Ekspozita virtuale me pikturat e Vincent Van Gogut

Art

Ekspozita virtuale me pikturat e Vincent Van Gogut

Më: 14 gusht 2021 Në ora: 21:21
Ekspozita me pikturat e Vincent Van Gogut

Vincent Van Gogu është një nga piktorët më të famshëm në botë të shekullit 19-të, i njohur për punimet e tij të jashtëzakonshme e me ngjyra të gjalla. Tashmë kopje të veprave të tij të artit, në projeksione gjigante, mund të shihen përmes teknologjisë dixhitale në dy ekspozita që shfaqen në vende të ndryshme të botës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Deborah Block na çon në njërën prej tyre, në Uashington.

Përvoja dixhitale me pikturat e Van Gogut që shfaqen në 360 gradë, po mahnit vizitorët, me imazhe që lëvizin falë një teknologjie më të avancuar 3D.

Mario Iacampo është president dhe drejtor i Marketingut të kësaj ekspozite.

"Ne e marrim artin dhe e perfeksionojmë atë në mënyrë dixhitale. Më pas elementë të veçantë brenda tij i sjellim në jetë, por gjithmonë duke respektuar përmbajtjen e tij pa e ndryshuar atë”.

Vizitorja Christina McGee ka kënaqësinë të dëgjojë muzikë ndërsa sheh imazhet të rrjedhin mes tyre.

"Ajo që ishte vërtet ndryshe ishte dyshemeja, të dukej sikur ishe brenda pikturës", thotë ajo.

Projeksionet dixhitale shfaqin piktura në dimensione të mëdha me subjektet e preferuara të Van Gogut, si lulet, peisazhet natyrore e madje autoportretet.

"Ai është si një yll roku. Nuk kopjonte askënd. Ai nuk filloi një lëvizje. Brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore ai krijoi artin si dhe stilin e tij", thotë zoti Iacampo.

Sot pikturat e Van Gogut vlejnë me miliona dollarë.

Megjithatë, gjatë kohës ku ishte gjallë ai nuk u konsiderua një artist i madh dhe arriti të shiste vetëm disa piktura, e shumë lirë.

"Ai nuk shihej si i rëndësishëm nga kolegët e tij, ishte i izoluar prej tyre. Stili i tij nuk përputhej me atë që po ndodhte gjatë asaj epoke".

Van Gogu ishte i varfër dhe bëri një jetë të trazuar. Ai vuante nga sëmundje mendore dhe mbahet mend për prerjen e veshit. Pasioni i tij per pikturën nisi kur ishte 28 vjeç. Ai ishte një artist shumë krijues derisa vdiq në moshën 37 vjeçare, nga një plagë e shkaktuar me armë zjarri.

"Mbi 900 piktura në nëntë vjet, që është një numër i jashtëzakonshëm. Po kështu mbi 100 vizatime e skica", thotë Iacampo.

Çuditërisht Van Gogu kishte probleme me dallimin e ngjyrave.

"Ai nuk i shihte të gjitha ngjyrat sikurse ne dhe njerëzit mendonin se kjo ishte arsyeja se pse ato ishin kaq shumë të gjalla në punimet e tij, sepse kur ai shihte të verdhën, pikturonte portokalli. Kur shihte blunë, ai e shihte atë të gjallë”.

Në ekspozitë ka piktura të njohura si "Nata e shndritshme" dhe seritë e tij me subjekt lulediellin.

"Ato janë pikturuar gjatë disa ditëve. Ai pikturonte çdo ditë sepse kjo ishte gjithçka kishte”.

Vizitori Anthony Tagliaferro thotë se këto veprat artistike i sjellin ndër mend kujtime të bukura me nënën e tij, e cila i adhuronte pikturat e Van Gogut.

“Përpara se të sëmurej dhe të ndërronte jetë, ajo pikturonte shumë luledielli. Ishte një nga gjërat e saj të preferuara. Ka disa shembuj në pjesën e parë të galerisë dhe kur i pashë m’u mbushën sytë me lotë".

Një tjetër vizitor, Mike Tosto, thotë se po i shijon pikturat e Van Gogut që vijnë në një formë të re.

"Arrin të shquash lëvizjet, daljen nga linjat dhe format e pikturës", thotë ai.

Zoti Iacampo thotë se ekspozita është si një muze virtual që i bën homazh Van Gogut, pikturat e të cilit nuk u shfaqën gjatë kohës që ai ishte gjallë.

"Ajo që do të doja që njerëzit të ndiejnë është që të dinë më shumë për artistin, dhe ndoshta të shkojnë në shtëpi apo në një ekspozitë, e të shohin artin e vërtetë, pikturat e vërteta"./VOA

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat