​Hapet ekspozita kolektive Fondi i Galerisë nga Peneli i Flakës 2003-2022 dhe ekspozita me imazhe “E Bukura Kosovë”

Art

​Hapet ekspozita kolektive Fondi i Galerisë nga Peneli i Flakës 2003-2022 dhe ekspozita me imazhe “E Bukura Kosovë”

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 20:29
Pamje nga ekspozita

Me rastin e 14-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sot në Galerinë e Arteve në Gjilan është hapur hapet ekspozita me fotografi “E bukura Kosovë”, e dy autorëve gjilanas Agim Kajtazi dhe Milaim Grabovci dhe ekspozita kolektive Fondi i Galerisë nga Peneli i Flakës 2003 – 2022, në ngjarjen në të cilën mori pjesë edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

Profesori i artit figurativ, njëherësh asamblist i Kuvendit Komunal, Valdrin Bajrami, ka njoftuar se në ekspozitën Fondi i Galerisë nga Peneli i Flakës përfshihet çmimi blerës ndër vite me piktura, skulptura dhe grafika, ndërkaq në ekspozitën “E bukura Kosovë” janë shfaqur 40 punime të fotografive më të bukura të Kosovës nga dy autorët.

Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Zeqiri, ka ftuar artdashësit që t’i shijojnë këto ekspozita që shpërfaqin bukuritë e Kosovës, sikurse edhe ato nga Fondi i Galerisë me piktura, skulptura dhe grafika.

Ndërkaq, Agim Kajtazi, ka falënderuar për mbështetjen për këtë ekspozitë Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, duke shtuar se ajo përbëhet nga fotografi peizazhi të shkrepura nëpër vende të ndryshme të Kosovës.

“Me mikun tim, Milaim Grabovci, prej vitesh jemi bashkë në ecjet e të dielave që organizon Shoqëria Bjeshkatare ‘Maja’ dhe shoqëri të tjera bjeshkatare. Pas secilit aktivitet, në funksion të promovimit të kësaj që bëjmë, në vazhdimësi, nëpër rrjete sociale, natyrisht në numër më të vogël, kemi publikuar imazhe që rrëzojnë sterotipet sikur e tërë Kosova është ashtu si e shohim nga asfalti. E që fatbardhësisht nuk është kështu”, ka thënë Kajtazi.

Ekspozita Fondi i Galerisë nga Peneli i Flakës 2003-2022 dhe “E bukura Kosovë”, do të qëndrojnë të hapura hapura deri më 28 shkurt.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat