Në Kuvendin e Kosovës gjatë javës së kaluar ishte në shqyrtim të dytë Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, të cilin para deputetëve e prezantoi kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Ky projektligj u prolongua për seancë tjetër pasi që nuk pati kuorum për votimin e amendamenteve të propozuara nga ana e deputetëve dhe Komisionit funksional.
Në Kosovë për momentin është në fuqi Ligji për shëndetin riprodhues Nr. 02/L-76 i miratuar në vitin 2007 i cili nuk i ka përfshirë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me materien në fjalë, pas të cilit mangësitë e këtij Ligji janë plotësuar dhe rregulluar me Udhëzimin Administrativ Nr. 06/2013 për Frytnim të Asistuar Mjekësor të vitit 2013, i cili Udhëzim Administrativ është kryekëput antiligjor dhe paraqet shkelje të normativës ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës, pasi që Udhëzimi Administrativ si akt nënligjor duhet të jetë konform Ligjit aktual në fuqi, e assesi të jetë mbi këtë Ligj, dhe nuk bën të rregullojë çështjet që rregullohen me ligj, aq më tepër ky Udhëzim Administrativ Nr. 06/2013 është nënshkruar nga ish ministri i shëndetësisë Dr. Ferid Agani.
Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor do të rregullojë çështjet që gjer tani kanë qenë të rregulluar me Udhëzim Administrativ të kundërligjshëm në fuqi Nr. 06/2013 për Frytnim të Asistuar Mjekësor, dhe çështjet tjera plotësuese që nuk kanë të qenë të rregulluar me këtë Udhëzim Administrativ dhe duhet patjetër të rregullohen me Ligj, e assesi me Udhëzim Administrativ .
Në Kosovë kjo çështje nuk është risi, pasi që plot 25 vjet çifte martesore të cilët pas një kohe martesore në kohëzgjatje prej 5 vite, nuk kanë arritur të kenë fëmijë, për shkaqe të ndryshme shëndetësore, infertilitetit dhe sëmundjeve tjera nga ana e burrit ose gruas, nëpërmes frytëzimit të asistuar mjekësor, gjegjësisht fertilizimit in vitro(IVF), me të cilën me fekondimin e qelizës vezë me gametin mashkullor i cili bëhet jashtë organizmit të femrës, në laborator, pas së cilës rezulton me embrion dhe pas kësaj ky embrion transferohet në mitër të gruas me qëllim të implantimit të dhe zhvillimit të tij si fryt fëmije. Çiftet martesore të Kosovës fertilizimin in vitro i kryenin në institucionet shëndetësore në fillim jashtë shtetit,por tani kjo mundësohet edhe në institucionet shëndetësore në Kosovë.
Për dallim nga Ligji aktual në fuqi për shëndetin riprodhues Nr. 02/L-76 si dhe Udhëzimin Administrativ të kundërligjshëm në fuqi Nr. 06/2013 për Frytnim të Asistuar Mjekësor, ky Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor është i përpiluar në atë mënyrë që është kundër etikës njerëzore, humanizmit, traditës kombëtare, kulturës fetare si dhe në kundërshtim me vullnetin e Zotit, Krijuesit Fuqiplotë.
Ky projektligj parasheh përveç fertilizimit të asistuar mjekësor homolog, që do të thotë frytnimi i asistuar mjekësor me ç`rast përdoren qelizat riprodhuese personale të të dy bashkëshortëve, parasheh edhe fertilizimin e asistuar mjekësor heterolog që do të thotë frytnimi i asistuar mjekësor me ç`rast nuk përdoren qelizat riprodhuese personale të njërit bashkëshort apo tjetrit bashkëshort, por përdoren qelizat riprodhuese të personave tjerë.
Në zbatimin e procedurave të fertilizimit të asistuar mjekësor përparësi do të ketë fertilizimi homolog duke përdorë qelizat e bashkëshortëve martesor dhe jashtëmartesor, por nuk e anashkalon edhe fertilizimin heterolog për çiftet martesore dhe për gratë e pamartuara duke përdor qelizat riprodhuese të dhuruara nga individët tjerë, kushdo çofshin ata.
Ky projektligj parasheh, që është jashtë çdo logjike të shëndosh njerëzore, individi, çdo grua apo burrë ka të drejtë për sterilizim artificial me anë të metodës kirurgjike, me një dallim se grua mbi 18 vjeç dhe burri mbi 23 vjeç ka të drejtë sterilizimi pa lejen e Komisionit për vlerësim mjekësor, ndërsa femrat nën moshën 18 vjeçare dhe meshkujt nën moshën 23 vjeçare, mund të sterilizohen vetëm me lejen e Komisionit e mjekësor. “O tempora! O mores! – Çfarë kohe! Çfarë sjellje”.
Ky projektligj parasheh që përveç çifteve martesore dhe jashtëmartesore për fertilizimin e asistuar mjekësor mund t’i nënshtrohet fertilizimit të asistuar mjekësor edhe gratë e pamartuara mbi 18 vjeçare, gjegjësisht femrat në përgjithësi nëpërmes spermatozoideve të dhuruar nga meshkujt, që me shprehje popullore do të thotë “lindja e fëmijëve kopilë”.
Ky projektligj parasheh dhurimin e qelizave riprodhuese për fekondim heterolog nga persona të moshës madhore të cilët pajtohen t’i dhurojnë qelizat e tyre riprodhuese institucionit shëndetësor dhe të cilat do të ruhen në bankën e qelizave riprodhuese. Meshkujt dhurojnë spermatozoide të cilët përdoren për realizimin e frytëzimit të asistuar mjekësor, ndërsa femrat dhurojnë qelizat vezë të cilët përdoren për realizimin e frytëzimit të asistuar mjekësor tek gratë tjera.
Edhe pse projektligji për shëndetin riprodhues dhe frytëzimin e asistuar mjekësore ndalon shërbimin e lindjes së fëmijës përmes nënës surrogate, gjegjësisht nëpërmes gruas tjetër e cila pranon bartjen e embrionit të fituar nga riprodhimi i asistuar mjekësor dhe implantimin e tij në mitrën e saj, mbajtjen e shtatzënësisë së plotë, lindjen dhe e cila në mënyrë vullnetare heq dorë nga e drejta ligjore për fëmijën, për çudi Komisioni parlamentar për shëndetësi dhe mirëqenie sociale(Komisioni funksional) shkon një hap më tej duke propozuar amendamentin në nenin 33 me të cilën kërkon aprovimin e surrogatësisë duke formuluar nenin33: “Shërbimi i lindjes së fëmijës për tjetrin përmes nënës surrogate lejohet te çiftet vetëm me indikacione mjekësore të dokumentuara dhe me miratim nga Komisioni për frytëzim të asistuar mjekësor.” “O tempora! O mores!
I bëjë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pasi Projektligji është akoma në fazën e dytë te leximit, si përfaqësues të popullit që janë, pasi e kanë mandatin e popullit, se me amendamentet të ndryshoni që ky projektligj të jetë në shërbimin e çifteve martesor të cilët nuk kanë fëmijë, ashtu që me anë të frytëzimit homolog të asistuar mjekësor të mund të kenë fëmijë, konform etikës njerëzore, parimit human, kombëtar, fetar e kulturor, e jo në kuptim të ç’thurrjes dhe degradimit moral, human, shoqëror, kombëtar, fetar e kulturor. Para se të votoni, mendoni mirë, që vullneti i popullit të Kosovës në shumicë absolute është kundër këtij Projektligji të propozuar në këtë formë dhe mënyrë.
Në fund po e përmbyll këtë vështrim rreth Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe frytëzim të asistuar mjekësore me parafrazimin e një shkrimi të akademikut boshnjak Ferid Muhiqit i cili në mes tjerash shkruan: “ do të viheni në shërbim të pushtetit politik të sundimtarit të fshehtë(të padukshëm) me të cilin çdo qenie njerëzore anembanë globit tokësor do të jetë e kontrolluar nga ky sundimtar i fshehtë. Vendosja e regjimit totalitar global, të cilën veç janë duke zbatuar në mënyrë rigoroze elitat politike udhëheqëse në të gjitha shtetet, në përputhje me qendrat të inspirimit të fuqisë botërore financiare. Implementimi i dëgjueshmërisë së verbër dhe të pakundërshtueshme, si virtyte dhe obligime më të larta qytetare, në vend të të drejtave dhe lirive qytetare të gjertanishme është prova gjenerale e diktaturës shtetërore globale drejt themelimit të Rendit të ri botëror.
Qëllimi është i qartë: të larguarit nga koka të çdo rezistence të organizuar kundër pushtetit dhe futja e idealit të dëgjuesit të stërvitur, në vend të idealit të individit të lirë, dinjitetit dhe integritetit individual, njëherë e përgjithmonë. Pushteti po merr përsipër pa u vërejtur, gjatë natës, të gjitha autorizimet, në mënyrë të domosdoshme, pa u thirrur në mbështetjen e popullit, pa pengesa institucionale, dhe po bëhet Zot i jetës dhe i vdekjes! Qeveria e padukshme është në qendrën e kapitalit financiar, ndërsa qeveritë tjera veprojnë sipas udhëzimeve të tyre, për kënaqësinë personale dhe përfitim vetanak....”
25.02.2024 Av. Faik MIFTARI