“Rastësi” apo “harresë”...?

Analiza

“Rastësi” apo “harresë”...?

Xhevat Mustafa Nga Xhevat Mustafa Më 3 mars 2025 Në ora: 08:47
Vjosa Osmani dhe Edi Rama

Ditën e dielë, më 2 mars 2025, edhe pse ditë pushimi, sidomos për një grua familjare dhe për një PRESIDENTE me veprimtari intensive zyrtare e shtetërore, brenda e jashtë vendit, Presidentja e Kosovës, Znj. Vjosa Osmani erdhi në Lezhë për të përkujtuar 581 vjetorin e BESELIDHJES KOMBËTARE SHQIPTARE apo të Kuvendit të Lezhës! Së bashku me atë në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe autoritete e përfaqësues të bashkesive shqiptare nga Mali i Zi, RMV, Presheva, nga komunat arbëreshe në Itali, nga shqiptarët në Zvicër, e tj.

Konkretisht, kishin ardhur edhe kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti; Kryetari i Bashkisë së Komunës së Ulqinit në Malin e Zi, Genci Nimanbegu; Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e tj...Ata u pritën dhe u nderuan nga Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dhe nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, e tj. Në kuadër të kësaj dite historike u përurua edhe shtatorja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu!

Po këtë ditë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shkoi në Athinë, me një karvan ministrash e ministreshash e këta me nga një tufë apo me nga një autobuz vartësish e vartësesh, për një biçim, copë, farsë, sfilatë..."Panair Pune", nga i cli fituesit më të mëdhenj janë e do të jenë ca oligarkë, “investitorë strategjikë” si dhe më shumë Greqia se sa Shqipëria...!?

Njëherazi lehtë kuptohet edhe një tjetër arsye e pashprehur dhe e fshehur! Kryeministri Edi Rama ka shkuar në këtë panair, organizuar në kryeqytetin helen edhe si dopio kryetar, i kryesisë dhe i qeverisë së PS-së, për një qese me vota për 11 majin 2025 e për mandatin e katërt, i cili me sa duket do t'i ngecë para kohe në fyt e për një periudhë të gjatë...?

Shumëkujt mund t'i lindë e shpërthejë pyetja: vallë, prej 1001 halleve të këtyre muajve, që ia kanë bërë përshesh trutë, kryeministri e ka harruar përvjetorin e ngjarjes historike e kombëtare të BESELIDHJES SHQIPTARE të Lezhës...?!

E pra, po ky kryeministër pati kujtesë të fortë e kohë të bollshme për të qenë i pranishëm më 27 tetor 2023 në Derviçan të Dropullit në ceremoninë e përurimit të bustit të ish kryeministrit të Greqisë Konstandinos Mitsotakis, babai i kryeministrit në detyrë Kyriakos Mitsotakis..., në kulmin e "sherrit" mes dy shteteve për Marrëveshjen e Detit Jon, për kufirin detar 6 apo 12 milje e për copat naftëmbajtëse...!?

Po, ky Edi Rama pati e gjeti kohë të lirë t'i japë mend edhe presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky se si të përjetojë sa më lehtë rrjedhojat e qëndrimit e të sjelljes së tij të gabuar gjatë takimin me presidentin e SHBA- së Donald Trump dhe zv.presidentin JD Vance, bashkautorë e bashkëfajtorë thuajse të barabartë me atë për atë skandal diplomatik e publik unikal, që, pa apo me dashje e strategji çoi ujë në mullirin dhe lumturi në zemrat e Putinit, Medvedevit, Lavrovit, Lukashenkos, Kim Jong un-it...!

Në shumicën e rreth 50 fotografive gjatë kësaj veprimtarie në Lezhë Presidentja Vjosa Osmani duket e shoqëruar nga kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu.

Atij i takonte si “i zoti i shtëpisë”, por pa e nënvleftësuar aspak, për nga protokolli presidentja e Kosovës meritonte të kishte përbri homologun e saj të Shqipërisë ose, në pamundësi të tij, një shtetar pak më të ulët se ai, për më tepër, me një ministër, konkretisht me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja...!?

Por, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, ndoshta për axhenda më të hershme e më të rëndësishme zyrtare e familjare, e patën të pamundur të merrnin pjesë fizikisht dhe institucionalisht në veprimtarinë e 581 vjetorit të Kuvendit të Lezhës e të përurimit të shtatores së re për Skënderbeun! Ata e përkujtuan këtë ngjarje historike me nga një mesazh të shkruar, përcjellë në facebook e prej andej në mediat kryesore.

Nga sa u pa nga Lezha dhe Athina, mund të nxirret lehtësisht mesazhi: Kosova e përjeton me dhimbje se edhe pas 581 vitesh jemi larg atij bashkimi kombëtar, që u arrit në BESELIDHJEN e Lezhës! Prandaj, për ta përkujtuar dhe përtërirë, dërgoi shtetaren më të lartë!

Ndërsa për pushtetarët e lartë të Shqipërisë së këtyre mbi 11 viteve janë parësorë "Ballkani i hapur"; një qese apo thes me "vota të blera" për “mandatin e katërt”; një Panair Pune nga 120 kompani shqiptaro- greke; një kampionat futbolli evropian për moshat nën 21 vjeç me organizim shqiptaro- serb.

Apo, drejtësia ose padrejtësia e vendimit të SPAK- GJKKO e paraburgimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, me dhjetëra kg dosje korrupsioni..., edhe për inceneratorë në mendje apo në letra, si projekte për t'u ndërtuar në kalendat greke.

Duke e përmbyllur: sido e sado të përpiqen zyrat e shtypit të presidencës, parlamentit dhe kryeministrisë apo këta personalitete vetë për ta justifikuar mungesën e tyre fizike në këtë veprimtari, përsëri çdo përpjekje e tyre nuk mund ta mbulojë me çdo lloj gjetheje, qoftë edhe me përmasa të mëdha, lakuriqësinë e nënvleftësimit, papërgjegjshmërisë e të skandalit...!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat