Ekspozitë për dy poetët e pushkatuar, nga stilolapsi deri te plumbi i gjetur mes dy kafkave

Art

Ekspozitë për dy poetët e pushkatuar, nga stilolapsi deri te plumbi i gjetur mes dy kafkave

Nga: Rexhep Polisi Më: 28 korrik 2022 Në ora: 21:48
Pamje nga ekspozita

Një ekspozitë e veçantë u çel në hollin e Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë për dy poetët martirë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka në 45-vjetorin e ekzekutimit të tyre nga regjimi komunist.

Një kontribut të veçantë për këtë ekspozitë ka dhënë vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi, i cili përgjatë gjithë këtyre viteve pas ’90-tës arriti të gjejë të gjithë krijimtarinë e poetëve në arkiva si dhe të publikojë disa libra për veprën dhe jetën e dy poetëve.

Në ekspozitën e dy poetëve martirë ndodhen foto nga jeta e tyre, faksimile dokumentesh, sende personale, dy stilolapsa me të cilët Vilsoni shkruante poezi dhe përkthente shkrimtarë e poetë francezë si dhe plumbi i gjetur mes dy kafkave të poetëve gjatë zhvarrojses së eshtrave të tyre.

Image
Pamje nga ekspozita

Bedriu, teksa spjegonte për të pranishmit e shumtë çdo detaj nga sendet e ekspozuara nuk mund të përmbahej nga emocionet kur mori në dorë plumbin që kishte gjetur mes kafkave të dy poetëve gjatë zhvarrimit të eshtrave të tyre.

Ai tregoi se eshtrat e Vilsonit dhe Gencit i kishte gjetur në një përrua të mbulauara me gurë. “Gërmuam me shumë kujdes, hoqëm me duar gurët dhe atë pak dhe që ishte në atë gërmadhë dhe papritur mes dy kafkave gjeta këtë plumb”, tregoi Bedriu ndërsa i rrëshqitën ca pika lot në faqe.

Nëdrejtoresha e Institutit të Krimeve të Komunizmit, Armanda Hysa tha se, është dashur një periudhë e gjatë për të gjendur trupat e dy poetëve, derisa në prill të vitit 1994, Bedri Blloshmi arriti ta lokalizojë vendin, pranë përroit të Firarit, në një vend shumë të vështirë për t’u arritur.

“Pjesë e dosjes formularë të poetit Blloshmi është ditari në frëngjisht, të cilin kur e arrestuan ia sekuestruan bashkë me sendet personale dhe literaturën, për të vërtetëtuar që mbante literaturë të huaj të ndaluar. Kjo ishte pjesë e akuzës për propagandë. Edhe për poetin Genc Leka është lista e librave të ndaluar që i kanë gjetur. Ndërsa dokumentet e procesit janë bashkë, sepse ishin pjesë e të njëjtit grup”, tha Hysa.

Për shkak të interesimit të madh ekspozita qëndroi e hapur dy javë. Në një nga këto ditë ekspozita u vizitua edhe nga Kryetari i PD, Sali Berisha.

Berisha vlerësoi lart krijimtarinë letrare të Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit dhe ftoi shqiptarët që të lexojnë poezitë e tyre.

“Genc Leka dhe Vilson Blloshmi kanë lënë një trashëgimi do të thosha nga më të shkëlqyerat në letërsinë tonë, në poezinë tonë, si në rrafshin artistik, ashtu edhe në domethënien e kohës në të cilën janë shkruajtur. Askush gjer sot nuk ka paraqitur Shqipërinë e diktaturës siç ka bërë Vilson Blloshmi tek ‘Saharaja’ e tij, apo ‘Kohën’ Genc Leka në poezitë e tij. Poezitë e tyre mund t’i krahasosh me krijimet më të bukura në letërsinë tonë, përvçse ato kanë brenda kurajon, guximin e jashtëzakonshëm të të dy të rinjve të cilën i thonë në sy diktaturës se çfarë ishte ajo.

Dua të shpreh nderimin tim për Bedri Blloshmin, pa punën e madhe të tij, pa përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij, nuk do të njiheshim me këto vepra, nuk do të ishim sot këtu në këtë ekspozitë e cila paraqet me dokumente të gjithë sagën, kalvarin e tmerrshëm që përjetuan këta dy poetë të akuzuar se kishin sabotuar ekonominë bujqësore të fshatit dhe për të cilën u ekzekutuan”, u shpreh ndër të tjera Berisha.

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, të dy nga Bërzeshta, u pushkatuan më 17 korrik 1977 në Librazhd me akuza të montuara dhe një “gjyq” farsë për të vetmin “faj” sepse ishin poetë. Eshtrat e martirëve u gjetën, falë punës së palodhur të Bedri Blloshmit edhe ky i dënuar me 25 vjet burg politik Pas një pune të palodhshme kërkimesh, në vitin 1994, Bedriu arriti t’i gjejë eshtrat e dy martirëve të groposur në një humnerë që quhet Përroi i Firarit, rreth 6 kilometra nga Librazhdi.

Të dy poetët kishin lindur në Bërzeshtë të Librazhdit, Genci në vitin 1941 ndërsa Vilsoni në 1948. Të dy ishin mësues, poetë, por ishin edhe kushërinj, fëmijë familjesh të cilësuara armike për të vetmin shkak se të parët e tyre ishin nacionalistë dhe kishin dhënë një kontribut të çmuar për atdheubn. Për këto arsye, fillimisht u ndaluan të ishin mësues. Genc Leka u dërgua në ndërtim, ndërsa Vilson Blloshmi, pasi mbaroi Pedagogjiken e Elbasanit, nuk u lejua të punojë si mësues, por u dërgua në minierë e megjithatë regjimi nuk u mjaftua me kaq. Nuk mund ta duronte lirinë e mendimeve dhe vargjeve të këtyre dy poetëve të rinj, të cilëve u vuri prangat në gusht të vitit 1976, fillimisht Vilsonit dhe 25 ditë më pas, Gencit. Më pas, meqë regjimi komunist nuk kishte mënyrë tjetër për të ndaluar një poet të jetë poet, i ekzekutoi.

Image
Pamje nga ekspozita
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat