Marshimi drejt Luftës së Tretë Botërore po vazhdon

Analiza

Marshimi drejt Luftës së Tretë Botërore po vazhdon

Nga: Paul Craig Roberts * Më: 7 maj 2024 Në ora: 11:27
Paul Craig Roberts *

Unë e admiroj Putinin, por jam kritik i tij serioz. Sepse unë vlerësoj se ai po na çon, pa dashje, drejt Luftës së Tretë Botërore.

Operacioni Special Ushtarak (OSU) /Special Military Operation (SMO) / i Putinit në Ukrainë, që është deklaruar të jetë intervenim me qëllimin e kufizuar të largimit dhe eliminimit të milicive paraushtarake Naziste ukrainase dhe forcave ushtarake ukrainase nga Donbasi, e që është rajon rusisht-folës që në të kaluarën ju aneksua dhe i ishte bashkangjitur Ukrainës nga udhëheqësit sovjetikë, ashtu si edhe Krimea ruse, ishte një gabim i rëndë strategjik.

Ishte ky një gabim strategjik që pasoi pas katër ose pesë gabimeve të tij të mëparshme strategjike në kuadër të kontekstit ukrainas. Kishte edhe mjaft gabime të tjera jashtë këtij konteksti ukrainas.

Donbasi u formësua në dy republika të pavarura në përgjigje të grushtit të shtetit anti-rus të orkestruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që përmbysi qeverinë e zgjedhur legjitime ukrainase. Gabimi i parë strategjik i Putinit ishte lejimi i rrëzimit të qeverisë legjitime ukrainase nga ana e Washingtonit, qeveri kjo ukrainase që e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Në vitin 2014, pas grush-shtetit dhe përmbysjes së tillë të qeverisë ukrainase, dy republikat e pavarura të Donbasit votuan me shumicë dërrmuese, si dhe Krimea, për t'u ri-inkorporuar, bashkuar dhe ri-përfshirë në kuadrin e Rusisë. Putin e pranoi kërkesën e Krimesë, pasi në të kundërt Rusia do të humbiste bazën e saj detare në Detin e Zi, por, e hodhi poshtë kërkesën e dy republikave Donjeckut dhe Luhanskut për bashkim me Rusinë.

Ky ishte gabimi i dytë strategjik i Putinit. Nëse Putini, Kremlini ose qeveria ruse do t'i kishin dhënë trajtim të barabartë Donjeckut dhe Luhanskut si edhe Krimesë një dekadë më parë në vitin 2014 pas grusht-shtetit amerikan, nuk do të kishte pasur asnjë intervenim dhe Operacion Special Ushtarak në Ukrainë. As Ukraina, as NATO-ja dhe as Washingtoni nuk do të guxonin të sulmimin territorin rus për të "rikuperuar dhe ri-marrë Donbasin".

Dhe nëse SHBA-ja do të vazhdonte procesin futjes së Ukrainës në NATO, Putini do të ishte detyruar të pranonte se ishte në luftë me Perëndimin, dhe se nuk kishte alternativë tjetër veçse të ri-etablonte Ukrainën ashtu siq ishte gjatë ekzistencës së saj shumëshekullore - si pjesë e Rusisë. “Pavarësia” aktuale e Ukrainës është një krijesë amerikane e formësuar gjatë periudhës së fundit 30-vjeçare pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Çdo analist perëndimor e ka anashkaluar ose ka heshtur për faktin se copëtimi i Rusisë pas rënies së Bashkimit Sovjetik është si edhe copëtimi i Gjermanisë pas Luftës së Parë Botërore, me ndryshimin që konsiston në faktin se Hitleri ishte i vendosur ta ri-bashkonte Gjermaninë, por Putini nuk kishte një ambicie të tillë. Nëse do të dihej e vërteta, Putini është /ose ishte/ në të vërtetë një liberal i tipit pro-perëndimor të shekullit të 20-të, dhe kjo është arsyeja pse ai po dështon si lider lufte i Rusisë së shekullit të 21-të.

Në vend që të pranonte votën e Donbasit, Putini zgjodhi të mos e përfillte dhe ta braktiste e të largohej nga Donbasi në Ukrainë. Dhe në vend të kësaj, ai u përpoq të mbronte popullsinë ruse atje me të ashtuquajturën Marrëveshje të Minskut të quajtur ndonjëherë edhe Protokoli i Minskut. Sipas Marrëveshjes së Minskut, shkurtimisht, Donbasi mbeti në Ukrainë, por iu akorduan disa forma të autonomisë, si p.sh. që të kishte forcën vetanake policore, e për të mbrojtur popullsinë ruse nga persekutimi nga qeveria ukrainase.

Putini siguroi nënshkrimet e Ukrainës dhe të dy republikave të pavarura të Donbasit dmth Donjeckut dhe Luhanskut për këtë Marrëveshjen, dhe siguroi poashtu edhe marrëveshjen e përkrahjes deklarative politike të Gjermanisë dhe Francës për të zbatuar dhe implementuar këtë marrëveshje. Ishte tërësisht e qartë, pavarësisht gënjeshtrave evidente dhe të dukshme të Washingtonit, si dhe të qeverive të BE-së dhe autoriteteve tjera Perëndimore, se Putini nuk synonte asnjë "pushtim të Ukrainës" apo edhe ndonjë intervenim apo operacion të kufizuar apo special ushtarak. Ai donte të shmangte konfliktin ushtarak.

Gjatë 8 viteve të ardhshme të periudhës 2014-2022, ishim dëshmitarë të përpjekjeve të jashtëzakonshme diplomatike të Putinit dhe Ministrit të Jashtëm rus Lavrov, dy diplomatët më të aftë të kohës sonë, për të arritur një marrëveshje të ndërsjellë sigurie midis Perëndimit dhe Rusisë. Madje-madje, edhe ofertën për ta përfshirë edhe Rusinë si anëtare të barabartë të NATO-s.

Për 8 vjet rreshtazi, Rusia u refuzua dhe u nëncmua ftohtë nga Perëndimi. Në dhjetor të vitit 2021 dhe janar të vitit 2022, Putini dhe Lavrovi u angazhuan fuqishëm për të realizuar dhe siguruar një marrëveshje të ndërsjellë dhe strategjike të sigurisë mes të Rusisë dhe Perëndimit, në mënyrë që të evitonin aksionin ushtarak që Ëashingtoni po ia impononte pothuaj detyrimisht Rusisë për të mbrojtur rusët e Donbasit nga ushtria e madhe ukrainase që Washingtoni kishte ndërtuar, ndërkaq që Putini për më se 8 vite po shpresonte se do implementohej Protokolli i Minskut. Në dy vitet e kaluara, si kancelarja gjermane Merkel ashtu edhe presidenti francez Hollande, pranuan se Protokollin e Minskut ata e kishin nënshkruar dhe përdorur për të mashtruar dhe vu në lajthitje Putinin, ndërsa Perëndimi po vazhdonte të ndërtonte dhe forconte ushtrinë ukrainase. Këto deklarime personale të kancelares Merkel dhe presidentit Hollande që pranonin këtë akt të tyre manipulues, mund te gjenden në internet. Ja, për shembull, pranimi i kancelares Merkel:

Sipas ish-kancelares gjermane Angela Merkel, Marrëveshja e Minskut shërbeu për të blerë kohë për të armatosur Ukrainën. “Marrëveshja e Minskut e vitit 2014 ishte një përpjekje për t'i dhënë kohë Ukrainës”, tha Merkel për të përjavshmen Die Zeit. “Dhe Ukraina e përdori gjithë këtë kohë për t'u bërë përforcuar ushtarakisht, siç mund ta shihni sot (21 dhjetor 2022).”

Putin shprehu zhgënjimin e tij lidhur me këtë rrëfim dhe veprim të kancelares gjermane Merkel:

Vladimir Putin, Presidenti i Rusisë, është zhgënjyer nga deklarata e ish-kancelares gjermane Angela Merkel, ku ajo pohoi dhe pretendoi se Marrëveshjet e Minskut të vitit 2014 do ti mundësonin Ukrainës të përgatitej për luftën me Rusinë. “Për mua ishte krejtësisht e papritur. Ishte shume zhgënjyese. Nuk e prisja të dëgjoja diçka të tillë nga ish-kancelarja. Gjithmonë shpresoja që udhëheqja gjermane të ishte e sinqertë. Po, ajo ishte në anën e Ukrainës, duke e mbështetur atë. Por megjithatë, unë sinqerisht shpresoja që udhëheqja gjermane priste një realizim të marëveshtjes dhe zgjidhje të bazuar në parimet e arritura, ndër të tjera, gjatë negociatave të Minskut”.

Naiviteti i Putinit në këtë rast ishte i flagrant dhe i jashtëzakonshëm. Ai është treguar naiv pothuaj si një foshnjë apo femijë i vogël që do duhet të shkonte në pyellin e egër per të luftuar me vetë djallin e egër satanik.

I ballafaquar me një pushtim të kërcnuar ukrainas të dy republikave të Donbasit, Putini u detyrua të intervenonte ushtarakisht. Por, duke i besuar marrëzisht Perëndimit se do t'i përmbahej Marrëveshjes së Minskut, Putini nuk ishte i përgatitur sa duhet për intervenim dhe veprime ushtarake përkatëse. Atij ashtu ju imponue që të duhej të mbështetej madje edhe në një njësi ushtarake private mercenare, profesionalizmi i theksuar i të cilës i bëntë xheloz dhe i vinte në siklet gjeneralët rusë. Ashtu gjeneralët rusë filluan ta përjetonin liderin e mercenarëve Jevgenij Prigozhin dhe Grupin e tij të ashtuquajtur Wagner, si rival, dhe ndonjëherë madje edhe si armik, në vend se të kultivonin këtë ndjenjë për Perëndimin.

Dhe kur disa nga njerëzit e Prigozhinit marshuan drejt Moskës në shenjë proteste për mënyrën e menaxhimit të vakët të konfliktit dhe kërkuan përdorimin e forcës më serioze për ti dhënë fund luftës, gjeneralët xhelozë rusë i thanë Putinit se kjo ishte një përpjekje e Prigozhinit për grusht-shteti. Dhe duke e lajthitur Putinin, i arritën qëllimet e tyre për ndalimin dhe dëbimin e Prigozhin-it, i cili më vonë u vra në një aksident misterioz avioni. Dhe mëpastaj ata ja bashkangjiten Grupin Wagner ushtrisë ruse. Ashtu si bëjnë gjeneralët në mbarë botën, shqetësimi i tyre i më i vogël duket të kishte qenë konflikti me Ukrainën. Gjeneralët përdorin luftërat për të ndërtuar perandori.

"Operacioni Special Ushtarak" ishte një nga gabimet më të rënda strategjike në historinë botërore. Ishte një gabim i rëndë strategjik sepse Putini nuk arriti të kuptonte se ai, përkatësisht Rusia, në fakt ishte në luftë me tërë Perëndimin, dhe se imperativi më akut ishte të fitonte luftën në Ukrainë rrufeshëm dhe menjëherë. Dhe atë para se Perëndimi të përfshihej dhe involvohej aktivisht në te dhe ashtu ta intesifikonte, zgjëronte dhe përshkallëzonte luftën.

Kjo ishte pikërisht ajo që në fakt edhe ndodhi dhe po vazhdon gjithnjë e më tej. Gjithçka, që nga armatimi më modern që Perëndimi pohoi se nuk do të dërgohej në Ukrainë, në fakt në ndërkohë i është dërguar Ukrainës. Kështu Perëndimi hyri plotësisht dhe u përfshi tërësisht në luftë me Rusinë në Ukrainë. Trupat e SHBA-së dhe NATO-s janë të pranishme në veprimet luftarake, duke ofruar shërbime sekrete dhe inteligjencë, duke krijuar bazën informatike si dhe planifikimet dhe veprimet ushtarake kundër Rusisë. Presidenti francez Macron dhe tani edhe politikanë të tjerë evropianë po flasin për dërgimin dhe angazhimin e trupave të NATO-s në vijën e frontit. Ata argumentojnë se Rusia, e përballur me trupat e NATO-s dhe SHBA-së, do të rezervohet dhe do ndalojë avancimin e saj për të shmangur një luftë më të gjerë. Me fjalë të tjera, argumenti dhe pohimi i tyre është se futja dhe angazhimi direkt e ushtarëve të NATO-s në konflikt do të çojë në paqe.

Por, paqja nuk është ajo që synon Perëndimi. Perëndimi ka bllokuar çdo përpjekje që Putini ka bërë drejt kësaj me Zelenskin. Qëllimi i vetëm i trupave të NATO-s është të zgjerojnë luftën sa më tepër ose të frikësojnë dhe detyrojnë Putinin që të tërhiqet nga kjo luftë.

Por, kjo duket te jetë e qartë për të gjithë, përveç qeverisë ruse.

Çfarë është ajo që po e pengon njohjen e realitetit të vërtetë nga Kremlini? Për këtë unë vetëm mund të spekuloj. Ndoshta sundimi komunist i la rusët me dyshime kronike ndaj qeverive të tyre. Ishte SHBA dhe jo Bashkimi Sovjetik që ishte i suksesshem gjatë asaj periudhe. Sistemi sovjetik ishte represiv, ndërkaq që amerikanët besohej se ishin të lirë. Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës pikturuan një pamje rozë të jetës perëndimore, një ëndërr për rusët që po përjetonin privimin e atëhershëm sovjetik.

Klasa intelektuale ruse, konsideronte se e ardhmja ishte Perëndimi, jo Rusia. Elitat ruse pro-Perëndimore njihen si Integracionistë-Atlantik, një term ky që pasqyron dëshirën e tyre për të qenë pjesë e Perëndimit. Edhe nga përvoja ime personale me Rusët, une e kam parasysh se u nevojiten ngjarje të rënda dhe periudhë e gjatë këtyre Integracionistë-Atlantik që vetëdijesoheshin, të këndjelleshin dhe të zgjoheshin dhe të kuptonin këtë iluzion të tyre të madh. Por, ky iluzion i tyre, për vite me radhë paraqiste një kufizim serioz për Putinin, nëse një gjë e tillë nuk do eksistonte, pasi edhe vetë Putini fillimisht kishte iluzione të tilla pjesërisht dhe kishte afinitete të ngjajshme për Perëndimin. Putini madje ra edhe pre e konceptit të "globalizmit", koncept ky që në fakt është një mjet implementues për dominim global dhe kontrollin Perëndimor të botës. Kjo ishte rasti edhe me guvernatoren e marrë të Bankës Qendrore të Rusisë të emëruar nga ai.

Nga këndvështrimi i Integracionistëve Atlantik rusë, çështja kryesore ishte që të evitohej justifikimi i dyshimeve perëndimore për Rusinë, që mund të shkaktoheshin nga Putini nëse ai do mbronte interesat vitale dhe autentike ruse. Sepse sipas tyre, Perëndimi do t'i interpretonte veprimet e vendosura ruse në mbrojtje të interesave kombëtare të Rusisë, se gjoja ato paraqesin synime imperiale ruse përkatësisht "Rusinë duke rindërtuar perandorinë e saj". Rrjedhimisht, liberalët rusë dhe rinia e kultivuar nga paratë e OJQ-ve të huaja përendimore që vepronin dhe operonin në Rusi, tërësisht të pakontrolluara, i imponuan Putinit kufizime serioze në aftësinë dhe angazhimet e tij për të mbrojtur vendin e tij, edhe nëse ai e do ta kuptonte esencën e cështjes që atëherë, gjë që nuk duket të ketë qenë e qartë.

Duke marrë parasysh disproporcionin e madh në fuqinë ushtarake mes Rusisë dhe Ukrainës, madje edhe me armatimet më moderne Perëndimore në vlerë miliardash të pafundme dollarësh, vazhdimi i konfliktit që tanimë është në vitin e tretë, ka krijuar imazhin e një lidershipi të pavendosur rus, në dukje të frikësuar që ta fitojë luftën, këtë nga frika se ashtu mund të provokojë një konflikt akoma më të gjerë. Putini dhe qeveria e tij, si dhe ushtria e tij, për dallim nga Prigozhini, kanë bërë gabimin e rëndë strategjik duke mos kuptuar se lejimi i vazhdimit dhe zvarritjes së konfliktit, mundëson përfshirjen dhe angazhimin akoma më të gjërë dhe më direkt të Perëndimit në luftë. Pavarësisht nëse do të ndërhyjnë direkt trupat e NATO-s apo jo, Perëndimi ka mënyra të tjera për të përshkallëzuar konfliktin derisa të dalë jashtë kontrollit.

Kështu, kryepari i/ie shefi i Shtatmadhorisë së/ Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, Admirali Sir Tony Radakin, i deklaroi gazetës Financial Times se dërgimet i fundit të raketave Perendimore me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, i mundësojnë Ukrainës "të ri-intesifikojë dhe zgjërojë sulmet me rreze të gjatë veprimi për të goditur caqe brenda Rusisë", që kështu ta ndihmojë Kievin ta fuqizojë qenësisht luftën kundër Rusisë.

Që të jetë e qartë, raketat me rreze të gjatë veprimi, të cilat Presidenti Biden mohoi se do t'i jepeshin ndonjëherë Ukrainës, në ndërkohë tanimë i janë dhënë. Ato nuk janë armatime efektive për veprime lufte në fushëbetejë të vijave të frontit. Por, përdorimi i tyre është i destinuar për ta sfiduar Putinin me goditjen e caqeve në Rusi për të krijuar kështu përshtypje tek popullata ruse për paaftësinë e tij për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën ruse nga sulmet ukrainase, madje edhe brenda gjirit të Mëmë Rusisë. Është e qartë se Washingtoni po bën gjithçka që mundet për të vënë në nën presion të shtuar dhe për të acaruar raportin e Rusëve ndaj Putini. Dhe duket se Putini po bien në këtë kurthë të Washingtonit.

Operacioni Special Ushtarak i Putinit është një dështim total. Po, Rusia dominon në tërësi frontin e fushëbetejës. Por, duke kufizuar përdorimin e forcës ruse, Putini ka krijuar përshtypjen se ai është i pavendosur dhe prandaj si i tillë edhe kundërshtar ushtarak jo-efektiv dhe jo-konsekuent vis-a-vis Perëndimit. Edhe presidenti i Francës, që nuk është një fuqi ushtarake serioze, duket madje se edhe ai nuk ka frikë nga Rusia nën Putinin dhe se është i gatshëm të dërgojë trupa franceze për të luftuar për Ukrainën kundër Rusisë.

Fillimisht presidenti francez përqeshej nga opinioni nderkombëtar për sygjerimin e dërgimit të trupave të NATO-s në Ukrainë, ndërkaq që tani po paraqiten edhe të tjerë qe deklarojnë se po e pranojnë këtë ide.

Presidenti amerikan pat deklaruar se kurrë nuk do t'i dërgoheshin Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprime, ndërkohë që ato tani janë dërguar.

Siç kam vlerësuar dhe paralajmëruar, dështimi i Putinit për të intervenuar fuqishëm dhe me vendosmëri, ka nxitur provokim pas provokimit, madje gjithnje e më të rrezikshëm. Dhe këto provokime qe duket të jenë të nxitura nga mosreagimi i vendosur i Putinit, mund të çojnë në aso shkalle provokimi që madje edhe një Putin i tillë nuk do të jetë në gjendje ta injorojë. Dhe rrjedhimisht do të detyrohet të kundër-reagoje në aso shkalle dhe me asi intensiteti goditës, sa që lufta të shpertheje dhe përfshijë botën.

Kur do ta kuptojë Putini se gjithçka që ka fituar nga Operacioni i tij i Special Ushtarak është një luftë në fakt shumë më e gjerë, tanimë janë dy anëtarë të rinj të NATO-s – Finlanda dhe Suedia – që zgjerojnë shumë (më shumë se Ukraina) kufijtë e Rusisë me NATO-n, si dhe dërgesat ushtarako-financiare për qeverinë anti-ruse të Ukrainës, me armëve që duket te jenë jo-efektive për fushëbetejën e fronit. Por, që janë të destinuara për sulme me rreze te gjata veprimi për të goditur thellë brenda Rusisë. Kjo do të bënte Rusinë të duket e dobët, si dhe Putinin të perceptohej si jo-efektiv dhe i dështuar si një lider lufte që nuk është në gjendje të mbrojë vendin dhe popullin e tij?

Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken, ishte ditëve të fundit në Kinë duke bërë çmos për të sabotuar dhe demontuar marrëdhëniet ruso-kineze. Paaftësia e Putinit për t'u marrë me një kundërshtar kaq të vogël ushtarak cfarë është Ukraina, duhet ta bëjë Kinën që të befasohet dhe të lëkundet lidhur me këtë. Është e qartë se dështimi i Putinit për të fituar këtë luftë, tanimë në vitin e saj të tretë, të cilin ai duhet ta kishte fituar brenda 3 javësh që nga fillimi i saj, i dha Blinken-it mundësinë për t'i bërë këso lloj presioni Kinës. Blinken pa këtë mundësi, dhe e përdori atë. Blinken kështu fitoi mbështetjen e një "eksperti kinez për cështjet ruse" si dhe vemendjen e qeverisë kineze.

Ndërkaq që edhe vetë Kina duket se është një mbrojtëse joefektive e interesave të saj. Filozofia kineze synon dhe preferon perspektivën afatgjatë të veprimit në arritje së synimeve të saj. Kina sipas kësaj qasje pret lodhjen dhe tërheqjen e kundërshtarit/kundërshtarëve të saj nga aspiratat e tyre anti-kineze. Por, Perëndimi karakterizohet me veprime dhe synime për arritje të menjëhershme të qëllimve, gjë që Kina duket se akoma nuk po arrin ta e kuptojë.

Në ndërkohë, nuk ka ende një Traktat të Mbrojtjes së Përbashkët Ruso-Kinezo-Iraniane që do ti jepte fund provokimeve Perëndimore dhe luftënxitëse te tyre. Pa dyshim, rusët dhe kinezët nuk duan të jenë provokues. Kjo tregon se ata nuk janë në gjendje të kuptojnë se janë në gjendje lufte.

Përmbledhur thënë: Putini mendon se Rusia tanimë e ka fituar konfliktin, sepse, pavarësisht nga ndihma amerikane Ukraines prej 200 e sa miliarda dollarësh nga SHBA dhe Perëndimi, Rusia dominon fushën e betejës. Viktimat e Ukrainës janë 10 herë ose madje edhe me shumë, se sa viktimat ruse, dhe armatimet Perëndimore janë dëshmuar shumë inferiore ndaj armatimeve ruse. Putini rrjedhimisht duket se mendon se është vetëm çështje kohe para se Perëndimi të vetëdijesohet për realitetin e kësaj gjendje, të kuptojë se e ka humbur luftën me Rusinë dhe të pajtohet me kushtet e Rusisë për t'i dhënë fund konfliktit. Pse Putini mendon se Perëndimi do të pajtohet dhe pranojë këtë? Putini duket se po e mashtron vetëveten!

Putini duhet të lexojë artikull-analizën e fundit të Mike Whitney-t. Whitney ka një mendje të mprehtë, të pavarur dhe të pakompromis që merret vetëm me të vërtetën. Ëhitney thotë, mbështetur me prova, se SHBA, duke kuptuar se e ka humbur luftën në frontin e fushëbetejës, megjithatë ende synon të fitojë luftën e vërtetë në plan më të gjërë dhe ka kaluar në realizimin e planit B. Plani i saj B është zgjatja e konfliktit, dhe ate me përkrahje dhe ndihma Perëndimore Ukrainës, jo për fituar në fushëbetejën që tanimë të humbur, por, për të sulmuar me raketa me rreze të gjatë veprimi caqet në Rusi kundër qendrave civile dhe infrastrukturës kyqe sociale dhe ekonomike ruse. Suksesi i këtyre sulmeve do të dëshmonte se Putini është një i lider i dështuar lufte, një lider i paaftë për të mbrojtur Nënën Rusi nga një fuqi ushtarake pothuaj joekzistente – nga Ukraina.

Në këtë kontekst, pyetja është se a do të mund të ndërhyjë elita intelektuale pro-Perëndimore ruse, me pohime për “dështimin e Putinit për të mbrojtur Rusinë”, për të nxitur ashtu një marrëveshje paqeje që do të rezultonte me pranimin e Ukrainës në NATO?

Me fjalë të tjera, pavendosmëria, vetë-përmbajtja e tepruar dhe kalkulimet dhe parashikimet e gabuara të Putinit e kanë mundur atë. Këtu në link-vegëzën vijuese është analiza e Whitney-t për Planin B të SHBA:

https://www.unz.com/mwhitney/washington-moves-on-to-plan-b/.

Putini është dëmtuar rëndë nga dështimi i pakuptueshëm i shërbimeve të inteligjencës ruse.

Ku ishte, për shembull, Putini kur Ushtria e Xhorxhisë/Gruzisë, e trajnuar dhe e armatosur nga SHBA dhe Izraeli, sulmoi protektoratin rus të Osetisë Jugore duke vrarë trupat ruse që shërbenin si paqeruajtës? Putin ndodhej në Lojërat Olimpike në Kinë, pa e ditur se po përballej me një krizë të rrezikshme. Putini u trandë atëherë me vonesë dhe u tërhoq nga zbavitja dhe lojërat e tij olimpike që po përcillte dhe iu desh të përdorte një ushtri të papërgatitur ruse për të zmbrapsur ushtrinë e Gruzisë të trajnuar nga amerikano/izraelitët. Pastaj, kur ai arrijti ta kishte përsëri Gruzinë/Xhorxhinë në duart ruse, ai u tërhoq dhe u largua nga Gruzia. Me sa duket u largua në këmbim të koncesionit të vetëm të një qeverie gruziane pak më të moderuar dhe më pak armiqësore ndaj Rusisë. Tani ka raporte, të vërteta apo të rreme, për pregaditje dhe tentativa të një tjetër grusht-shteti përmes të protestave të organizuara masive të ashtuquajtura ‘revolucione me ngjyra’ /’color revolutions’/, në pregaditje e sipër kundër qeverisë së Gruzisë, e për shkak se ajo vlerësohet nga Perëndimi se nuk është mjaftueshëm armiqësore ndaj Rusisë.

A kemi këtu një front të dytë lufte që po hapet kundër Rusisë përveç luftës në Ukrainë? Dhe çka është e vërtetë dhe ç’po ndodhë lidhur me raportet se NATO-ja tani po përqendrohet në Bjellorusi ku janë të stacionuara armët bërthamore ruse, dhe mund të vazhdohjet të përforcohen? A do të hapet një front i tretë lufte? https://www.globalresearch.ca/nato-terrorists-launch-attack-belarus/5855863

Inteligjenca ruse dështoi Putinin edhe atëherë kur po realizohej i ashtuquajturi ‘Revolucioni /me ngjyra/ i Majdanit’ si grusht-shtet anti-rus me protesta masive në Kiev, Ukrainë, i organizuar dhe orkestruar nga Washingtoni. Putini nuk kishte asnjë paralajmërim për atë që po ndodhte në pragun e ‘shtëpisë’ së tij. Ai ishte larg, përsëri, duke shijuar Lojërat Olimpike të Soçit, në Rusi, ndërsa Washingtoni pushtoi Ukrainën, që ishte pjesë e Rusisë për shekuj me rradhë.

Çfarë i shpjegon këto dështime masive dhe totale të inteligjencës ruse? A janë shërbimet e inteligjencës ruse aq pro-Perëndimore sa nuk janë në gjendje të shohin realitetin? Apo janë agjensi të inteligjencës që veprojnë sipas një protokoli në të cilin vetëm një marrëveshje miqësore mund të jetë rezultat përfundimtar i konfliktit të orkestruar nga SHBA mes Rusisë dhe Perëndimit?

Nëse Putini vazhdon të mohojë realitetin, ai rrezikon të humbasë edhe aleancën e tij me Kinën. Kjo do t'i japë fund edhe synimeve për zëvendësimin e dollarit amerikan në transakcionet financiare globale ndërkombëtare dhe do ti lërë të gjithë ata që nuk pajtohen me dominimin amerikan të botës në mëshirën e sanksioneve financiare të SHBA-së. A do të jetë në gjendje që qoftë edhe ky raport i mëposhtëm nga mediumi shtetërorë rus RT ta trandë Putinin që të përballet me realitetin e rrezikshëm?

“Konkretisht, një artikull në The Economist nga Feng Yujun, profesor në Universitetin e Pekinit, ka shkaktuar bujë. Ky ekspert i shuar sistematik dhe metodik, zyrtar kinez për cështje të Rusisë dhe konfliktin e Ukrainës, flet shumë për frymën e mendimit politik perëndimor: ai kritikon Moskën, parashikon disfatën e saj, vlerëson Kievin ukrainas për 'forcën dhe unitetin e rezistencës së saj' dhe madje sugjeron që nëse Rusia e nuk e ndryshon qasjen e strukturës së saj të pushtetit në këto rrethana, ajo do të vazhdojë të kërcënojë sigurinë ndërkombëtare duke nxitur dhe provokuar luftëra.“

“Duke ditur se si është e organizuar shoqëria kineze, është e vështirë të imagjinohet se profesori që shkroi këtë artikull po vepronte kokë-në-vete dhe pa dakordimin dhe mbështetjen e ‘shokëve përgjegjës’ në Pekin. Refuzimi i fundit i katër bankave të mëdha kineze për të pranuar transaksione financiare pagesash nga Rusia, qoftë edhe në valutën kineze juan, mund të shihet gjithashtu si një sinjal alarmues për Moskën. Me fjalë të tjera, mund të rezultojë që aleanca, në fjalë dhe dukje kaq e fortë ruso-kineze, është larg nga të qenit efektive dhe pa probleme serioze praktike. Dhe kuptohet se Blinken me siguri mezi priste që të tentojë që ta përforconte dhe konsolidonte këtë shkarje ruso-kineze.”

https://www.rt.com/news/596632-blinken-in-beijing-russia/

Është e qartë se Putini aktualisht nuk ka këshilltarë ekonomikë dhe politikë të nivelit përkatës me thellësi të duhur inteligjence dhe vetëdije të mjaftueshme për ta vetëdijesuar atë për situatën e rrezikshme që ai ka krijuar, për vetë-veten dhe për Rusinë. Si dhe për mbarë botën, ngase një qasje e tij e tillë, do sjellë si pasojë luftë të rrezikshme bërthamore në botë.

*) Presidenti Reagan emëroi Dr. Paul Craig Roberts Ndihmës Sekretar i Thesarit për Politikat Ekonomike dhe ai u konfirmua në detyrë nga Senati i SHBA. Dr. Roberts ishte gjithashtu redaktor dhe kolumnist i të përditshmes autoritative amerikane The Wall Street Journal. Pas largimit nga Thesari, ai shërbeu si konsulent në Departamentin e Mbrojtjes të SHBA dhe Departamentin e Tregtisë së SHBA. Në vitin 1987 qeveria franceze e njohu atë si "autoritet e një rinovimi në shkencën dhe politikën ekonomike pas gjysmë shekulli ndërhyrje shtetërore" dhe e futi në Legjionin e Nderit.

Ai është i rradhitur në listat e personaliteteve kyqe Who's Who në Amerikë dhe Who's Who në botë. Dr. Roberts është një akademik, autor dhe studiues me reputacion në mbarë Amerikën dhe më gjërë dhe ka mbajtur tituj akademikë në Virginia Tech, Universitetin Tulane, Universitetin e Nju Meksikës, Universitetin e njohur të Stanfordit ku ai ishte anëtar i lartë kërkimor në Institutin Hoover, Universiteti George Mason, si dhe në Universitetin poashtu shumë të njohur Georgetoën në Ëashington DC ku ishte kryesues në William E. Simon në Ekonomi Politike në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

**) Linku i këtij artikulli të publikuar është:

https://www.paulcraigroberts.org/2024/04/28/the-march-to-the-third-world-war-continues/

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat