Shkrim nga Jesse Lempel - Pse GJND-ja nuk mund të urdhërojë Izraelin të ndalojë luftën në Gaza si një masë të përkohshme

Analiza

Shkrim nga Jesse Lempel - Pse GJND-ja nuk mund të urdhërojë Izraelin të ndalojë luftën në Gaza si një masë të përkohshme

Nga: Jesse Lempel Më: 9 janar 2024 Në ora: 13:08
Foto ilustrim

A do të urdhërojë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) Izraelin të ndërpresë ose të kufizojë operacionet e tij ushtarake në Gaza si një masë të përkohshme, siç kërkoi Afrika e Jugut në procedurat e saj kundër Izraelit duke u thirrur në Konventën e Gjenocidit? Kjo është "pyetja e madhe", siç e tha profesori Mike Becker. Dhe zyrtarët izraelitë raportohet se janë të shqetësuar për "rrezikun real që gjykata të lëshojë një urdhër që i bën thirrje Izraelit të ndalojë zjarrin".

Ky shkrim argumenton se autoriteti i GJND-së për të urdhëruar masa të përkohshme është i kufizuar nga e drejta e vetëmbrojtjes e njohur në nenin 51 të Kartës së OKB-së. Prandaj, me supozimin (bindës) se lufta e Izraelit kundër Hamasit është një akt vetëmbrojtjeje sipas asaj që neni 51 nënkupton, GJND-ja nuk mund të urdhërojë masa të përkohshme që do të dëmtonin ushtrimin e ligjshëm të kësaj të drejte.

Afrika e Jugut kundrejt Izraelit

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Afrika e Jugut ngriti padi në GJND kundër Izraelit, duke e akuzuar atë për shkelje të Konventës së Gjenocidit. Izraeli ka njoftuar se do të mbrohet nga padia.

Ç’është me rëndësi, Afrika e Jugut gjithashtu i kërkoi GJND-së të urdhërojë një mori "masash të përkohshme" përpara verdiktit, duke përfshirë urdhërimin e Izraelit që "të pezullojë menjëherë operacionet e tij ushtarake në dhe kundër Gazës". Kjo është një kërkesë e guximshme, por ka një precedent kohët e fundit: Në rastin Ukraina kundrejt Rusisë (2022), gjithashtu duke u thirrur në Konventën e Gjenocidit, GJND-ja urdhëroi masa të përkohshme që urdhëronin Rusinë të "pezullonte menjëherë operacionet ushtarake që ajo filloi më 24 shkurt 2022 në territorin e Ukrainës”.

Pra, kërkesa e Afrikës së Jugut nuk është shumë e pazakontë, për sa i përket precedentit të GJND-së.

Ky postim nuk trajton nëse pretendimet e Afrikës së Jugut për gjenocid kanë ndonjë meritë, apo edhe nëse testi i zbatueshëm për masat e përkohshme do të përmbushej në këtë rast.

Në vend të kësaj, shkrimi thekson një kufizim të rëndësishëm dhe të anashkaluar mbi autoritetin e GJND-së për të urdhëruar masat e përkohshme: të drejtën për vetëmbrojtje të njohur në nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara. GJND-ja nuk ka kompetencë të urdhërojë masa të përkohshme që i mohojnë Izraelit aftësinë për t'u mbrojtur ligjërisht kundër një sulmi të armatosur.

GJND-ja nuk mund të urdhërojë masa të përkohshme që cenojnë të drejtën e një shteti për vetëmbrojtje

Autoriteti i GJND-së për të vendosur masa të përkohshme rrjedh nga neni 41 i Statutit të GJND-së: “Gjykata ka kompetencën të urdhërojë, nëse konsideron se rrethanat e kërkojnë këtë, çdo masë të përkohshme që duhet të merret për të ruajtur të drejtat përkatëse të secilës palë. Kjo gjuhë, siç ka vërejtur profesori J.G. Merrills, lë "pa përgjigje pyetjet në lidhje me bazën e masave të përkohshme dhe shtrirjen dhe ushtrimin e pushtetit".

Megjithatë, ajo që është e qartë është se Statuti i GJND-së është pjesë e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Neni 92 i Kartës përcakton (me theks të shtuar): “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jetë organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara. Ai do të funksionojë në përputhje me Statutin në aneks, i cili … përbën një pjesë integrale të kësaj Karte.” GJND-ja u mbështet në këtë integrim në Çështjen LaGrand (2001).

Nga ana tjetër, neni 51 i Kartës parashikon (me theks të shtuar): “Asgjë në këtë Kartë nuk cenon të drejtën e natyrshme të vetëmbrojtjes individuale ose kolektive nëse ndodh një sulm i armatosur kundër një anëtari të Kombeve të Bashkuara, derisa Këshilli i Sigurimit të ketë marrë masat e nevojshme për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.

Duke i bashkuar këto dispozita, rezulton se autoriteti i GJND-së për të urdhëruar masa të përkohshme nuk mund të cenojë të drejtën e vetëmbrojtjes së njohur në nenin 51. Pika kritike është se autoriteti i Gjykatës për të urdhëruar masat e përkohshme nuk buron nga Konventa e Gjenocidit, edhe pse kjo do të ishte baza juridiksionale për këtë çështje. Në të vërtetë, Gjykata zakonisht do të urdhëronte masa të përkohshme pa vendosur përfundimisht juridiksionin – do të mjaftonte që “juridiksioni të ishte i bazuar” prima facie. (Gambia kundrejt Mianmarit (2020). Dhe ky përcaktim, i bazuar në nenin 41 të Statutit të GJND-së, "në asnjë mënyrë nuk paragjykon çështjen e juridiksionit" - e cila është "krejtësisht e ndryshme nga dispozitat e veçanta të nenit 41". (Çështja e Kompanisë Anglo-Iraniane(1952). Neni 41 i lejon Gjykatës të urdhërojë tregojë masa të përkohshme edhe nëse përfundimisht do të arrijë në përfundimin se i mungon juridiksioni, siç ndodhi në fakt në Anglo-Iranian Oil Co.

Prandaj, fuqia e GJND-së për të urdhëruar masat e përkohshme është një krijesë e Statutit të GJND-së, "një pjesë integrale" e Kartës së OKB-së. Përcaktimi i Kartës për veprime vetëmbrojtjeje kufizon kështu masat e përkohshme në dispozicion të Gjykatës. Për të huazuar gjuhën e opinionit të veçantë të gjyqtarit Tomka në Kongo kundrejt Ugandës (2005), "një ushtrim i ligjshëm i së drejtës për vetëmbrojtje nuk mund të përbëjë shkelje të ndonjë neni përkatës të Kartës së Kombeve të Bashkuara". Ky parim zbatohet për masat e përkohshme të autorizuara nga neni 41 i Statutit të GJND-së.

Në një farë kuptimi, argumenti i bërë këtu i ngjan pyetjes (diskutuar nga profesorja Christine Grey, në 132) nëse kompetencat e Këshillit të Sigurimit janë “të kufizuara nga kërkesa që masa të tilla të mos cenojnë të drejtën e vetëmbrojtjes sipas nenit 51”. Por, ka edhe një ndryshim të rëndësishëm. Duke e cilësuar të drejtën si ekzistuese “derisa Këshilli i Sigurimit të ketë marrë masat e nevojshme për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, neni 51 parashikon se e drejta e vetëmbrojtjes është e përkohshme dhe i nënshtrohet veprimeve të Këshillit të Sigurimit. Gjykata, duke vepruar sipas autoritetit të Statutit të GJND-së për të urdhëruar masat e përkohshme, nuk gëzon të njëjtën prerogativë për të shfuqizuar të drejtën e një shteti për vetëmbrojtje të ligjshme kundër një sulmi të armatosur.

GJND-ja duhet të supozojë se neni 51 zbatohet pa zgjidhur përfundimisht çështjen

Kompetenca e GJND-së për të urdhëruar masat e përkohshme nënkupton kompetencën për të përcaktuar nëse një masë e caktuar e kërkuar autorizohet nga Statuti i GJND-së. Duke pasur parasysh gamën e masave të përkohshme të kërkuara nga Afrika e Jugut (pezullimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake në Gaza), GJND-ja nuk mund ta miratonte këtë kërkesë pa marrë parasysh nëse masa të tilla janë në përputhje me nenin 51 të Kartës. Prandaj, nëse Gjykata do të ishte e prirur të pranonte kërkesën e Afrikës së Jugut, ajo duhet të përcaktojë nëse Neni 51 është i zbatueshëm dhe të marrë parasysh çdo kufizim që rrjedh nga ky përcaktim.

Së këndejmi, Statuti i GJND-së e detyron Gjykatën të përcaktojë nëse "rrethanat e kërkojnë këtë" përpara se të urdhërojë masat e përkohshme. Në shqyrtimin e tërësisë së rrethanave, Gjykata duhet të marrë parasysh nëse do të ishte maturi që në këtë fazë paraprake të procedurës të kalojë në mënyrë të nxituar një çështje ligjore të ngarkuar dhe shumë të rëndësishme. Siç u diskutua më poshtë, ka shumë enigma doktrinore dhe pyetje faktike të pazgjidhura që lidhen me faktin nëse lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gaza karakterizohet siç duhet, pra duke zbatuar të drejtën e vetëmbrojtjes sipas nenit 51.

Sugjeroj se rruga më e mirë do të ishte të supozohej që - pa u zgjidhur përfundimisht - për qëllime të kësaj faze paraprake të zbatohet neni 51, dhe të krijohet çdo masë e përkohshme në përputhje me rrethanat. Edhe mundësia thelbësore që neni 51 të zbatohet është ndër "rrethanat" që mbrojnë kundër një mase të përkohshme gjithëpërfshirëse si ajo e treguar në rastin e Ukrainës kundrejt Rusisë.

Në fakt, nëse Izraeli zgjedh të shtyjë përpara një argument sipas linjave që theksohen në këtë shkrim, nuk pritet që t'i kërkojë Gjykatës të gjykojë nëse Neni 51 zbatohet. Izraeli ndoshta nuk do të dëshirojë të rrezikojë një përgjigje negative ose të ftojë Gjykatën për të analizuar nëse operacionet e tij janë një ushtrim i ligjshëm i kësaj të drejte. Dhe, në çdo rast, kjo çështje nuk ka lidhje me themelin e çështjes. Por, Izraeli mund ta formësojë e parashtrojë pyetjen e Nenit 51 si një ndërlikim serioz që duhet të merret parasysh në të gjitha "rrethanat" relevante për të përcaktuar nëse dhe cilat masa të përkohshme janë "të nevojshme[d]". Mendoj se Gjykata duhet të jetë shumë e kujdesshme që të mos lë mënjanë nenin 51.

A implikon lufta kundër Hamasit në Gazë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje?

Supozimi se lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gaza udhëhiqet nga neni 51 është e diskutueshme – dhe debatohet fuqishëm. (Për diskutimet iluminuese kohët e fundit rreth kësaj pyetjeje, shihni kontributet e profesorëve Schmitt, Millanoviq, Tsagourias, Buchan dhe Gill.). Kriteri i përmendur në tekstin e nenit 51-“sulm i armatosur”- sigurisht që përmbushet. Në të vërtetë, kërkesa e Afrikës së Jugut në GJND thotë po aq, duke pranuar se fushata aktuale ushtarake e Izraelit "u nis si përgjigje ndaj një sulmi në Izrael më 7 tetor 2023 ... nga dy grupe të armatosura palestineze". Dhe shumë shtete kanë njohur në mënyrë eksplicite të drejtën e vetëmbrojtjes së Izraelit në përgjigje ndaj sulmeve të 7 tetorit 2023 (shihni burimet e mbledhura këtu).

Por, shtete dhe studiues të tjerë nuk besojnë se lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gaza bie brenda kornizës së Nenit 51. Disa nuk pranojnë që neni 51 zbatohet për aktorët joshtetërorë si Hamasi (shihni, p.sh. diskutimin këtu) ose që një pushtues mund të thirret në nenin 51 në territorin e pushtuar (dhe ata e konsiderojnë Gazën të pushtuar nga Izraeli më 7 tetor ). Në një opinion këshillues të vitit 2004, vetë GJND-ja mohoi se neni 51 ishte i rëndësishëm për ndërtimin e një muri nga Izraeli në Bregun Perëndimor që synonte të ndalonte sulmet terroriste. Gjykata arsyetoi se “Izraeli nuk pretendon se sulmet kundër tij i ngarkohen një shteti të huaj”; se “Izraeli ushtron kontroll në Territorin e Pushtuar Palestinez”; dhe se “kërcënimi që ai e konsideron si justifikues për ndërtimit të murit e ka origjinën brenda dhe jo jashtë atij territori”.

Megjithatë, GJND-ja mund të zbatojë një qasje të ndryshme në këtë situatë, siç sugjeron profesori Terry Gill. Shumëçka ka ndryshuar që nga viti 2004, duke përfshirë tërheqjen e Izraelit nga Gaza në 2005 dhe vitet kur Hamasi forconte qeverisjen dhe aftësitë e tij ushtarake në territor. Këto ngjarje ndërhyrëse hedhin dyshime mbi propozimin se Izraeli po pushtonte ligjërisht Gazën më 7 tetor (ose më pas), siç diskutoi kohët e fundit profesori Michael Meier.

Dhe GJND-ja mund të arrijë në përfundimin se neni 51 mund të zbatohet kundër një aktori joshtetëror si Hamasi – siç argumentohet në opinionet e ndara të gjyqtarëve Kooijmans dhe Simma në rastin Kongo kundrejt Ugandës (2005), ku vetë Gjykata e la të hapur çështjen. Nga ana tjetër, GJND-ja mund të konkludojë se sulmet e 7 tetorit i atribuohen një shteti – ose Shtetit të Palestinës, i cili njihet nga Afrika e Jugut dhe shumë vende të tjera (megjithëse jo nga Izraeli), ose ndoshta Irani, nëse provat vërtetojnë përfshirjen thelbësore të Iranit në sulme (një pyetje e analizuar nga profesorja Jenny Maddocks).

Është e besueshme që, në një mënyrë ose në një tjetër, GJND-ja do të arrijë në përfundimin se vetëmbrojtja e Izraelit është e implikuar - ose, siç u diskutua më lart, që Gjykata do të dalë me atë përfundim në këtë fazë paraprake pa e zgjidhur përfundimisht atë. Mbi këtë supozim, pretendimi im është se neni 51 e pengon Gjykatën të urdhërojë çfarëdo mase të përkohshme sipas Statutit të GJND-së që do të cenonte të drejtën e Izraelit për të zhvilluar ligjërisht një luftë mbrojtëse.

Cilat masa të përkohshme mund të urdhërojë GJND-ja?

Nëse analiza e mësipërme është e saktë, GJND-ja ka të ngjarë të mos ketë fuqinë të urdhërojë Izraelin të ndërpresë ose të kufizojë ndjeshëm operacionet e tij ushtarake në Gaza si një masë të përkohshme, në masën që një urdhër i tillë do të cenonte të drejtën e nenit 51 të Izraelit për të mbrojtur veten ligjërisht. .

Por neni 51 shkon vetëm deri këtu. Ka kufij për vetëmbrojtje, duke përfshirë ndalimin e gjenocidit dhe kufizimet e së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare. Kështu, nuk do të fyente Nenin 51 që Gjykata të pranonte kërkesën e Afrikës së Jugut për të urdhëruar masa të përkohshme që i kërkojnë Izraelit të përmbushë detyrimet e tij sipas Konventës së Gjenocidit, të cilën Izraeli tashmë është i detyruar ta bëjë dhe nuk ka gjasa të argumentojë ndryshe. (Megjithëse çështja është përtej asaj që përfshihet në këtë shkrim, supozoj se detyrimet e një shteti sipas Konventës së Gjenocidit ose nuk bien në konflkt me të drejtën e tij për vetëmbrojtje ose, në rast të rrallë të një konflikti të vërtetë, Konventa e Gjenocidit do ta kontrollonte.)

Në mënyrë të ngjashme, Gjykata në përgjithësi mund të urdhërojë Izraelin të sigurojë që veprimet e tij vetëmbrojtëse të jenë në përputhje me detyrimet e tij sipas së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare dhe rregullave të tjera ligjore në fuqi.

Por, nëse GJND-ja nuk është e kënaqur me urdhërimin e Izraelit që në përgjithësi që të përmbushë detyrimet e tij ligjore, dhe në vend të kësaj është e prirur të lëshojë një urdhër specifik për të ndaluar ose kufizuar operacionet e tij ushtarake në Gaza (sikur rasti Ukraina kundrejt Rusisë), ajo duhet të shtojë një njoftim/paralajmërim zyrtar: “përveç nëse është e nevojshme për të ushtruar ligjërisht të drejtën e vetëmbrojtjes të njohur në nenin 51 të Kartës”.

Gjykata mund të pranojë gjithashtu kërkesën e Afrikës së Jugut për të urdhëruar Izraelin që të mos ndërmarrë asnjë veprim që "mund të përkeqësojë ose zgjerojë mosmarrëveshjen përpara Gjykatës ose ta bëjë më të vështirë zgjidhjen e saj". Ngjashëm, Gjykata me sa duket mund të urdhërojë Izraelin në përgjithësi që "të marrë masa efektive për të parandaluar shkatërrimin dhe për të siguruar ruajtjen e provave", siç kërkon Afrika e Jugut. Këto kërkesa ndjekin masat e urdhëruara nga GJND në rastin Gambia kundrejt Mianmarit (2020).

Për më tepër, megjithatë, Afrika e Jugut gjithashtu i kërkon GJND-së që të urdhërojë Izraelin të mos "mohojë ose kufizojë në ndonjë mënyrë tjetër hyrjen e misioneve faktmbledhëse, mandateve ndërkombëtare dhe organeve të tjera në Gaza për të ndihmuar në sigurimin e ruajtjes dhe mbajtjes së provave në fjalë". Izraeli me siguri do ta kundërshtojë këtë kërkesë për arsye të ndryshme.

Nga këndvështrimi i vetëmbrojtjes, Izraeli mund të argumentojë në mënyrë të besueshme se lejimi i qasjes së pakufizuar të "misioneve faktmbledhëse" dhe "organeve” të paemëruara ndërkombëtare në Gaza do të ndërhynte në objektivat e tij legjitime ushtarake (p.sh., sulmet ndaj luftëtarëve të Hamasit dhe shpëtimi i pengjeve) duke penguar në mënyrë të palejueshme të drejtën e tij për vetëmbrojtje – veçanërisht kur disa nga ato entitete mund të përdoren nga Hamasi për të minuar qëllimet e luftës të Izraelit. Por, nëse e bën këtë pretendim, Izraelit mund t'i duhet të paraqesë disa prova për të vërtetuar këtë shqetësim.

Përfundim

Nëse GJND-ja përcakton se masat e përkohshme janë të përshtatshme në këtë rast, ajo duhet të shqyrtojë me kujdes se si t'i përshtatë ngushtë ato masa në mënyrë që ato të jenë në përputhje me të drejtën e natyrshme të Izraelit për vetëmbrojtje. Për shkak të kontekstit të vetëmbrojtjes në këtë rast, një urdhër i gjerë dhe i pakualifikuar për ndalimin ose zvogëlimin e operacioneve luftarake në i stilit të rastit Ukraina kundrejt Rusisë do të tejkalonte kufijtë e përcaktuar nga Karta e Kombeve të Bashkuara dhe Statuti i GJND-së.

Nëse Gjykata është e prirur të shkojë përtej masave të përgjithshme të përkohshme që kërkojnë që Izraeli të përmbushë detyrimet e tij ligjore, dhe në vend të kësaj të urdhërojë Izraelin të përmbahet nga aktivitete specifike luftarake, ajo duhet të shtojë njoftimin/paralajmërimin zyrtar: “përveç nëse është e nevojshme për të ushtruar ligjërisht të drejtën e vetëmbrojtjes të njohur në nenin 51 të Kartës”

Jesse Lempel është një avokat në Boston, Massachusetts, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është ish-redaktor i Harvard Laë Review dhe ish-redaktor i Harvard International Law.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat