Ish atletes Natyra Kelmendi – Shala, kurrë nuk do t’i fshihet nga kujtesa e saj momenti më trishtues, kur para 30 viteve pushtuesi serb i dëboi nga stadiumi në Mitrovicë, i vetmi me tartan të atletikës në Kosovë.
Në atëkohë ishte fëmijë, sportiste e dalluar e atletikës por e trishtuar kur pa milicinë e pushtuesit serb, se si i dëboi nga stadiumi dhe në përgjithësi sportistët e Kosovës nga stadiumet tjera dhe palestrat sportive.
Periudhë më e rëndë në jetën e saj si sportiste! Natyra Kelmendi Shala i takon Gjeneratës së Republikës dhe është krenare që me mijëra sportistë iu kundërvunë pushtuesit serb.
“Në moshën 9 vjeçe kam filluar me atletikën në klubin ‘Prokletija’ me trajnerin Afrim Belegu.
Në vitin 1989 edhe unë si atlete tjera kisha fatin e keq, na dëbuan nga stadiumi i Mitrovicës. Ishte gara e tretë për mu dhe asnjëherë nuk mu dha mundësia me tregu talentin tim në stadium. Atëherë filluam garat nëpër livadhe të fshatrave të Kosovës. Isha veç 11-vjeçare, unë vrapoja me seniore. Arrita rezultate të mira.
Ne moshën 12 vjeçe u shpalla sportiste e vitit dhe atletja e vitit, isha atletja më e re që u vlerësova me titull: Sportiste e vitit.
Në vitin 1996 morëm pjesë në gara Elbasan, ishin garat e para për mu jashtë Kosove. Ishte kohë okupimi, nuk mu dha mundësia me tregu veten edhe në gara ndërkombëtare.
Isha kampione e Kosovës disa vite me radhë.
Ne vitin 1999 e ndërpreva atletikën. Tash prej vitit 2018 jam aktive si veterane.
Në vitin 2019 vrapova Gjysmëmaratonën e Prishtinës dhe dola e dyta, veterane e parë ishte nga Kenia.
Mandej vrapova Maratonën e Podgoricës. Vrapova në Kampionatin Ballkanik ku e fituam vendin e tretë. Tash jam në përgatitje në garat e radhës, sidomos për Maratonën e Prishtinës me 26 shtator të këtij viti. Isha atlete e pafat në dekadën e okupimit, ku asnjëherë nuk mu dha mundësia të marr pjesë në gara jashtë Kosove”, tregon ditët e vështira Natyra për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Natyrës sot iu bëhet zemra mal që sheh sportistët dhe sportistet tona duke garuar në garat zyrtare ndërkombëtar.