Qeveria aktuale e Kosovës dhe sfidat diplomatike në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë

Analiza

Qeveria aktuale e Kosovës dhe sfidat diplomatike në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë

Nga: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA, New york SHba Më: 10 nëntor 2024 Në ora: 17:54
Autori Prof. Dr. Fejzulla Berisha

Gjatë mandatit të kryeministrit Albin Kurti, qeveria e Kosovës ka përballur një sërë sfidash diplomatike, të cilat kanë ndikuar në marrëdhëniet me aleatët kryesorë si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Vendimet politike dhe diplomacia e qeverisë Kurti, shpesh të karakterizuara nga qasje dekorative dhe deklarative, kanë nxjerrë në pah tensione që mund të kenë pasoja afatgjata për pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për përpjekjet e saj për njohje dhe integrim. 

Kosova ka pasur një partneritet të fortë me SHBA-në, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në pavarësinë dhe zhvillimin e Kosovës si shtet. Gjatë mandatit të Albin Kurtit, disa vendime kanë shkaktuar tensione në këtë marrëdhënie. Një rast i tillë ka qenë vendosja e tarifave ndaj mallrave serbe në vitin 2020, e cila synonte të frenonte dominimin ekonomik të Serbisë në Kosovë. Megjithatë, ky veprim u kritikua nga administrata Trump, përmes të dërguarit Richard Grenell, i cili e konsideroi këtë masë si pengesë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi. Ky moment ilustron përplasjen mes përpjekjeve të Kosovës për pavarësi ekonomike dhe prioriteteve të SHBA-së për stabilitet rajonal. 

Një tjetër rast tensioni ka qenë ndërhyrja në komunat veriore të Kosovës në vitin 2023, ku vendimi për të dërguar forca speciale të Policisë në zonat me shumicë serbe, pa koordinim me NATO-n dhe SHBA-në, është parë si sfidues për stabilitetin rajonal. Ky veprim çoi në pezullimin e trajnimeve ushtarake të SHBA-së për Kosovën, duke sinjalizuar përkeqësimin e marrëdhënieve. 

Marrëdhëniet me Bashkimin Evropian Pavarësisht mbështetjes së BE-së për integrimin e Kosovës, ka pasur përplasje mes qeverisë Kurti dhe institucioneve të BE-së lidhur me çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në vitin 2023, BE-ja kërkoi zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013 që parashikonte krijimin e këtij asociacioni, si pjesë e një procesi të vazhdueshëm të dialogut me Serbinë. Qeveria e Kosovës refuzoi këtë kërkesë, duke theksuar se ky asociacion mund të rrezikonte sovranitetin e vendit. Ky qëndrim ka krijuar tensione dhe ka ngadalësuar procesin e liberalizimit të vizave dhe afrimin e Kosovës me BE-në, megjithëse ky proces u fuqizua dhe u bë funksional më 1 janar 2024. 

Një tjetër aspekt kritik që ka ndikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare është retorika e ashpër e disa zyrtarëve të qeverisë, përfshirë vetë kryeministrin Kurti. Shpesh, Kurti ka shprehur kritika të forta ndaj diplomacisë ndërkombëtare dhe ka akuzuar BE-në dhe SHBA-në për ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Kjo qasje ka krijuar përshtypjen se qeveria është e papërgatitur për të bërë kompromis dhe ka dërguar sinjale të pafavorshme tek aleatët. 

Këto qëndrime kanë përkeqësuar imazhin e Kosovës, duke e bërë më të vështirë për vendin të gjejë mbështetje për përpjekjet e tij ndërkombëtare. Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, ka shprehur se beson se raportet e kryeministrit Albin Kurti me administratën Trump do të ndikohen nga marrëdhëniet e tij të mëparshme me Richard Grenell gjatë mandatit të parë të Trump. Ai theksoi se Kurti do të kujtojë mënyrën se si u rrëzua Qeveria Kurti 1 dhe presionin që iu bë, por sipas tij, ky fakt do të rikujtohet edhe nga zyrtarët e administratës Trump. Joseph u shpreh: “A besoj unë se raportet e kryeministrit Kurti me administratën Trump do të ndikohen nga raportet e kaluara të tij me Richard Grenell, gjatë mandatit të parë të Trump? Po, përgjigja e qartë është po, e besoj.” Përçarjet diplomatike me aleatët kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përfshirë INTERPOL-in dhe UNESCO-n. Në vitet 2022 dhe 2023, Kosova dështoi të siguronte votat e nevojshme për anëtarësim në këto organizata, pjesërisht për shkak të mbështetjes së kufizuar ndërkombëtare dhe përçarjeve diplomatike.

Lidhur me këtë, duhet theksuar se mospranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, shkaktari kryesor ka qenë mungesa e koordinimit të qeverisë me titullarët në të drejtën e brendshëm dhe aleatët kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës.

Anëtarësimi në organizata të tilla është kritik për Kosovën, pasi do të ndihmonte në njohjen e mëtejshme ndërkombëtare dhe do të forconte pozicionin e saj në skenën globale. Rastet e përmendura tregojnë se qeveria Kurti ka përballur dhe mund të përballet me sfida të mëdha në ruajtjen e marrëdhënieve diplomatike të forta, të cilat janë thelbësore për qëllimet e Kosovës për njohje dhe integrim ndërkombëtar. Nëse ndodhin dhe pritet të ndodhin ndryshime në politikën amerikane me president Trump, qeveria mund të ketë nevojë për një qasje më fleksibile dhe bashkëpunuese për të siguruar mbështetje nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë në ruajtjen e interesave strategjike të vendit. Këto sfida kërkojnë një diplomaci të kujdesshme për të balancuar kërkesat e brendshme me interesat e partnerëve ndërkombëtarë, në mënyrë që të mos rrezikohet mbështetja e nevojshme për të ardhmen e Kosovës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat