Modalitetet e Vetëvendosjes dhe Zgjidhja e Çështjes Kombëtare

Analiza

Modalitetet e Vetëvendosjes dhe Zgjidhja e Çështjes Kombëtare

Nga: Gazmend Pula Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 21:16
Autori Gazmend Pula, ish-ambasadori i parë i Kosovës në Shqipëri dhe anëtar i Institutit Shqiptar për Gjeo-Politikë.

Fundi i rendit botërorë dy-polar që rezultoi nga shpërberja globale e komunizmit, krahas rrjedhave dhe trendeve tjera bashkëkohore ndërkombëtare, vazhdon të dëshmojë qartë se etnia mbetet baza më e fuqishme, më e qëndrueshme dhe më përcaktuese për realizimin e formave të ndryshme të shtetësisë. Një shprehje ilustruese-kvantitative e këtij konstatimi, madje edhe një lloj sanksionimi dhe legjitimimi ndërkombëtar i tij, mund të gjendet edhe në vetë numrin vazhdimisht në rritje të shteteve të pranuara ndërkombëtarisht dhe të themeluara në këtë bazë. Rritja e vazhdueshme e shteteve anëtare, dhe ate e themeluar kryesisht në bazë etnike, veçanërisht me shpërbërjen e strukturave shtetërore kon/federale multietnike respektivisht shumë-kombëshe, tanimë anëtare në organizata ndërqeveritare si Organizata e Kombeve të Bashkuara apo Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, e karakterizon periudhën e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar dhe më tej.

Kështu derisa në fillim të këtij shekulli, ose më saktësisht mu para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Evropa përbëhej nga vetëm 20 shtete, fundi i viteve të tetëdhjeta këtë numer e ngriti në gadi 30, ndërsa vitet e nëntëdhjeta e sollën atë në shifrën e rreth 40 shteteve përbërëse. Megjithatë, duhet shmangur çfarëdo lloj iluzionesh dhe idealizimesh lidhur me sfidat e jashtëzakonshme reale, vështërsitë dhe rreziqet të proceseve të shtetëformimit me të cilat përgjithësisht mund të ballafaqohet entiteti/etnia që i qaset këtij procesi. Veçanërisht, kur shtetëformimi bazohet në parimin e vetëvendosjes me të drejtë të aspiruar, rreziqet e ndërlidhura rëndom janë shume serioze. Ato përfshijnë edhe konfliktet të rënda, sakrifica dhe viktimizime, nganjëherë edhe masive nga konfliktet e përgjakshme që rëndom shoqërojnë këto procese të krijimit të shteteve të reja në baza etnike respektivisht kombëtare. Vetëkuptohet se edhe vetë fillimet e këtyre proceseve të shtetëformimeve etnike paraprihen rëndom me acarime kërcënuese, sfida, thyerje dhe sakrifica e shpeshherë edhe me gjakderdhje të jashtëzakonshme.

Këto procese konfliktuale të formimit të shteteve të reja etnike shprehen kryesisht si luftëra shkatërrimtare dhe brutale, ndonëse jo në çdo rast, ose së paku si parapërgatitje edhe për eventualitetin e kontigjencave të tipit të luftërave apo konfrontimeve të tilla të rënda. Madje, në të gjithë spektrin e mundshëm të tyre, përfshirë luftërat civile dhe luftërat ndërshtetërore. Ideali i vetëvendosjes etniko-kombëtare të një entiteti apo etnikumi, ishte dhe mbeti forca levizëse dhe përcaktuese e zhvillimeve të tilla. Dhe mund të konstatohet se të njëjtat vazhdojnë të karakterizojnë edhe periudhën e mileniumit të ri të pasluftës në Kosovë. Nga empiria, kryesisht e përgjakshme e këtyre proceseve të formimit të shteteve kombëtare në bazë etnike, prandaj edhe buron thënia e njohur se "historia e vetëvendosjes është histori e ndërtimit dhe konstituimit të kombeve dhe thyerjes së shteteve."

Dukuritë e formimit të shteteve etnike, në forma, dinamika dhe intensitete të ndryshme, erdhën veçanërisht në shprehje me shpërbërjen e ish-strukturave shtetërore kon/federative në entitetet e tyre përbërëse etnike në fund-shekullin e kaluar. Që të gjitha këto, madje në bazat, parimet dhe aspiratat e vetëvendosjes etnike të popujve, ishin veçanërisht të qarta në rastet e shpërbërjeve dhe kollapsit të strukturave dhe entiteteve shtetërore të përbëra kon/federative në kontinentin evropian. Kjo ndodhi sepse ato edhe ishin të ndërtuara në parime perandorako-hegjemoniale të etnive të tyre dominuese në dhe mbi etnitë dhe entitetet e tyre tjera përbërëse më të vogla, si ishte rasti me faktorin rus në ish-Bashkimin Sovjetik, apo faktorin sërb në ish-Jugosllavi. Madje edhe në rastet relativisht të lehta dhe paqësore të shpërberjeve të strukturave të përbëra shtetërore, si në rastin e ish-federatës çekoslovake. Një shtrirje më e largët në histori do të mund t'u referohej në këtë kontekst fare lehtë dhe qartë, edhe ish-Perandorisë Otomane apo asaj Austro-Hungareze.

Vlen të theksohet po ashtu edhe se tendenca të ngjashme janë evidente edhe në demokracitë e etabluara perëndimore, ndonëse rëndom ato procedojnë dhe shpalosen më gradualisht, më qetësisht dhe në variacione, modalitete dhe trende shumë më pak të acaruara dhe polarizuara. Kjo, ngase tentohet të moderohen dhe trajtohen me mekanizma më efektiv kompromisesh demokratike. Vetëm pas përfundimit të këtyre proceseve të formimit të entiteteve shtetërore në bazat e vetëvendosjes etnike si shtete kombëtare, me disa përjashtime rrethanore dhe mbështetur në raportin e forcave dhe interesave më të fuqishme, fillojnë të vijnë në shprehje më fuqimisht edhe synimet për krijimin e integrimeve dhe superstrukturave mbishtetërore supranacionale dhe rajonale siç është, për shembull, Bashkimi Evropian apo të tjera.

Çështja e Kosovës, që gjer te arritja e pavarësisë së saj, konsiderohej dhe trajtohej si një bërthamë e çështjes akoma jo tërësisht të zgjidhur kombëtare shqiptare, padyshim bën pjesë në kuadrin e këtyre trendeve. Madje, edhepse ka faktorë ndërkombëtarë që tani kontestojnë edhe çfarëdo ekzistence të ndonjë çështje kombëtare më të gjerë shqiptare. Dhe nevojën e zgjidhjes së saj në bazë të modaliteteve përkatëse rrethanore për vetëvendosje. Dhe këtë, ndonëse shumë ekspertë nga lëmia konsiderojnë se trajtimi dhe zgjidhja e saj duhet të mbështetet edhe nga komuniteti ndërkombëtar, e për të shmangur potencialin e konflikteve që çështjet e pazgjidhura kombëtare rëndom ngërthejnë në vete. Kjo është e rëndësishme për të parandaluar implikimet dhe konfrontimet e mundshme që lidhen me çështje të tilla, duke përfshirë në vorbullat potencialisht të krijuara edhe entitete të tjera shtetërore në mënyra, forma dhe intensitete të ndryshme. Në rastin e çështjes së Kosovës, përveç Kosovës, Sërbisë dhe Shqipërisë, do të mund të përfshinin edhe entitete si Maqedonia e Veriut, ku çështja shqiptare mbetet ende e trajtuar kryesisht me qasje dhe modalitete paliative jothelbësore, dhe kryesisht si qasje dhe çështje administrative-reformuese-legjislative dhe evolutivo-modifikuese rrethanore.

Madje, në skenare hipotetike akoma më dramatike dhe shqetësuese, eventualiteti i ndonje konfrontimit më serioz në Kosovë, për të cilin në periudhën e fundit janë shpërfaqur disa indikacione, do të mund të përfshinte hipotetikisht edhe faktorët rajonalë si Turqinë, Bullgarinë, Greqinë dhe ashtu do të mund të implikonte dhe involvonte pothuaj tërë rajonin dhe të ashtuquaturin Ballkan Përendimor. Procese të tilla konfrontative në shkallë më të gjërë, rrjedhimisht do të mund të përshkallzoheshin, me gjasë, në konflikte dhe luftëra që do të mund të ndryshonin seriozisht madje edhe konfiguracionin politiko-shtetërorë të Ballkanit Juglindor. Një skenar i tille padyshim do të mund të kërcenonte me efekte dhe pasoja të shumëfishta faktorët pjesëmarrrës, përfshirë këtu vecanërisht Kosovën dhe më gjërë popullatën shqiptare, ngase një konfrontim i tillë hipotetik me gjasë do të zhvillohej në masë të madhe në trojet etnike shqiptare.

Përndryshe, siq dihet, çështja e Kosovës si e tillë edhe u krijua pas Luftës së Parë Ballkanike, në tetor të vitit 1912, kur makineria ushtarake serbe, me fuqinë e barutit dhe përkrahjen e Rusisë Cariste, Francës dhe Anglisë, pushtoi teritore të huaja etnike, përkatësisht pushtoi Kosovën dhe Maqedoninë aktuale të Veriut, me pjesën e saj Përendimore të populluar kryesisht me etninë shqiptare. Kufinjët që krijoi Serbia ekspansioniste me dhunë gjatë Luftërave Ballkanike, u sanksionuan pastaj ndërkombetarisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Kufinjët e sanksionuar kështu nga Konferenca e Londrës, mbeten kufinjë ndërkombëtarë që ndanë popullin shqiptar dhe pamundësuan vetëvendosjen etnike në disa nga modalitetet e saj më thelbësore gjer edhe në ditët e sotme.

Ne këtë kontekst, siq e pranoi më vonë shprehimisht edhe vetë ish-ministri i Jashtëm anglez/britanik E. Grey, nën udhëheqjen e të cilit Konferenca vijoi punimet, ajo nuk përfilli fare përbërjen dhe përmbajtjen etnike të këtyre territoreve, duke theksuar se ‘qëllimi kryesor ishte kënaqja e interesave të Fuqive të Mëdha (Evropiane)’, e aleatëve të tyre rajonal ballkanik dhe rivendosje e një paqe të brishtë, sado e padrejtë të ishte. Dhe jo vetëm në parim, kjo ishte thellësisht e padrejtë dhe aspak jo në bazë solide që përfaqëson baza etnike dhe vetëvendosja e popujve/etnive. Vetëm krijimi i një Shqipërie të cunguar, që përfshinte vetëm diku rreth 55% të trojeve dhe popullatës etnike të rajonit, u mundësua në atë periudhë, duke mbetur, edhe si e tillë, pothuajse vazhdimisht nën rrezikun e copëtimit të mëtejshëm nga aleancat ballkanike anti-shqiptare të kohës. Nderkaq, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përfshirë më pjesën e saj perëndimore të populluar kryesisht me shqiptarë, mbetën si pre lufte nën pushtimin sërb. Dhe pothuajse gjatë tërë shekullit të kaluar ju nënshtruan dhunës brutale shtetërore të elaboruar detajisht në projektet gjenocidale serbe që synonin eliminimin e përhershëm të popullatës shqiptare nga këto troje. Planet shtetomëdha serbe parashihnin që nga fillimi ndryshimin e strukturës etnike të Kosovës, dhe jo vetëm, përmes dëbimit dhe shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve dhe vendosjes së kolonëvë sërbë në të.

Faktori shqiptar, prandaj, edhe sot e gjithë ditën, në parim e konsideron të drejtën për vetëvendosje kombëtare të popujve, kuptohet në modalitetet e kushtëzuara dhe të determinuara nga koha, rrethanat ndërkombëtare, mundësitë politikisht reale dhe racionale të implementimit jokonfrontues optimal, si qasjen më të drejtë të zgjidhjes së çështjeve kombëtare.

Për sa i përket Kosovës, qasja parimore e faktorit shqiptar, ndonëse gjeografikisht dhe politikisht dukshëm i ndarë, kushtimisht thënë në tri pole, që megjithatë sporadikisht dhe spontanisht tentohet të koordinohet në disa parime e interesa të përgjithshme politike bazike, e trajton të drejtën e vetëvendosjes si të drejtë për shtetësi dhe sovranitet. Në plan më të gjerë, ajo shihet edhe si mundësi për modalitete më të avancuara dhe më efektive dhe racionale të vetëvendosjes. Ndërkaq, për shqiptarët në Maqedoni, vetëvendosja aktualisht interpretohet dhe synohet si kërkesë për status të barabartë të popullit shtetëformues në një strukturë të përbërë të entitetit shtetërorë të Maqedonisë së Veriut.

Duhet thënë, ndërkaq, se ambivalenca dhe fleksibiliteti, apo papërcaktueshmëria juridike dhe teorike e nocionit të vetëvendosjes, si edhe e nocionit popull, bartin në vete, si mundësi dhe përparësi, ashtu edhe rreziqe përkatëse. Për sa i përket çështjes shqiptare, vetëvendosja etnike konsiderohet poashtu si një opcion dhe nocion elastik nëse do të paraqitej në modalitet e saj perkatese konform rrethanave, kritereve dhe trendeve ndërkombëtare aktuale. Fleksibiliteti, si teorik ashtu edhe pragmatiko-politik dhe implementues i nocionit të vetëvendosjes, mund të shfrytëzohet përndryshe edhe praktikisht fare mirë për qëllime të mirëmbajtjes si të racionalizmit ashtu edhe të pragmatizmit politik të subjekteve relevante të kohës.

Kjo, ngase kërkimi i së drejtës për vetëvendosje në modalitetet e saj të ndryshme, dhe gjithnjë në vlime rrethanore të ndryshimeve shumë sfiduese, i mundëson udhëheqjeve përkatese politike të përmbledhin në gjirin e saj një spektër më të gjërë faktorësh etnikë përfshire brenda tyre, qofshin ndonjëherë edhe me qasje e pozicionime jo tërësisht të përputhshme apo edhe relativisht të kundërta. Modalitetet përkatëse të vetevendosjes rrjedhimisht mund të paraqesin të vetmin emërues të përbashkët edhe të ndonjë koalicioni forcash përndryshe politikisht më heterogjene dhe të kundër-pozicionuara në kornizën dhe kuadrin e bazës etnike. Këtë, ngase kontradiktat e ndryshme të kohës mes tyre do të mund të amortizoheshin, tejkaloheshin dhe pajtoheshin me lehtësisht me nocionin e vetëvendosjes dhe modaliteteve të saj përkatëse, duke ruajtur të drejtën për interpretim të ndryshem madje edhe të vetë nocionit. ‘Kështu, për disa, vetëvendosja, mund të paraqesë vetëm të drejtën për shtet të pavarur, për të tjerët të drejtën për shtet kon/federal, ndërsa për të tretët mund të paraqesë edhe vetëm një mekanizëm përkatës për participim proporcional në strukturën përkatese shtetërore’ .

Sipas interpretimit të ish-presidentit amerikan Wilson, një nga personalitetet më meritore që i solli jetë reale dhe domethënie aplikativo-praktike konkrete dhe politike këtij nocioni, e njëkohësisht edhe përkrahje konkrete çështjes shqiptare, vetëvendosje do të thotë se ‘asnjë popull nuk duhet të lihet nën sovranitetin nën të cilin nuk dëshiron të jetojë. Si dhe se çdo popull duhet të lihet i lirë që të përcaktojë vetë politikën dhe qeverisjen e vetë’, e poashtu edhe se ‘asnjë territor nuk duhet të ndërrojë dorë përveç për të siguruar të drejtat e banorëve të saj për gjasa të barabarta për jetë dhe liri’. Për të arrijtur paqë të vërtetë në një rajon, sipas presidentit Wilson, ‘asnjë shtet apo popull nuk duhet lejuar të shtrijë pushtetin dhe politikën e tij mbi një komb apo popull tjetër’. ‘Karta e Kombeve te Bashkuara pranon të drejtën për vetëvendosje të popujve si një nga objektivat e saj themelore. Mirëpo, si u tha edhe më lartë, ajo ‘nuk definon as nocionin 'popull' dhe nuk definon as edhe përmbajtjen apo vëllimin e të drejtës për vetëvendosje’.

Prandaj, nga aspekti i të drejtës obligative ndërkombëtare, akoma nuk ekziston definim meritor dhe përcaktues i nocioneve relevante për vetëvendosje. Rrjedhimisht empiria, praktika dhe ekperienca ndërkombtare, shpeshherë e hidhur duhet thënë, dëshmon se interpretimet e ndryshme të çështjeve në fjalë, zgjidhen të mbështetura jo në baza të drejtës ndërkombëtare – sado fluide dhe e relativizuar të jetë në kuadrin e definicioneve, kodifikimeve dhe përcaktimeve parimore, argumentimeve teorike dhe legjislativo-juridike. Por, kryesisht në bazën e raportit të forcave dhe raportit të interesave të kohës, raportit aktual të forcave dhe interesave, rëndom të faktorit më të fuqishëm, si dhe të rrethanave aktuale të konjukturave dhe momentit historik.

Keshtu, jo vetëm zgjidhja e çështjeve kontestuese territoriale, por, madje edhe nene të veçanta të traktateve paqësore përcaktohen, interpretohen dhe aplikohen praktikisht, shpeshherë, dhe jo fatmirësisht, ndonëse jo gjithnjë, nga fraza me përmbajtjen dhe slloganin famëkeq ‘Might over Right’ apo ’Forca mbi të Drejtën’.

Prandaj, shpeshherë, apo ndoshta edhe më së shpeshti, fatkeqësisht, çështja e vetëvendosjes së popujve, përceptohet, shikohet dhe argumentohet, kontestohet apo aprovohet, qoftë nga aspekti parimor teorik apo nga aspekti i pa/mundësisë së tentim-implementimit praktik të saj, kryesisht në bazë të raportit të forcave të palëve të involvuara, si dhe të probalitetit të ‘kostos’ në pasoja, përkatësisht në viktimizime në njerëz dhe shkatërrime të rënda materjale. Dhe veçanërisht ngase aspektet e ‘kostos’ në viktima apo shkatërrime janë realisht të pa/parashikueshme dhe rëndom të mëdha, dhe determinohen kryesisht nga aspekti i raportit aktual të forcave dhe interesave prevalente të faktorëve të involvuar dhe të ballafaquar ndërkombëtarë dhe lokalë. Si dhe nga aspekti i dinamikës së përhershme zhvillimore të raporteve ndërkombetare që ofrojnë ciklikisht, ndonëse në cikle shumë të rralla historike, dhe ate pas periudhave jo të shkurtëra - rëndom disa-dekadëshe, rrethana më shumë apo më pak të favorshme për aplikimin e modaliteteve të ndryshme të vetëvendosjes në një rajon apo më gjërë. Dhe ate në kuadrin e ristrukturimeve qenësore, gadi-gadi të dimensioneve gjeo-politke, në rajone të caktuara me problematika dhe çështje të pazgjidhura etniko-kombëtare dhe shtetërore. Veçanerisht të strukturave shtetërore të përbëra dhe si të tilla, rëndom të paqëndrueshme kon/federative dhe shumëkombëshe.

Në raste të tilla, gjendet mbështetje edhe për tezat se ‘zgjidhja përkatese për shumicën e konflikteve etnike lidhur me të drejtën për vetëvendosje, mund të kërkohet edhe në ristrukturime dhe akomodime përkatëse kushtetuese­juridike. ‘Pajtimi i kërkesave kontradiktore për vetëvendosje mund të gjendet në ristrukturimin e sistemit kushtetues-juridik brenda të cilit janë të ballafaquara palët e konfrontuara.’ Kjo, ngase një lloj përkates i 'inxhinieringut kushtetues juridik', në rrethana dhe raste të caktuara, paraqet padyshim alternativë më të mirë se sa pasojat eventuale shkatërrimtare përcjellese të luftërave dhe pastrimeve etnike me të cilat shpeshherë shoqërohen synimet dhe tentim-implementimet praktike të vetëvendosjes parimore dhe thelbësore të popujve. Dhe prandaj, edhe këtë duhet parashikuar dhe vlerësuar në mënyrë sa më të përgjegjshme dhe realisht të mbështetur në analizën dhe ‘përllogaritjen’ e ‘kostove’ të projekteve të vetëvendosjes. Ngase kjo qëndron poashtu si skenar gjithëmone, realisht i mundshëm, madje me probalitet të lartë ndodhje, në tentativat jo gjithmonë të suksesshme të implementimit dhe realizimit të së drejtes per vetëvendosje – veçanerisht të modaliteteve të saj më thelbësore.

Mes qasjeve të ndryshme për të realizuar të drejtën për vetëvendosje, veçanerisht kur bëhët fjalë për të drejtën e vetëvendosjes etniko-teritoriale si në rastin e Kosoves, kalimi në pavaresi dhe dalja nga struktura kon/federative shtetërore multietnike paraprake, teorikisht mund të diskutohen dhe shqyrtohen edhe eventualitetet politiko-hipotetike të modaliteteve të vetëvendosjes për hyrje në struktura ngjajshem të përbëra kon/federative shtetërore të një bazë të njajtë etnike. Trajtat e tyre të ndryshme dhe modalitetet përkatese të shumëllojshme mund të kenë objektiv pavarësinë e plotë apo pavarësi dhe sovranitet pjesërisht të deleguar shtetërorë në bazë kon/federale etnike /p.sh.Gjermania si republikë federale/. Në këtë kontekst, përgjithësimi i këtij parimi mund të riformulohet në konstatimin se ‘vetëvendosja mund të këtë dy objektiva të mundshëm: pavarësi të plotë, përfshirë edhe shkëputjen ose një status të caktuar kushtetueso-juridik brenda një kornize të dhënë shtetërore’. Gjithënjë në kuadër të zgjidhjeve racionale, ndërkombtarisht të përgjegjshme dhe ndërkombtarisht të përkrahur të një çështje kombëtaro-shtetërore veçanerisht kur ato janë më sfiduese. Në këtë kuptim definohet më tej përkatësisht edhe ‘vetëvendosja eksterne apo vetëvendosja interne’.

Edhepse në të drejtën ndërkombëtare ‘populli’ si subjekt i vetëvendosjes nuk është i definuar, pranuar dhe kodifikuar në mënyrë nderkombtarisht meritore, unike dhe të gjithepranueshme, vlen megjithate edhe parimi se ‘vetëvendosja është e aplikueshme jo vetëm për koloni dhe entitete nën sundimin e huaj. Por, poashtu edhe për grupe etnike apo nacionalitete që jetojnë në shtete në të cilat i nënshtrohen diskriminimit dhe qeveritë e të cilave rrjedhimisht nuk mund t'i përfaqësojnë ata në mënyrë legjitime. Raste të tilla vihen re veçanërisht nëse një grupi etnik apo nacionaliteti i shkelen të drejtat themelore njerëzore’. Aq më parë ngase e drejta bashkëkohore ndërkombetare nuk përcakton bazë të qartë teoriko-juridike të kodifikuar për realizimin e të drejtës për vetëvendosje gjer në shkëputje. Si bazë të vetme valide për shkëputje, në raste të tilla, e drejta ndërkombëtare parasheh prandaj shkeljen masive të të drejtave themelore njerëzore të një 'populli' apo 'entiteti' siq ishte në rastin e Kosovës, si rast ‘sui generis’ si edhe u cilesua ndërkombtarisht. Pavarësisht se, historikisht shikuar, edhe në të kaluaren, në të tashmen dhe me gjasë edhe në të ardhmen, do vazhdojnë të evidentohen jo pak raste të shkeljeve masive dhe flagrante të drejtae të ndonjë populli, popullate, minoriteti apo entiteti. Madje dhe pa reaguar qenësisht komuniteti ndërkombëtar me aplikimin e të drejtës për vetëvendosje si në rastin e Kosovës, vendimarrje këto që varen në rradhë të parë nga konjukturat ndërkombëtare dhe raporti i forcave dhe interesave aktuale të faktorëve kyçë ndërkombtarë.

‘Kur bëhët fjalë për disa çështje (apo konflikte të mundshme etnike), disa shtete njohin identitetin e ndryshëm të kolektivitetit që kërkon vetëvendosjen, mirëpo palët në fjalë nuk pajtohen se si t'i akomodojnë dy kërkesat kyçe kontradiktore të palëve të ballafaquara: përkatësisht kërkesën e strukturës shtetërore për mosndryshimin e kufijve ekzistues dhe ruajtjen e sovrantietit dhe integritetit teritorial, të ballafaquar dhe të kontestuar me aspiratën e palës tjetër për realizimin e të drejtës për vetëvendosje, veçanërisht në modalitetin e vetëvendosjes externe’ apo të plotë. Këtë, ngase në raste të tilla do të sfidohej pretendimi i shtetit ekzistues për integritet territorial dhe sovranitet. Zgjidhja e këtyre konflikteve, më së shpeshti, ndonëse jo gjithmonë, kërkon marrëveshje dhe dakordim parimor dhe pragmatiko-realist politik për modalitetet e vetëvendosjes dhe ndarjes së mundshme të sovranitetit mes palëve të ballafaquara.

Vetëvendosja në bazë etnike, me aplikimin e modaliteteteve dhe tranzicioneve përkatëse dhe ndërkombtarisht të përgjegjshme dhe t[ përkrahura politike paqësore të saj paraqet, prandaj, parimisht bazamentin dhe kornizën më adekuate për zgjidhjen stabile, afatgjatë dhe të qëndrueshme të çështjeve kombëtaro-shtetërore përgjithësisht, përfshire me ate shqiptare. Kuptohet se në këtë kontekst gjithnjë duhet patur parasysh edhe sfidat, rrezikshmëritë reale dhe probabilitetet e ‘kostove’ dhe viktimizimeve eventuale potencialisht shumë të larta për tentim-implementime të koncepteve në fjalë.

‘Vetëvendosja etnike në anën tjetër nënkupton popullatë etnike të dallueshme apo kolektivitete që kanë origjinë të njejtë gjenealogjike. Kriteret për përcaktimin e realizueshmërisë së të drejtës për vetëvendosje janë të njejta me ato për pranimin e kombeve/popullatës etnike: prejardhja, përkatësisht etnogjeneza e njejtë, gjuha e njajtë, besimi i njajtë, kultura e përbashket, apo edhe çfarëdo kombinimi përkatës i tyre’. Një komb etnik, prandaj, do të duhej të kishte institucionet e veta politike dhe njohjen ndërkombëtare për t'i dhënë asaj identitet të mirëfillët dhe autentik politik në rrafshin ndërkombëtar.

‘Forma aktuale e realizimit dhe perspektiva për të arrijtur vetëvendosje të suksesshme, qoftë etnike apo teritoriale, varet në radhë të parë nga faktorët jashtë-juridikë, përkatësisht kryesisht varet nga faktorët politikë. Prandaj, duket se aktualisht është pothuajse e pamundur të arrihen konkluzione parimore precize dhe të qëndrueshme që do të ishin të aplikueshme në të gjitha rastet’. ‘Fatet e etnive, popujve dhe nacionaliteteve varen nga faktorët politikë dhe lufta politike, dhe në këtë kontekst, duhet theksuar se e drejta ndërkombëtare aktualisht ofron vetëm një kornizë të pergjithësuar dhe të pasigurtë për realizimin e kërkesave të tilla për vetevendosje në bazë etnike’. Madje, dhe ndonëse vetëvendosja dhe modalitetet e saj, logjikisht dhe natyrisht, paraqesin bazën më të natyrshme, më solide, më të drejtë, më parimore, më afatgjatë dhe më të qëndrueshme për zgjidhje të çështjeve të pazgjidhura kombëtare dhe arritjen eventuale të një stabiliteti më të qëndrueshem ndërkombëtar dhe gjeopolitik, si rajonal ashtu edhe global.

*Gazmend Pula – është ish-ambasadori i parë i Kosovës në Shqipëri dhe anëtar i Institutit Shqiptar për Gjeo-Politikë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat