Çfarë do të thotë t’i përkasësh një kombi shqiptar?

Analiza

Çfarë do të thotë t’i përkasësh një kombi shqiptar?

Nga: Valon Alimi Më: 31 maj 2024 Në ora: 14:07
Foto ilustrim

Kur paraqitet kjo pyetje, nuk është fjala për një identitet që mund të ndryshojë sipas dëshirës apo kushteve. Ndër talljet më të mëdha radhitet konstatimi i zbrazët që shqiptari lind dhe vdes si i tillë. Lidhja e kombësisë me gjakun, pra stilizimi i kombit shqiptar si diçka statike, jo ndryshuese, është shkaku pse ky komb nuk përparon. Mendimet tona mbi esencën e kombit marrin fund sapo fillojnë llogaritjet më të thjeshta që janë prejardhja. Kur kombësia barazohet dhe përmbyllet me trajta të thjeshta siç janë gjuha dhe prejardhja, atëherë edhe qenia shqiptare ngel e tejdukshme, pa qenë e mbushur me shpresa dhe kërkesa ndaj secilit prej nesh.

Pra, problemi ynë si komb përbëhet nga fakti që qenia jonë nuk llogaritet si diçka që mund të ndryshohet, ku ne kemi ndikim, por në vend të kësaj, ne si komb kemi ngelur pa mundësi, sepse nuk i konsiderojmë mundësitë si pjesë e kombit shqiptar për shkak të pamjes sonë të turbullt mbi veten dhe kombin në tërësi. Pra, në dallim nga kombet e tjera, lidhja jonë me kombin më shumë mund të karakterizohet si një përkatësi, por jo si një zotim. Kjo e fundit do nënkuptonte që përkatësia kombëtare nuk përbën kufirin e vetëdijes tonë, por shërben si hap fillestar që pasohet me përzgjedhjen e një qëllimi konkret, por edhe të thellë.

Konkretësia e këtij qëllimi do ishte zgjidhja e pyetjes "Pse jetojmë bashkë si një grup njerëzish?", ndërsa thellësia e qëllimit do karakterizohej përmes pyetjes "Çfarë mund të kontribuojmë secili sipas aftësive tona për arritjen e qëllimit përbashkues?" Pra, përkatësia jonë ndaj kombit në vend të pasivitetit dhe mbrojtjes së imponuar duhet të "përshkallëzohet" në një frymë aktive dhe vizionare. Faktikisht, ne si popull për shkak të mungesës së një vizioni frymëzues që do na mundësonte në etapat vendimtare të bënim hapin e parë, gjithmonë kemi qenë të pavendosur; qoftë nga rilindja jonë kombëtare që ndodhi në pasivitet duke pritur ndërhyrjen e Perandorisë Osmane, qoftë edhe nga qëndrimi ynë i besnikërisë nën sundimin jugosllav. Por, vetvetiu, t'i dalësh zot vetes duke ndikuar në ambientin tënd që të shërbejë për dobinë tënde; këtë gjë s'e kemi bërë kurrë; për shkak të mosqenies së një dinamikeje në vetëpërcaktimin tonë si komb. Pra, këtu ka qenë dhe ende është gabimi ynë kryesor: Kemi ekzistuar si shqiptarë, por nuk kemi jetuar si të tillë.

Prandaj, shtrohet pyetja se kur jeton një individ apo një popull. Kur ka jetë? Nuk mjafton thjesht ta kuptosh jetën si një dritare kohore ku dritarja hapet me lindjen dhe mbyllet me vdekjen. Në vend të këtij konstatimi të turbullt, jeta ndihet nëpërmjet ndryshimit që shkaktojmë, ndërsa ekzistenca ndërtohet nëpërmjet përvojave tona. Ndryshimi si çelës i jetës bazohet pra në krijimin e një varësie përbërëse mes nesh dhe rrethinës sonë. Prandaj, përkatësia jonë kombëtare, qenia shqiptare si diçka që na ndodh dhe që nuk e shkaktojmë vetëm, nuk ndikon në përbërjen e rrethinës sonë. Nuk shkakton ndonjë ndryshim, nuk ia bën të ndryshojë botën. Kështu që nëse e reduktojmë vetëkuptimin tonë si grup njerëzish duke u bazuar në përkatësinë, gjuhën dhe traditat, atëherë nuk jetojmë, por jemi të vdekur si komb, pasi na mungon vetëdija për mundësitë tona, për shkak të moskonsiderimit të kombësisë shqiptare si një sfidë e përbashkët për të mos qenë të varur nga të tjerët, si një sfidë për të refuzuar kërkesat e botës dhe popujve për të përshtatur, si një sfidë për të afirmuar çiltërsinë tonë si komb.

Dhe këto synime realizohen vetëm nëse transformojmë dhe funksionalizojmë rrethin tonë për të shërbyer për dobinë tonë. Duke qenë rrethina jonë e varur prej nesh, duke u bërë ne çelësi i formimit të mjedisit tonë, atëherë marrim në dorë fatin tonë. Ndryshimi si ndërtimi i kësaj varësie, ku përbërja e botës sonë ndodh sipas qëllimeve tona, nënkupton kontroll. Dhe kur diçka merret nën kontroll, atëherë gjeja, objekti në fjalë, caktohet sipas vullnetit të atij që ushtron kontroll. Në vend të të qenit të ngadalshëm, të pavendosur ngaqë kombi nuk është zotim, por përkatësi, nëpërmjet këtij ndryshimi, ne do të ishim proaktivë dhe të vetëdijshëm. Çili është pra pulsi i jetës? Cila është bërthama e ndryshimit apo e të jetuarit si komb?

Pulsi i jetës është vullneti. Vullneti nënkupton posedimin e dëshirave dhe përpjekjen për t'i realizuar ato. Mungesa e kësaj është arsyeja pse kemi komplekse të inferioritetit. S'dimë përse të jemi krenarë. Pra, s'dimë përse të lavdërojmë arritjet tona si çelësi për suksesin tonë, për ta kuptuar kuptimin e krenarisë. Ne s'kemi as arritje as suksese, sepse s'kemi dëshira të përbashkëta dhe asnjë përkushtim që do na jepte vetëbesim për të sfiduar. Duhet të krijojmë dëshira kombëtare që do të çojnë nga një cofësi statike në një gjallëri me vetëbesim. Andaj, duhet të kuptojmë se çfarë janë dëshirat. Secili njeri ka dëshira, kërkesa që nuk ndikohen nga gjendja aktuale, por që dalin si pasojë e forcimit të njeriut për të parë përtej ndikimeve të tij. Dëshirat realizohen kur njeriu nuk është i varur, por është shkaktar i varësisë.

Për më tepër, realizimi i dëshirave jep motivim për të përqendruar aftësitë në minimizimin e imponimeve. Troç, të kesh dëshira të jep atë guxim që ta mbrosh veten nga përpjekjet e të tjerëve për të shfrytëzuar dëshirat e tyre, qoftë duke heshtur për të mos ndërhyrë në planet e tyre, qoftë duke refuzuar duke i përdorur për interesat e tyre; duke të bërë vegël në vend të të qenit mjeshtër. Gjithashtu, posedimi i dëshirave dallon njeriun nga kafsha që posedon vetëm nevoja (kërkesa që ndikohen nga gjendja momentale, si për shembull uria). Ndryshimi, krijimi i varësisë përbërëse, është korniza në të cilën mjedisi i varur merr formën e vullnetit të njeriut duke kontribuar në realizimin e dëshirave të tij. Pra, si përfundim i kësaj pjese fenomenologjike, jeta karakterizohet si shfrytëzimi i dritares kohore të ekzistencës së njeriut për të lënë gjurmet e dëshirave ndaj mjedisit ku ai qëndron. Po ashtu, një jetë e suksesshme karakterizohet sipas numrit të dëshirave të realizuara. Ai që realizon më shumë dëshira ka një jetë më të suksesshme, ndërsa ai që realizon sa më pak dëshira është i dështuar.

Dëshirat tona si popull, siç do që të jenë, duhet të përcaktohen në skenën politike; gjë që mund të quhet fatkeqësi duke marrë parasysh gjendjen e rënduar të sistemit politik. Por, hapi fillestar duhet të jetë zbulimi i një motive përpara se ky të konkretizohet me ide të shpërndara në diskutime dhe votime. Cili pra mund të jetë motivi i të qenurit shqiptar në bazë të cilit mund të përcaktohen dëshirat mbarëkombëtare. Pse duam ne në tërësi të krijojmë atë varësi përbërëse?

Pra, çfarë presim ne nga kombi ynë? Pse na duhet? Pse duam të identifikohemi me atë? Motivi ynë duhet domosdoshmërisht të rrjedhë nga analiza e historisë sonë të re, pasi komplekset tona si mungesa e vetëbesimit dhe egërsia, pabesia, tradhëtia janë pasojat e keqtrajtimit që kemi përjetuar, veçanërisht në shekullin e kaluar. Komunizmi na ndau në dysh duke krijuar një trung të ri popullor, i cili ishte i ri, por dukshëm më i keq se ai i vjetër. "Rinovimi" i popullit tonë është katalizatori i këtyre pasojave të keqija historike. Prandaj, duhet në një farë mënyre të kthehemi mbrapsht duke përdorur traumën tonë si një shkallë fillestare nga e cila mund të hartohen dëshira "intrasubjektive kombëtare", dëshira që mund t'i ketë çdo shqiptar, pasi ditë për ditë ballafaqohet me këto pasojat dhe në vazhdim të kësaj i ngushtohet vullneti i tij i lirë. Motivi ynë në bazë të keqtrajtimit komunist dhe jugosllav duhet të jetë lirimi i vullnetit tonë, heqja e atij mentaliteti nga truri ynë, sipas të cilit çdokush është tradhëtar dhe çdokush është shfrytëzues.

Deri sa ky mentalitet, kjo mënyrë e të analizuarit të rrethit, përbëhet nga egoizmi dhe çdokush konsiderohet si armik në kërkimin e vetëpërmbajtjes dhe stilizimit si më i miri, nuk do të zhduket dhe nuk do të krijojë dëshira të vërteta që synojnë përmirësimin e kushteve të individit që ky individ i përmirësuar të ndihmojë edhe të tjerët, duke shkaktuar kështu një përmirësim të përgjithshëm kombëtar. Nëse kjo kornizë analizuese e rrethit tonë bazohet në egoizëm, atëherë individët do të devijojnë nga bashkimi i vërtetë në izolimin e njëri-tjetrit. Dhe kështu, kombi do të mbetet një përkatësi e vetme, dhe jo një zotim. Faktikisht, çdo njeri është i predispozuar për bashkëpunim, për të ndihmuar njëri-tjetrin në mënyrë që të shmanget mangësia e secilit, për të shtuar aftësitë e njërit dhe për të zvogëluar mangësitë e tij. Prandaj, zotimi ynë në fjalë përbëhet nga solidarizimi me njëri-tjetrin, duke vënë aftësitë individuale në shërbim të të gjithëve.

Përkatësia etnike këtu luan një rol si një farë kompasi. Të gjithë kemi qenë nën presion, gjuha jonë (që shpeshherë përdoret si faktori i vetëm për të na definuar si komb) është vërtet dëshmi që në luftën për drejtësi ne i përkasim atyre që humbën. Ndihemi të tradhtuar ndërkombëtarisht nga fqinjët dhe të copëtuar brenda, ndërsa huazimi i fjalëve të huaja dhe ashpërsimi i fjalorit kundër njëri-tjetrit tregojnë për ndikimin e shpërbërjes së solidaritetit. Prandaj, ky mentalitet imponues i shfrytëzimit të njëri-tjetrit na është imponuar nga njerëz dhe popuj të padrejtë, ndërsa në kontekstin e padrejtësisë kombëtare vazhdojmë të tregohemi të padrejtë edhe ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj vetes. S'mund të kemi guxim të jemi njerëz që gabojnë, ndjejnë dhe dëshirojnë, por egërsia e torturuesve të popullit tonë është futur në mendjet tona, është bërë parim në kontekstin tonë të jetës, është bërë mentalitet.

Motivi ynë, duke marre shkas nga fakti që si komb s’ndihemi të lumtur dhe s'kemi vetëbesim, duhet të jetë kthesa e historisë në drejtësi për shqiptarët. Ne të shkuarën vuajtëm, ndërsa ardhmërinë duhet ta stilizojmë që secili prej nesh të jetë i sigurt për t'u hapur ndaj njerëzve përreth tij pa frikën e keqtrajtimit. Ardhmëria duhet të stilizohet që të zhduken të gjitha pasojat e historisë së keqtrajtimit tonë.

Populli shqiptar, si nga psiqia ashtu edhe nga shoqëria, mos të jetë më prodhim i ngjarjeve të së shkuarës. Përkundrazi, populli shqiptar duhet të jetë i veçantë, të trajtat e tij që i vuajmë sot mos të jenë më të imponuara nga përvëlimi i historisë. Motivi i popullit shqiptar është ridefinimi i historisë sonë; ne të bëhemi përcaktues, ne ta marrim kontrollin e historisë për ta marrë veten në kontroll për njeri-tjetrin. Shkurt, motivi ynë është ndriçimi i secilit, vetëdija pse dështojmë dhe ndërgjegjja se duhet ndryshuar ky problem. Ky lloj motiv që përshkak të përmbajtjes së tij (definimin e problemit dhe urgjencën e zgjidhjes së tij) është ai zotim i lartpërmendur. Ndërsa ricaktimi i vetes sonë nga të imponuarit në caktues, nga të keqtrajtuar në shpëtimtarë të njeri-tjetrit si pasojë, krijon edhe dëshirat. Gjithashtu na jep vrullin, egërsinë e të jetuarit për njeri-tjetrin për t'i plotësuar dëshirat e secilit aq sa kemi mundësi. Na jep edhe vrullin ta arrijmë këtë motiv nëpërmjet dëshirave që të kemi vetëbesim.

Të dimë për çfarë jetojmë dhe pse i përkasim kësaj fryme të ndriçuar të jetësës, kombit shqiptar. Jo sepse flasim një gjuhë të caktuar, por sepse duam ta heqim nga qafa padrejtësinë tonë dhe ta dëshmojmë që fuqizimi i popullit shqiptar duke u bërë një komb, si pasoje e adhurimit të këtij zotimi, është një hap përparimtar për të gjithë Ballkanin. Që si komb, ky motiv dhe ky vrull të jetë modernizues për kombet e egra sllave që motivin e tyre e kanë fuqizimin nëpërmjet padrejtësisë. Që sadizmi i këtyre të largohet, meqenëse kombi shqiptar i përballon këta gjëra duke u vetëcivilizuar. Dhe dëshirat e përgjithshme madje i përmban edhe vetë motivi, qetësimi, vërtetimi i lirisë së njerëzve, shoqërimi pa maska dhe ndihma e pakushtëzuar për ta arritur këtë motiv. Kështu që vetëdijesimi që ky popull s’është vetëm përkatësi, por katalizator i drejtimit të historisë, mund të funksionojë edhe si prizëm me të cilin mund të vihet në provim përshtatshmëria e politikanëve për t'i shërbyer këtij kombi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat