Vështrim për skulpturat e artistit Zharko Basheski

Art

Vështrim për skulpturat e artistit Zharko Basheski

Nga: Ilir Muharremi, kritik i artit Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 07:57
Ekspozita

Trupa lakuriq të njerëzve me temperamentë aktivë, veprojnë me moton “Njeriu kundër vetes” ose “Dëshiro të jesh vetvetja”. E mira e kësaj është se fati ja u ka lënë njerëzve të reflektojnë mbi zgjedhjen e të perceptuarit mbi vetveten. Dhe sapo njeriu pas lodhjes së madhe nga beteja, ka gjetur vetveten dhe ka përjashtuar çdo luftë, ai fillon një sfidë të re: luftën ndaj vetvetes. Kjo luftë serioze e ngritë etjen e kanibalizmit, pra njeriu vret vetveten, pastaj e ha atë duke filluar nga pjesa e kokës sepse faji ndodhet në mendje e jo në shpirt.

Skulpturat hiperreale të skulptorit nga Maqedonia Zharko Basheski qëndrojnë të ekspozuara në katin e dytë të Galerisë kombëtare të Kosovës. Ekzistenca njerëzore e thelluar në rrethin shoqëror nga njeriu Neanderthal  e deri te ai kanibal paraqitet në skulpturat e Bashevskit. Plastika e trupit, pra muskulatura në matjen proporcionale i bindet parametrave të saktë duke u nisur nga koka, qafa e cila është më e gjerë në të gjitha aktet, pastaj krahërori, duart dhe këmbët, qëndrojnë në simetri proporcionale njëra me tjetrën. Muskujt duken sikur janë të shkëputur nga fotografia përtej realizmit dhe janë si një lëkurë e ngjitur mbi eshtrat e këtyre njerzve. Ky art kërkon ende më shumë detajet më të vogla të sakta të tepruara nga një hiperrealizëm.

Polister, silikon, tekstil dhe fiber natyral janë disa nga teknikat të cilat i përdorë artisti. “Zhytësi në të kaluarën”, një figurë me një pamje të çuditshme misterioze, që na nxitë në vetë-eksplorim, vetë-zbulim, analizë të thellë duke e vlerësuar vetveten drejt një të vërtete të ekzistencës së njeriut në të kaluarën e tij, pra me gjest zhytjeje duke tentuar të hyjë në botën e së kaluarës me këtë pamje te vjetër kohore. Ose duke u zhytur drejt një bote të re me pamje prej Neanderthal-i.

Skulpturat kërkojnë një vështrim shumështresor pra parimi i parë që veçohet është elementi vizual parësor estetik, pamja hiperreale e formave të zvogëluara duke u kujdesur për detajet fotografike të theksuara mbi lëvizjet, gjestet, kompozicionet, shprehjet të fytyrës, heshtjet dhe palëvizshmëritë.

Në artin e skulpturës e rëndësishme është ana estetike, poetike dhe ajo psikologjike, pra vështrimi përtej bebëzave të syrit të figurës në raport më dritën dhe shfaqjen e hijes. Shkëmbimi i shikimeve drejt një pike ose drejt nesh nga skulpturat tregon një realitet ndryshe nga shikimet e tepërta të skulpturave të tjera siç jemi mësuar t’i shohim. Nëse ndalemi për disa sekonda dhe fillojnë të bartim energjinë tonë drejt shikimeve të këtyre skulpturave, mund të shohim atë se çka ndjejnë skulpturat si e shohin botën ata. Ata janë përmbysur në shoqërinë njerëzore dhe roli i tyre është përfaqësimi i vetes në situata, rrethana dhe periudha kohore të ndryshme. Pamjet e tyre janë fragmentale nga e kaluara e deri te më ekstremja.

Skulptura e Basheskit ka ndikim nga skulptura e artistit australian Hans Ronald Mueck i cili poashtu i përgjigjet detajeve të vogla trupore njerëzore duke krijuar imazhe tërheqëse të stilit të njëjtë hiperreal. Realizmi anatomik i këtij artisti është shumë më shumë i detajuar i cili e tejkalon artin e fotografisë dhe hap nje dimension tjetër. Mueck veçohet me saktësi më të detajuar, shumë më të realizuar se Boshevski mbi trupat e skulpturave.

Image
Ekspozita
Foto galeri
commentKomento
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat