Çfarë i ka mbetur socialiste PS-së?

Analiza

Çfarë i ka mbetur socialiste PS-së?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 26 shtator 2024 Në ora: 08:52
Xhevat Mustafa

Nga 12 qershori 1991, sipas skenarit “katovician” dhe idesë së Ramiz Alisë në zbatim krijues të direktivës së Leninit “Të gjitha pushtetet në duart e sovjetëve”, për mbetjen në duart e gjase të majtëve të të gjitha pushteteve në Shqipërinë pas komuniste, pluraliste e gjase demokratike, PKSH-PPSH mori emrin e ri apo vuri maskën e re “Partia Socialiste e Shqipërisë”(PSSH)!?

Që gjithçka ishte vetëm një farsë demagogjike e mashtruese, një operacion plastik i sipërfaqshëm e jo rinovim tërësor e rrënjësor, ndihmojnë edhe disa fakte, shumë shprehës në atë kohë e deri më sot. Kështu, PPSH “rilindi” si PSSH, por me të njëjtat mendësi, strategji, ideologji, tradicion, vese, praktika propagandistike, manipulimi, mashtrimi, diversioni...Edhe me të njëjtat anëtarësi, elektorat, leva të organizatave të masave, të organeve mediatike, të industrisë propagandistike të sajesave, thashethemeve, shpifjeve...!?

Është shumë shprehës një informacion i publikuar nga agjencitë e lajmeve Reuter dhe ATSH më 13 qershor 1991, një ditë pas kongresit të PPSH-PSSH, nga i cili kam shkëputur pjesën e mëposhtme: “Partia Komuniste (e Punës) e Shqipërisë e përfundoi kongresin e stuhishëm prej katër ditësh me një emër të ri dhe një udhëheqës të ri, por liberalët(Dritero Agolli, Spiro Dede, e tj) theksojnë se ai nuk mundi të eliminojë trashëgiminë e themeluesit stalinist. Kongresi emëroi ekonomistin liberal 38 vjeçar Fatos Nano si udhëheqësin e ri të mërkurën në darkë dhe zgjodhi një komitet qendror prej 81 anëtarësh me një përzierje liberalësh dhe përkrahësish të vijës së ashpër, pas një debati të gjatë dhe të ashpër. Liberalët në parti shpresonin se kongresi do të bënte një shkëputje të qartë nga 46 vjetët e sundimit autokratik, por theksuan se ata u zhgënjyen mjaft nga shumica e vendimeve dhe përfundimeve të tij...!

Krahas këtyre, PSSH-ja, sidomos gjatë kryetarllëkut të Edi Ramës, pra, gjatë 19 viteve, ka humbur edhe ato “doza të pakta socialiste”, që pati në vitet e para, të kryesimit nga liberali Fatos Nano. Fjala është për demokracinë e brendshme, mendimin ndryshe, debatin, edhe me kundërshtime ndaj kryetarit, deri në media e pa pasur frikën për hakmarrje dhe ndëshkim nga ai, për veprime, vendime, deklarime të tij, që nëpërkëmbin statusin e partisë e të drejtat dhe liritë e brendshme si dhe qytetare të anëtarësisë.

Sot duken si “ përralla nga e kaluara”, mbledhjet e KPD-së së PSSH, më 2001-2005, me debate të forta mes Nanos dhe Ilir Metës me grupin e përkrahësve të tij! Por, edhe 10 vjet më vonë, më 2014-2015 mbledhjet e KPD-së me kundërvënien e hapur ndaj Edi Ramës, brenda forumeve partike e në media të Ben Blushit dhe Mimoza Havizit si dhe të Tom Doshit, përmbyllur ca “demokratikisht” e ca enverisht, me përjashtimin e tyre nga partia...! Pasi shpëtoi nga këta “rebelë” Edi Rama ia hapi vetes rrugën për t’u bërë kryetar i plotfuqishëm, i pakundërshtueshëm dhe i pakritikushëm...

Me fitoret e mandatit të dytë e të tretë si kryeministër e me kulm mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PSSH-së, në Durrës, më 8 shtator 2024, Edi Rama shprehu se ishte dhe ndjehej shumë afër Enverit, në plotpushtetshmëri, autokraci, koalicione, aleanca, frazeologji, hakmarrje, ndëshkime partiake e ligjore ndaj “rebelëve”, që do të kishin “ guximin e çmendur” ta kundërshtonin dhe kritikonin hapur në forume partiake apo në media e rrjete sociale...

Kështu, gjatë 33 viteve të egzistencës së PS-së e sidomos gjatë 19 viteve të kryetarllëkut të Edi Ramës, është shprehur hapur e kuptuar lehtësisht se qysh nga 8 nëntori 1941, ajo ka qenë, është e do të jetë parti internacionaliste, pra më shumë globaliste se sa shqiptare!? Dihet se një nga shtyllat kryesore e dalluese të “piramidave” të partive socialiste të mirëfillta e të vërteta në vendet e Evropës Perëndimore, në Kanada, SHBA, e në vendet kapitaliste të Lindjes së Largët..., është politika sociale, jo thjeshtë si slogan e premtim propagandistik në beteja elektorale, por si strategji, programe dhe masa konkrete, të zbatuara e të përjetuara...!

Pikërisht politika sociale reale dhe funksionale është një nga mungesat më të mëdha e jetësore të gjase PS-së shqiptare. Për këtë ndihmojnë tregues të shumtë, si nivelet e ultë të pagave, pensioneve, të pagesave të mbështetjes sociale, për invaliditet, për lindjen dhe rritjen e fëmijëve...

Gjatë këtyre viteve nga Rama-qeveritë është premtuar shumë, por në të vërtetë këto janë rritur si me hapat e breshkave apo të kërmijve.

Mund të sillen për argumentim edhe masa të tjera nga politikat sociale që zbatohen në vende të Perëndimit Kapitalist, sidomos shumat e ndjeshme financiare dhe paketat e bollshme mujore ushqimore, rimbursimi i një liste të gjerë ilaçesh shëndetësore për qytetarët me sëmundje kronike, si dhe për pensionistët, për të ndihmuar individët dhe familjet në periudha të gjata PAPUNËSIE, me të ardhura minimale apo të ulëta e me më shumë fëmijë në moshë shkollore. Mjafton t’i referohemi Gjermanisë.

Në këtë vend pagesa minimale për një orë pune është rreth 12.5-13 euro. Nëse e bëjmë llogarinë për një ditë 8 orëshe pune, shkon në rreth 100 euro ose sa një pension mujor minimal i një pensionisti në Shqipëri, edhe në mes shtator 2024, pas 11 viteve të Rama-qeverisjes!?

Çdo fëmijë, nga dita e parë e lindjes deri sa bëhet 18 vjeç, në Gjermani paguhet me 260 euro në muaj. Kjo shumë është sa një pagë minimale ose rreth 30% më shumë se një pension mesatar në Shqipërinë e Rama-rilindjes!? Për më keq, Shqipërisë së sotme, me 112 vjet shtet ia ka kaluar edhe Kosova me 25 vjet shtet. Qeveria e Albin Kurtit u jep prindërve me nga dy fëmijë një pagesë mujore në 20 euro për secilin.

Ndërsa për prindërit me 3 fëmijë pagesa është 30 euro për secilin! Ndërsa në Shqipëri, pas pagesës për lindje, prindërit nuk marrin asnjë lek për fëmijët nga 0-18 vjeç. Po kështu “shëndetësia falas” në Shqipëri prej shumë vitesh është bërë një slogan bajat, qesharak, revoltues...!

Kjo, sepse pagesat nën dorë e në xhepa për mjekë e infermiere nëpër spitalet publike e shtetërore në Shqipëri janë “ligje, rregulla, praktika” të pashkruara në letra të bardha, por të detyrueshme nëqoftëse nuk pranon t’i dorëzohesh vdekjes ...?

Le të kalojmë në fushën e strehimit. Tek ne familjet me të ardhura të ulëta e me shumë frymë nuk ndihmohen nga shteti apo buxheti qeveritar për të përballuar shumat e qirave të larta e me tendencë ngritjeje të pandalshme, që në qytetet e mëdha, u hanë familjeve rreth gjysmën e të ardhurave mujore.

Ndërsa në vendet e Perëndimit, me politika sociale të vërteta, konkrete, të përjetueshme, familjet me të ardhura mujore të ulëta, edhe më shumë në periudha papunësie të zgjatur si dhe shkollimi profesional 1-3 vjeçar, ndihmohen apo paguhen çdo muaj nga komunat apo bashkitë përkatëse me shuma të ndjeshme në euro, franga, paund, dollarë...për t’ua lehtësuar barrën e përgjithshme të jetesës.

Sidomos nga viti i mbrapshtë dhe gjëmasjellës me duar shqiptarësh 1997, PS humbi ndjeshëm në atë pak karakter dhe identitet socialist që i kishte mbetur!? Jo vetëm nga synimet dhe interesat politike, të mbajtjes sa më gjatë e me çdo rrugë e mënyrë të pushtetit, ajo lejoi apo pranoi edhe ortakërinë me mafian shqiptare, italiane, ballkanike, turke, ruse, amerikano-latine...të trafiqeve të drograve, qenieve njerëzore, armëve, ndërtimit, tregtisë së artikujve ushqimorë, farmaceutikë, higjeno-sanitarë, të automjeteve...!?

Përfitimet shumë të larta nga këto biznese antiligjore kanë shkuar në shumicë absolute në xhepat, kasafortat, depozitat bankare, pronësi individuale e familjare...të kryetarëve të partisë e të disa ministrave si dhe të bosëve të bandave kriminale e të trafiqeve të jashtëligjshme e jo për rritjen e ndjeshme të mirëqenies së shumicës së popullit në Shqipëri. nënkuptueshëm, jo edhe të shumicës së anëtarëve dhe votuesve militantë fanatikë, “të përjetshëm” e të “verbër” të “Partisë Socialiste”.

Për të përforcuar bindjen se politika sociale në Shqipëri është thjeshtë një slogan ndihmon edhe kjo ngjarje e përjetuar me një mikun tim, rreth 80 vjeçar, ardhur pas 8 muajsh në Shqipëri, sepse u bllokua për rreth 5 muaj nga një krizë akute e zemrës.

Shkuam bashkë për të bërë pagesat e internetit si familje dhe të telefonave celularë për atë dhe bashkëshorten e tij, gjithashtu pensioniste. Edhe pse i kishte njoftuar me sms menjëherë pas shtyrjes së kthimit deri nga fundi i muajit gusht 2024 e kishte marrë konfirmim prej tyre, në njësitë e pagesave të Digicom dhe ONE, iu kërkua të paguante lek më lek e të plotë për çdo muaj, domethënë për rreth 6 muaj, pa i pasur fare në punë si internetin ashtu edhe celularët.

Duke e ditur se vajzat arkëtare zbatonin vetëm çka kishin të shkruar në tekstet e kontratave mu desh t’u kujtoja se përveç se mbeti në Amerikë për një sëmundje të rëndë të parashikueshme, është edhe ish ushtarak i lartë në pension, se në SHBA e në vende të Evropës Perëndimore pensionistët në përgjithësi e ata ushtarakë në veçanti, me gradat më lart e më poshtë se të mikut tim, gëzojnë pensione shumëfish më të larta, lehtësira e favorizime të shumta deri në fund të jetës.

Qenë të kota edhe lotët e mikut tim të sëmurë, edhe sqarimet e mia dhe interesimi i arkëtareve në qendrat e tyre për ta trajtuar këtë rast si një përjashtim! Në fund, u dorëzua e pagoi, edhe për periudhën që nuk kishte qenë në Shqipëri. Bindjen që Edi Rama e ka në xhep apo e ka vënë nën këmbët e tija të gjata PS-në e përforcon edhe ideja e tij absurde dhe autoritariste e “Shtetit bektashian” në mes të Tiranës, pa pyetur për PS, Kushtetutë, Gjykatë Kushtetuese, Parlament...!?

Ai bën sikur harron se ky do të jetë shteti i vetëm rreth 100 mijë bektashinjve dhe se Vatikani në mes të Romës, të cilit i referohet si model, përfaqëson rreth 1 miliard e 385 milionë katolikë nga gjithë bota. Pas kësaj analize me bollëk faktesh dhe argumentesh, shumëkush ka plot arsye dhe të drejtë të mendojë dhe thotë, si në rrëfimin e përrallave: na ishte një herë në Shqipëri një “parti socialiste”!

Shumëkush edhe mund të pyesë: çfarë emri mbetet të ketë PSSH? Me një dozë të fortë subjektivizmi e humori përgjigjia mund të ishte: ndoshta “Partia Edramiste”! Ose: “Rama Partia”!

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat