Profesionisti i negociatave klasifikon planet kontroverse të Trumpit, për luftën në Ukrainë

Analiza

Profesionisti i negociatave klasifikon planet kontroverse të Trumpit, për luftën në Ukrainë

Nga: Thorsten Hofmann Më: 6 dhjetor 2024 Në ora: 12:45
Thorsten Hofmann

Donald Trump dëshiron të rinegociojë mbi luftën e Ukrainës - shpejt, pragmatikisht dhe ndryshe nga Biden dhe Scholz. Por a ofron qasja e tij mundësi reale, apo rrit konfliktet? Profesionisti i negociatave Thorsten Hofmann shpjegon strategjinë e Trumpit dhe tregon pasojat e mundshme.

Donald Trump po përgatitet të drejtojë edhe një herë fatin e SHBA-së – dhe bashkë me to edhe rrjedhën e luftës në Ukrainë. Me fokusin e tij në rezultatet e shpejta dhe angazhimet minimale ndaj SHBA-së, ai po ndjek një strategji pragmatike, apo mund të jetë një tentim kontrovers.

Në thelbin e tij, ai është i shqetësuar për arritjen e paqes dhe reduktimin e barrës mbi Shtetet e Bashkuara, duke forcuar reputacionin e tij si një negociator efektiv. Por si mund të duket qasja e tij dhe cilat janë konsideratat pas saj?

Koncesionet territoriale

Qasja e Trump bazohet që Ukraina të bëjë lëshime të rëndësishme. Kjo përfshin, heqjen dorë nga territoret e pushtuara si, Krimea ose pjesë të Donetskut dhe Luhanskut ndaj Rusisë. Në këmbim, Ukraina mund të marrë garanci sigurie pa u anëtarësuar në NATO - një kërkesë kryesore e Rusisë. Kjo do të reduktonte tensionet dhe mund të mundësonte një zgjidhje të negociuar që Donald Trump mund ta paraqesë si një sukses.

Një aspekt tjetër i strategjisë së tij është përdorimi i synuar i presionit. Trump mund të ndalojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, në mënyrë që ta sjellë atë në tryezën e negociatave. Në të njëjtën kohë, ai mund të bëjë presion ndaj Rusisë, për të bashkëpunuar përmes masave të shtuara diplomatike dhe ekonomike. Kjo qasje, një kombinim i "karotës dhe shkopit", synon të inkurajojë të dyja palët për kompromis.

Përveç kësaj, Trump planifikon të transferojë më shumë përgjegjësi në Evropë. Propozime të tilla si vendosja e trupave evropiane në një zonë të çmilitarizuar në Ukrainë, mund të shërbejnë për të reduktuar rolin e drejtpërdrejtë të SHBA-së, duke mbrojtur interesat e sigurisë të Ukrainës. Përfshirja e një të dërguari special me përvojë si gjenerali Keith Kellogg për të moderuar negociatat, nënvizon synimin e Trump për të profesionalizuar negociatat dhe për t'i avancuar ato në mënyrë efektive.

Realpolitika me rreziqe

Qasja e Trump pasqyron një politikë reale që largohet nga parimet idealiste dhe në vend të kësaj fokusohet në zgjidhje pragmatike. Në thelb, strategjia e tij bazohet në konsideratat e mëposhtme:

1. Minimizimi i kostos:  Trump dëshiron të reduktojë angazhimet ushtarake dhe financiare të SHBA, në konfliktet ndërkombëtare. Mesazhi i tij për aleatët është i qartë: “Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi”.

2. Rezultate të shpejta:  Në vend që të angazhohet në negociata të gjata, Trump preferon "marrëveshjet", që sigurojnë stabilitet afatshkurtër dhe e lejojnë atë të paraqitet si fitues, edhe nëse ato paraqesin rreziqe afatgjata.

3. Suksesi politik i brendshëm:  Një përfundim i luftës në Ukrainë do ta portretizonte Trumpin në SHBA si një negociator dhe marrëveshjesh të aftë dhe do të forconte pozicionin e tij politik.

Megjithatë, një faktor vendimtar në konsideratat e Trump është ambicia e tij personale. Trump jo vetëm që dëshiron të arrijë paqen, por mbi të gjitha të fitojë - politikisht dhe simbolikisht. Nëse strategjia e ndjekur deri më tani nga qeveria Biden dhe aleatët e saj, veçanërisht Gjermania, i paraqitet atij si "strategjia Biden-Scholz" e dështuar, kjo mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në veprimet e tij.

Trump gjithmonë e ka paraqitur veten si antitezë e paraardhësve të tij. Ai ka të ngjarë të refuzojë me vetëdije një strategji që ai e percepton si një "qasje humbës", në mënyrë që të pozicionohet si ai që do ta zgjidhë problemin në një mënyrë krejtësisht të re.

Megjithatë, kjo dëshirë për t'u distancuar nga e kaluara mbart rreziqe.

1.Paqëndrueshmëria afatgjatë:  Një kompromis që legjitimon përfitimet territoriale të Rusisë, mund të interpretohet si dobësi e Perëndimit dhe të inkurajojë agresion të mëtejshëm. Ukraina gjithashtu mund të ndihet e tjetërsuar nga SHBA dhe NATO.

2.Rezistenca nga partnerët ndërkombëtarë:  Aleatët evropianë dhe NATO mund të kritikojnë një strategji që mbështetet në lëshimet territoriale. Besueshmëria e SHBA-së si fuqi mbrojtëse, mund të dëmtohet.

3.Forcimi i Rusisë:  Një "paqe" e detyruar mund të perceptohet si një fitore diplomatike për Rusinë dhe të nxisë më tej ambiciet e saj gjeopolitike.

Pasojat afatgjata

Megjithatë, qasja pragmatike e Trump mund të ketë një avantazh vendimtar: ajo thyen bllokimin që ekziston prej muajsh. Duke adoptuar narrativën e strategjisë së dështuar të paraardhësve të tij dhe në të njëjtën kohë duke paraqitur zgjidhje alternative, ai mund të sillte lëvizje në konflikt.

Megjithatë, nëse kjo lëvizje do të çojë në një paqe të qëndrueshme, apo do të nxisë më tej konfliktin, mbetet e pasigurt. E vetmja gjë që është e sigurt është se Trump do ta projektojë qasjen e tij në atë mënyrë që ai përfundimisht të dalë si fitues - në sytë e votuesve të tij dhe të botës.

Rreth Thorsten Hofmann

Thorsten Hofmann drejton  Qendrën për Negocim C4  në Universitetin Quadriga të Berlinit dhe është autor i bestsellerit të negociatave ndërkombëtare  Parimi i FBI-së . Ai punoi për shumë vite si hetues operativ për Zyrën Federale të Policisë Kriminale dhe Interpol dhe është gjithashtu i diplomuar në Akademinë Federale për Politikat e Sigurisë. Hofmann punoi në fushën e krimit të organizuar, veçanërisht në rastet e shantazhit dhe marrjes së pengjeve. Sot ai këshillon kompanitë, shoqatat dhe politikën./Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat