Porosi malesh: Ai nuk do të vdes kurrë!

Art

Porosi malesh: Ai nuk do të vdes kurrë!

Nga: Bajram Sefaj Më: 25 shtator 2021 Në ora: 09:27
Gjelosh Gjokaj

Jo vetëm Mileshi , por gjithë fshatrat e Malësisë (“Tuzi ndodhet në veriperëndim të Liqenit të Shkodrës, 10 km nga Podgorica, dhe 130 km nga Tirana. Komuna urbane e Tuzit përfshin fshatrat Arrëz, Bardhaj, Bënkaj, Budëz, Camaj, Cemi, Delaj, Dinosha, Dresha, Gurreci, Helmnica, Koja, Kodërbudani, Ksheva, Llofka, Lekaj, Mileshi i Ulët, Muzheçku, Nabomi, Nënhelmi, Nikmarrashi, Omerbozhaj, Pankali, Pikala, Prifti, Rudina, Selishta, Skorraqi, Spija, Stjepohu, Sukruqi, Shipçaniku, Shtëpia e Rakiqëve, Traboini, Trieshi, Tuzi, Vllana, Vrana”, por, sikur edhe fushat e gjëra, malet e larta, kodra e kodrina..., sikur gur e dru bashkë me liqenin e Shkodrës vetë..., në ditën e parë të këtij muaji (1 tetor), e lanë një porosi: të shënohet ndonjë fjalë më shumë për një nga këto fshatra, pikërisht për fshatin Milesh të Tuzit. Pse pikërisht për këtë fshat e jo për ndonjë tjetër, kur të gjithë si një kanë emta të bukur me nga një simfoni shkrepash, brenda tyre. (Shqiptoju emrat edhe një herë e provo t’i mbash në mëndë, kushtoju nga një poezi, këndoju një këngë!).                                                  

Atë ditë në fshat, në fshatin Milesh, në fshatin e lindjes, për herë të fundit aty u kthye biri i tij më i shtrenjtë dhe më i njohur nga kjo anë, Gjelosh Gjokaj,  djalë i këtij katundi të vocërr, si të harruar, atje midis shkrepash e kodrinash, ia qiti zërin e bardhë në “shtatë e Evropa”, por edhe në mbarë botën e madhe e të pafund të artit, atij pamor “cette fois ci”, siç thonë francezët. Gjeloshi erdhi në Mileshin e tij, për të mos u kthyer më, për të  mbet aty, për të vazhduar jetën e përmotshme (të amshueshme) nën dheun e tokës mëmëdhe të lindjes...       

Toka (dheu) i lehtë i qoftë!

Ndonëse ishte ditë e lame me një diell të kuqërremët të vjeshtës së parë në Milesh,  egjithatë, ajo ishte ditë zie e pikëllimi, jo vetëm për këtë katund Malësie, por ishte ditë dhimbje e krenarie, për mbarë botën e madhe, për të gjithë shqiptarët, kudo e ngado, qofshin ata: atë ditë të shtunë, një tetor 2016, botës tjetër, asaj të ftohtës, të errëtës, të përjetshmes, ia falnim dhe ia lenim amanet dheut të qetë të njeriut tonë të urtë e fisnik, të gjeniut tonë të arteve pamore, të Picasso-s se maleve tona, një fyell ndër male... sikurse ishte Gjelosh Gjokaj.                             

Tokës, dheut të shenjtë të Mëmëdheut ia dhamë trupin e gjeniut tonë  që të na e ruaj me xhelozi, por, në anën tjetër, as tokës (dheut), as akujt tjetër, nuk ia dhuruam veprën e tij të madhe artistike. Vepra(t) e tij, do t’i ruajnë fondet e galerive të famshme kudo (në)për botë, do t’i ruajnë koleksionistët e pasionuar ngado qofshin ata, e, ata janë të shumtë...  Vepra kolosale e Gjeloshit, që, mbase, shumë shpejtë, do të shpallet thesar i trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore, ose një pjesë e atij, thesari të ruhet në shtëpinë e të ndjerit në Milesh, që ndoshta shumë shpejt edhe do të shpallet Shtëpi muze.

Pse jo!

Mileshi i vocërr i Malësisë se Madhe, atë ditë të bukur vjeshte plotë ngjyra (si të huazuara nga mijëra e mijëra pëlhura (telajo) të Gjeloshit tonë), për një çast ishte qendër e madhe të botës se madhe shpirtërore dhe artistike shqiptare, ishte luginë lotësh, ishte pistë mode e veshjes me të zeza, burra e gra, malësorë e malësore vendas dhe nga të gjitha trevat e tjera shqiptare... Ditë e pikëllimit të madh, na bashkoi!                                                                                

Të gjithë, si një, pjesëmarrësit në çastin e ndarjes prej Gjeloshit tonë, nxituan të hedhin nga një grusht dhe mbi çatinë e tij të amshueshme.

Kjo ishte përshëndetja, lamtumira e fundit, me Gjeloshin tonë, atje, në atë Milesh.  Bashkë me z. Ganiun (Gashin), piktor akademik, student i dikurshëm dhe mik i dashur dhe i përjetshëm, mik shtëpie i të ndjerit, me pikëllim të madh, për të dytën herë përbirohemi sot nëpër kufirin ndër-shqiptar, Hani i Hotit dhe Morinë...Për të satën herë shijuam pelinin e hidhur e përsëritët. deri kur më!?!, mallkuar qofsh ore kufij  që na ndanë gjithnjë...

Rruga është e gjatë, pikëllimi është i madh. Ani, kemi kohë që Gani Gashi, të shpalos disa, vetëm një pjesë, të atyre përjetimeve më të thella gjatë shekullit të shoqërimit me të pa vdekshim kurrë, Gjeloshin tonë, modest e gjeni tok...

(Milesh, e shtunë, 1 tetor 2016).

°°°

Sqarim i vocërr:

*(Sot, po pikërisht sot, (më 25 shtator 2021) bëhen pesë (5) vjet të ndarjes nga jeta të piktorit malësor, me famë botërore, Gjelosh Gjokaj. Këtë shënim të shkurtër e shkrova, të nesërmen e varrimit me solemnitet të merituar, të këtij piktori të mirënjohur shqiptar, në vendlindjen e tij, në fshatin piktoresk Milesh, afër Tuzit).

commentKomento
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat