Stop ngacmimit seksual!

Analiza

Stop ngacmimit seksual!

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 26 prill 2024 Në ora: 15:37
Zejnullah Jakupi

Aktet e dhunës ndaj grave - i burrit ndaj gruas, në Kosovë janë të të shpeshta dhe janë bërë alarmuese për shoqërinë- një plagë e hapur kjo e cila natyrisht, jo që duhet të shërohet, por gjithsesi, para se të ndodhë, ajo duhet të pengohet dhe të evitohet. Shkaku kryesor i kësaj dukurie, gjithmonë ndodhë si pasojë e komunikimit (është parasëgjithash çështja e nderit) mes burrit dhe gruas apo mes dy të dashuruarëve. Në rend të parë, fajtori është konteksti ynë shoqëror ose thënë ndryshe, është kultura patriarkale e cila lidhet me rolin dominues të burrit dhe i trajtimit të femrës nga burri si pronë e tij, por natyrish më pak të thekësuar janë gjithashtu edhe faktorë tjerë që e shkaktojnë këtë dhunë të burrit ndaj gruas.

Natyrisht duhet shpjeguar çështjen e lidhjes së martesës se çfarë ndodhë nëse prishet ajo – nëse njëri e prishë këtë marrëveshje për çështje amoraliteti, pa lejen e çiftit, ose nëse ndodhë një tejkalim i marrëveshjes martesore, atëherë mund të eskalojë situata- në shumtën e rasteve burri praktikon ndëshkimin ndaj partnerit të tij - gruas, bashkeshortes.

Gjithsesi ndëshikimi për tradhëti nuk lejohet me asnjë ligj. Dashuria është e lirë e lidhur me vyrtytin e njeriut dhe dinjitetin e tij. Pra, lidhja e kunorës është rezultat e i dashurisë, i marrëveshjes mes dy personave.

Në asnjë ligj, në asnjë konventë nuk shkruan poqëse njeri nga personat e dashuruar dhe të martuar nuk e jep më këtë dashuri ose e tradhëton burrin ose burri gruan se do dënohet ose do të pëson hakmarrje nga partnetri i saj, i tij. Dashuria është e lirë. Nuk ka ligj që të obligon ta duash dike, por as nuk mund të ta ndalojë të mos e duash.

Martesa është një marrëveshje - kontratë që duhet ta rrespektosh. Ajo është bilaterale - duhet të respektohet nga dyja palët. Nëse nuk respektohet, nëse njeri nga ata nuk e respekton, ajo prishet, por nuk duhet të ketë dhunë as para, gjatë dhe as pas prishjes se kesaj kontrate martesore.

Burri, duhet ta kuptojë se gruaja nuk është rob i tij. Ai nuk ka të drejtë që ta rrah, ta shqetësojë, ta perdhunojë, ta ngacmojë seksualisht dhe psikologjikisht. Të dashurosh, do të thotë se guxon ta shprehësh mendimin tënd edhe nëse je e martuar, i martuar. Kjo do të thotë se Guxon ta kesh lirinë tënde. Secili duhet të jetë i vetëdijshëm për mosrrespektimin e kontratës. Por për këtë vendim nuk duhet të ketë hakmarrje jashtëligjore, siç po veprohet në Kosovë nga burrat.

Burri i cili vret nuk është bashkëshort as nuk është prind, por është kriminel dhe duhet të marrë dënimin e merituar nga shoqëria, nga shteti. Mbase është kështu, atëherë asnjë burrë nuk guxon ta ngacmojë, përdhunojë, ta rrah, të dhunojë, të ndëshkojë ose, më së keqi, ta vras gruan, për asnjë arsye.

Çfarë thotë kodi penal për „ngacmimin seksual“?

Megjithëse tema në fjalë është duke u trajtuar gjerë e gjatë në opinionin publik, ndër ta edhe në debate televizive akoma ka paqartësi ose akoma ka mungesë sa i përketë trajtimit dhe përshkrimit se çfarë nënkupton me „Ngacmimin seksual“, si të mbrohemi nga shprehjet verbale dhe ato fizike? Me këtë trajtim po jap disa rekomandime për t´i plotësuar këto zbrazëti në legjislacionin kosovar në kodin penal i cili flet për ngacmimin seksual.

Për të dhënë një shpjegim të plotë për nocionin në fjalë duhet potencar se kjo shprehje „ngacmimi seksual“ është një shprehje e përdorur për të përshkruar situata kur një person tenton të kryejë sjellje të papëlqyeshme ose të paligjshme në një kontekst seksual ndaj një personi tjetër, pa lejen ose miratimin e tyre. Kjo mund të përfshijë gjëra si ndjekje, komente të pahijshme, prekje pa leje, apo dhunë seksuale. Ngacmimi është një formë e dhunës seksuale dhe shkelje e të drejtave të njeriut, dhe është e rëndësishme që shoqëria të punojë për të parandaluar dhe luftuar këtë lloj sjelljeje, si dhe të ofrojë mbështetje për viktimat. Në shumë juridiksione, ngacmimi seksual është e konsideruar si një krim dhe ka pasojat ligjore për personat që e kryejnë atë.

Mbrojtja më e mirë kundër ngacmimeve seksuale është parandalimi, edukimi dhe ndërgjegjësimi për sjelljet e përshtatshme, kufijtë dhe rëndësinë e pëlqimit. Punëdhënësit, institucionet arsimore dhe komunitetet duhet të zbatojnë politika dhe programe për parandalimin e ngacmimit seksual dhe të ofrojnë burime mbështetëse për viktimat.

Mbrojta bëhet duke forcuar vetëbesimin e femrave në mënyrë që ato të mësojnë të thonë “JO”. Ose „JO DO TË THOTË JO“. Femrat duhet të edukohen në një atmosferë të hapur dhe mirëbesimi që i lejon atyre ta shprehin pa frikë refuzimin, pa u ndierë me fajë dhe pa patur frikë nga ndëshkimi.

Kriminaliteti i një sulmi të tillë nuk varet më nga fakti nëse një femër është kërcënuar përmes dhunës apo është përdorur ajo kundër saj. E rëndësishme është se viktima nuk e ka dashur aktin e ngacmimit.

Pra, çdo burrë e grua, vajzë apo djalë, duhet t´i lexojë nenet e kodit penal të Republikës së Kosovë (natyrisht këto nene i kanë edhe kodet penale të shteteve të BE-së). Duhet gjithsesi të ketë një fushatë mediale për t´i sensibilizuar ato.

Këto nenen duhet të vlejnë për ata 700 policët me aktakuza për ushtrimin e dhunës në familje (Debat Plus), për çdo avokat, gjyqëtar, prokuror e profesor e mësues, edukator, „udhëheqës fetar, profesionist i kujdesit shëndetësor, person të cilit i është besuar rritja ose kujdesi i personit të tillë apo në ndonjë mënyrë tjetër ka pozitë të autoritetit“ mbi personin në fjalë.

Për shembull: një profesor nuk guxon të b´i bëjë komplimente një studenteje ose nuk guxon ta ngacmojë nëse vajza, studentja, gruaja, t´i thotë ngacmuesit „JO, NUK DUA. DHE PIKË“! Kjo fjali nuk ka nevojë të thuhet dyherë nga e ngacmuara. Kjo është përgjigja që duhet ta kuptojë ai që ngacmon. E nëse ngacmuesi vazhdon sërish ngacmimin, viktima - e ngacmuara - mund ta padisë ngacmuesin pa patur dëshmi tjetër, pa qenë prezent një person i tretë.

Prandaj, kodit penal i Republikës së Kosovës Neni 2 e pricizon se: „Ngacmimi seksual nënkupton cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues.“

Ngacmimi verbal do të thotë p.sh kur i thua dikujt sa e bukur është, ose p.sh nëse i thua se po dukesh si modele, po dukesh si këngëtareja X apo Y.  Nëse gruaja, vajza, studentja të cilës i ke bërë kompleimente nuk e shqipton fjalën NUK DUA, por faleminderohet gjegjësisht i faleminderohet „ngacmuesit“ për komplimentet, atëherë nuk mund të flasim për ngacmim.

Nëse për një akt të tillë ka një pëlqim - nga dyja anët, siç ndodhë në aktin e pëlqimit për një takim apo për martesë.  E çfarë nënkuptojmë me fjalën „Pëlqim“?

Këtë më së miri e përcakton kodi penal, shih nenin 1:

Shprehja “pëlqim” nënkupton: 1.1. pajtim i vullnetshëm i personit i cili ka arritur moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet për të kryer aktin seksual. 1.2. marrëveshja vullnetare e dy personave të cilët kanë arritur moshën katërmbëdhjetë (14) vjet dhe ku dallimi në moshën e tyre nuk tejkalon dy (2) vjet, për të kryer aktin seksual në fjalë. 2. Nuk ekziston pëlqimi nëse: 2.1. personi i tillë me fjalë ose me sjellje shpreh mungesë të pajtimit për të kryer aktin ose për ta vazhduar atë; 2.2. pajtimi është shprehur me fjalë ose me sjelljen e një personi tjetër dhe jo të viktimës“.

Preventiva për tu mbrojur nga ngacmimi

Me nenet e kodit penal të Republikës së Kosovës ka megjathatë një mungesë praktike e cila lë hapësirë për keqkuptime, sepse nuk ka një rregull se cila shprehje verbale e parandalon ngacmimin para se të ketë ndodhur ai? Në nenin dedikuar ngacmimit seksual duhet plotësuar me fjalën urdhëruese, siç përdoret edhe në Gjermani, duke i thënë ngacmusit „JO, NUK DUA“! „MOS MË NGACMO“!

Kjo fjali duhet të thekësohet në fillim të veprimit që t´i bëhet e ditur ngacmuesi në mënyrë që ai ta kuptojë se veprimi i tij nuk e ka pëlqimin e viktimës, ndryshe njerëzit (burrat), jo vetëm në shoqërinë tonë, por çdo kund në botë, nuk e kuptojnë refuzimin e femrës e cila ngacmohet ose i bishtnojnë „JO-së“ së saj dhe kalojnë në aksion pa pëlqimin e miratuar.

Me këtë plotësim kompletohet baza ligjore për të parandaluar dhe luftuar ngacmimin seksual në shoqëri, ndërsa radhën pastaj e ka sensibilimi i mbarë shoqërisë përmes aparateve shtetërore duke filluar edhe nga drejtësia, e cila në Kosovë duhet të mos vonojë me gjykimin e rasteve dhe të jetë efikase në punën e saj.

Gjithashtu për të patur sukeses në këtë sfidë shoqërore dhe për t´luftuar këto dukuri negative duhet edhe edukim dhe civilizim i gjithmbarshëm shoqëror. Ky sensibilizim shoqëror duhet të bëhet në famlje, në shkollë, në media dhe institucione publike.

Duhet gjithashtu të bëhen ndryshime sa i përketë lejimit dhe pranimit njëzëri të shoqërisë që edhe gruaja, vajzat, nënat, gjyshet të kenë të drejtë ne pronë, sikur që e kanë djemtë, burrat, bababllarët dhe gjyshërit tanë. Ky është një proces i vështirë por mund të arrihet.

Në shpejtimin e këtij procesit mediet janë duke e luajtur një rol vendimtar për të bërë sensibilizimin me debate dhe informim lidhur me çështjen në fjalë. Edhe institucionet shtetërore duhet ta përkrahin më shumë idenë e edukimit përmes „aparateve shtetërore“ (familjes, shkollës, medieve, sistemit të drejtësisë) bazuar në një strategjie kombëtare të hartuar mirë dhe me kohë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat