Zbukurimi i mureve që ua ngulim sytë gjatë pandemisë

Art

Zbukurimi i mureve që ua ngulim sytë gjatë pandemisë

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 08:02
Pamje nga një galeri artesh në Moskë

Nëse keni qenë duke shikuar ekspertët dhe komentuesit duke u shfaqur në televizion nga shtëpitë e tyre, vëmendja e tyre e shtuar në dekor mund të ju duket e natyrshme tani.

Në ditët e para të izolimit, si pasojë e pandemisë, ata janë ulur përpara mureve të bardha, derisa tani shtëpitë e tyre janë mbushura me vepra arti.

Themeluesit e llogarisë Room Rater besojnë se arti as që ka qenë në mendjen e njerëzve në prill të vitit të kaluar, kur ka shpërthyer pandemia.

Kjo faqe vlerëson paraqitjet e folësve nga shtëpitë, duke analizuar detajet si ndriçimi dhe niveli i kamerës.

Arti ndihmon në shtim të pikëve.

Për shembull kolumnisti i të përditshmes amerikane Washington Post Eugene Robinson, ka fituar 10 pikë, sa janë në total, për paraqitjen e tij në programin Morning Joe, duke dalë përpara punës artistike të gruas së tij Avis Robison.

Kjo lë të kuptohet se shumë amerikanë, të cilët janë të izoluar dhe shohin shumë muret e tyre, kanë konsideruar që pandemia është arsye e fortë për të zbukuruar hapësirat e shtëpisë.

Kompania e shitjeve online Etsy, ka konfirmuar këtë trend.

Duke krahasuar periudhën mars-dhjetor 2020, me periudhën e njëjtë të vitit 2019, Etsy ka raportuar:

  • rritje 95 për qind të kërkimeve për vepra arti të mureve
  • rritje për 80 për qind të kërkimeve për xham me dizajn apo mbulesa muri
  • rritje për 46 për qind për skulptura

Megjithatë kjo kompani nuk ka bërë të ditura shifrat e shitjeve aktuale.

Mund të supozohet se disa prej këtyre kërkimeve kanë mbetur vetëm ëndrra pa u shndërruar kurrë në blerje.

Programi i përpunimit të të dhënave Adobe Analytics, bën vëzhgim të blerjeve online dhe shifrat duket se janë edhe më dramatike, pasi shitjet mesatare ditore të “veprave të artit”, që përfshijnë skulpturat, vepra arti dhe korniza, janë rritur për 134 për qind në krahasim me periudhën para pandemisë.

Kur janë krahasuar muajt shtator dhe tetor të vitit 2019, me dy muajt e njëjtë të vitit 2020, mesatarja e shitjeve online brenda ditës është rritur 100 për qind.

Të dhënat e Adobe përfshijnë 80 nga 100 kompanitë që shesin produktet e tyre online në Shtetet e Bashkuara.

Atiba T. Edwards ka një kombinim përvojash të duhura për të sqaruar se çfarë është duke ndodhur.

Ai ka punuar në bankë për shumë vjet dhe po ashtu është bashkëthemelues i qendrës artistike joprofitabile FOKUS, e cila ofron edukim mbi artin, organizon ngjarje artistike dhe publikon një revistë online.

Edwards ka vërejtur se shumë njerëz, që kanë vazhduar të punojnë gjatë izolimit, papritur nuk kanë shpenzuar para në udhëtime, nuk kanë dalë në restorante, nuk kanë shkuar në kinema dhe nuk kanë paguar për dado.

Ata kanë qenë në shtëpi më shumë se kurrë më parë, andaj kanë investuar të ardhurat e tyre në art.

Ai është vetë shembull i një realiteti të tillë.

Atij i pëlqen dhe e vlerëson artin, mirëpo në kohëra para pandemisë, ai ka lënë apartamentin e tij në Brooklyn herët në mëngjes dhe është kthyer shumë vonë.

Ai tani punon më shumë në shtëpi dhe i mungon prania e artit në ambient të punës apo kudo tjetër.

“Kam varur në mur gjashtë piktura në tre muajt e fundit”.

“Njerëzit janë duke parë përfitimet e të rrethuarit nga bukuria”.

Ai ka punuar me qindra artistë si drejtor ekzekutiv i qendrës FOKUS, duke tentuar të krijojë përvoja arti në hapësira jotradicionale.

Ai beson se organizimet tradicionale të artit dhe përvoja nëpër galeri mund të krijojnë siklet për ata që mendojnë se nuk i përkasin kësaj fushe, ndërkohë që alegoritmat në rrjetet sociale mund t’iu ofrojnë të gjithëve vepra arti pa presion të blerjes së tyre.

“Dikush mund të shikojë artin nga shtëpia dhe të mos ketë ndjenjën se është i padëshiruar”, ka thënë ai.

Shkalla e lartë e papunësisë, që është shkaktuar po ashtu nga pandemia, nënkupton se shumë njerëz nuk kanë para të mjaftueshme për të blerë vepra arti.

Mirëpo për ata që punojnë, këto blerje mund të jenë edhe përpjekje për t’iu ndihmuar të tjerëve.

“Ka pasur njerëz që janë interesuar të blejnë vepra arti për të ruajtur ekzistencën e galerisë sime”, ka thënë Eden Stein, pronare e galerisë Secession Art and Design në San Francisko, që shet punën e rreth 70 kreatorëve.

“Këto para, jo vetëm që mbështesin familjen time, ato mbështesin edhe artistët dhe komunitetet e tyre”.

Stein ka thënë se shitjet e veprave të artit gjatë pandemisë kanë qenë sikurse festat për martesë, pasi është lidhur me klientë dhe miq nga gjithë historia 13-vjeçare e galerisë.

Zakonisht ajo ka organizuar dy ose tri takime brenda muajit.

Mirëpo vitin e kaluar, ajo ka biseduar me shumë blerës potencialë përmes telefonit apo ka planifikuar vizitat paraprakisht me termine.

“Ky vit ka qenë njëmend shumë personal”, ka thënë Stein.

“Nëse nuk mund të përqafoni njerëzit, shitja e një copëze arti ju bën të ndjeheni ngjashëm”./REL

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat