Sonte, në ambientet e lokalit KultPlus, u hap ekspozita e piktores Bija Jasiqi. Bija, edhe pse ka kohë që është pensionuar, brusha e saj nuk ndalet asnjëherë.
Ajo përmes artit, në shumicën e pikturave të saj, paraqet gruan, si personazh i fortë në shoqëri. Madje, në njërën nga pikturat e saj ajo e paraqet gruan të ngritur lart, të ulur mbi shtëpinë të cilën e ka ndërtuar vet, me punë, mund, duke lexuar shumë dhe duke u kujdesur të mos e shkel askënd, ndërsa ngjyrat në fytyrë, i ka nga jeta.
Duke qenë se jemi në prag të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, të pranishme në ekspozitë ishin edhe aktivstet nga shoqata që merren me aktivitete të shumta në këtë drejtim, jo vetëm gjatë këtij muaji, por gjatë gjithë vitit.
Me këtë rast, piktorja Bija, për shoqatën dhuroi një pikturë, që paraqet gruan duke e ushqyer foshnjen në gji. Gjest për t’u përshëndetur.
Pikturat do të jenë të ekspozuara për dy javë rresht dhe artdashësit mund t’i shohin ato gjatë gjithë ditës.