trupat e saj fillimisht tërhiqen dhe më pas kundërsulmojnë sapo forcat ukrainase të kenë humbje dhe të fillojnë të lodhen.

Të gjithë këta faktorë e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë kundërsulmin e Ukrainës. Por, siç pati rastin ta vëzhgonte njëri prej nesh gjatë muajve të parë të vështirë të rebelimit të 2007-ës në Irak, situata është e vështirë por jo e pashpresë. Sepse forcat ukrainase po përparojnë në dy zona kryesore: në rajonin qendror të Zaporizhzhias pranë Robotines, në rrugën për në Tokmak dhe Melitopol, dhe në rajonin lindor të Zaporizhzhias në jug të Velika Novosilkas në rrugën drejt Berdianskut.

Duket se ukrainasit kanë depërtuar të paktën në brezin kryesor të minave dhe mbrojtjes ruse në të dyja zonat, dhe përparimi i tyre në zonën Robotine duket se po përshpejtohet. Po ashtu kanë çliruar disa terrene të rëndësishme rreth Bakhmut, i vetmi qytet që Rusia ishte në gjendje të pushtonte gjatë ofensivës së saj shumë të kushtueshme dimrin e kaluar.

Forcat ukrainase po e lodhin mbrojtjen ruse duke sulmuar në pika të shumta përgjatë frontit prej 960 km. Po ashtu po shkatërrojnë asetet në territorin e pushtuar nga Rusia, duke asgjësuar njësitë e artilerisë, shtabet lokale si dhe zonat e stacioneve të forcave rezervë dhe rrugët kryesore të furnizimit.

Thënë më thjesht, Ukraina po ushtron presion ndaj kundërshtarit të saj derisa diçka të prishet. Forcat ruse të vijës së parë ka të ngjarë të jenë të lodhura, në mos të rraskapitura. Disa prej tyre po mbrohen të paktën që nga fillimi i kundërofensivës më 4 qershor, dhe shumë prej tyre kanë qenë në një pozitë të vështirë prej një kohe akoma më të gjatë.

Njësitë e reja nuk janë angazhuar ende. Po ashtu është e paqartë se sa të minuara janë linjat mbrojtëse dytësore të Rusisë. Por ka arsye të forta të dyshohet nëse rusët kanë një numër të madh ushtarësh të nivelit të lartë që i mbajnë ato. Më e rëndësishmja: Rusisë i mungojnë rezervat e mëdha operacionale.

Kjo do të thotë se çdo e çarë e linjave ekzistuese mbrojtëse nga ana e ukrainasve do të jetë e vështirë të mbyllet shpejt. Këtu po bazohet edhe strategjia e Ukrainës. Një e çarë e vogël mund të sjellë përfitime relativisht të papritura dhe të shpejta.

Nëse materializohet, paniku midis forcave ruse mund të shumëfishojë shanset e Ukrainës për të ruajtur vrullin e saj. Vetëm dëshira për fitore nuk është garanci për sukses. Rusët janë përshtatur me realitetet e kësaj faze të luftës, dhe ndërsa po përballen me sfida serioze, do të ishte marrëzi që të shpërfilleshin fare.

Por do të ishte po aq marrëzi të nënvlerësohej rëndësia e kundërsulmit ukrainas, që ka të ngjarë të vazhdojë gjatë vjeshtës dhe dimrit. Ukrainasit e dinë se po luftojnë për mbijetesën e tyre, dhe mobilizimi i plotë i vendit në të gjithë sektorët e shoqërisë është një dëshmi e vullnetit dhe vendosmërisë së tyre.

Për analistët perëndimorë, është e rëndësishme që ta kenë parasysh këtë panoramë të madhe kur ndjekin luftën rraskapitëse të Ukrainës. Dhe politikë-bërësit nuk duhet të hidhërohen nëse ky kundërsulm nuk sjell përfitime të shpejta. Është e sigurt që kjo do të jetë një luftë e gjatë dhe ne kemi nevojë që Ukraina të fitojë.

Ndaj ajo ka nevojë për armë të saktësisë së lartë, siç është Sistemi i Raketave Taktike të Ushtrisë Amerikane (ATACMS). Ajo ka nevojë për municione thërrmuese për raketat e saj dhe për më shumë municione për të mbështetur ofensivën e saj. Por edhe për dërgimin sa më shpejt të avionëve luftarakë F-16.

Dhënia e më shumë se 44 miliardë dollarëve nga Shtetet e Bashkuara në armë, municione dhe ndihmë ka qenë jashtëzakonisht mbresëlënëse. Por ne duhet të bëjmë më shumë dhe duhet ta bëjmë këtë me një ndjenjë më të madhe emergjence. Koha për të vepruar është tani.

Shënim:David Petraeus, gjeneral në pension i ushtrisë amerikane, ish-komandant i trupave në

Irak, i Komandës Qendrore të SHBA-së dhe i Forcave të NATO/SHBA në Afganistan.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat