Kosova ka një numër të madh të talenteve në mbretëreshën e sporteve, ndër to është edhe Sara Susurin e klubit të atletikës Prizreni.
Sara është e motivuar për të arritur rezultate sa më të mira në disiplinat e shkurtra, 100 e 200 metra. Ajo punon me vrull të shtuar për t’i realizuar synimet e saja gjatë këtij viti dhe në vitet e ardhshme.
Atletja vjen nga qyteti i lashtë, që vite pas viteve ka dhënë emra të shquar të këtij sporti.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/April/02/auto_21648913983.jpg)
Sara iu është falënderuese trajnerit Bajram Dujës, aktualisht edhe selektor i Kombëtares së Kosovës dhe posaçërisht familjes së saj, e cila e përkrahë maksimalisht.
Talentja prizrenase e ka ende të freskët edhe pjesëmarrjen në Kampionatin Ballkanik U-19, që u mbajt m 12-13 shkurt të këtij viti.
Ajo ndihet krenare që me atlete e atletë tjerë, arritën të thyejnë barrierën për herë të parë, që të garojnë me emrin e Kosovës në midis Beogradit.
“E kam ndier veten se jam e shpejtë në krahasim me shoqet e gjeneratës time.
Kam dëgjuar për sukseset dhe rezultatet e Klubit të Atletikës Prizreni dhe jam lajmëruar te trajneri i klubit Bajram Duja.
Trajneri Bajram Duja më ka testuar dhe e ka vërejtur talentin tim për atletikë, sidomos në vrapimet e shpejtësisë në 100 dhe 200 metra.
Trajneri më ka garantuar, nëse vazhdoj me stërvitje të rregullta se kam me arritur rezultate shumë të mira të cilat i kam edhe sot.
Motivi im kryesor është familja por motivuesi më i madh është trajneri im Bajram Duja”, thotë Sara.
Se fundi morët pjesë në Kampionatin Ballkanik U-19 në Beograd, sa ishte e vështirë dhe cila ishte e veçanta?
“E vështira e pjesëmarrjes në këtë kampionat ishte se a do të mundemi të futemi në garë dhe unë isha garuesja e parë.
E veçanta ishte se pas shumë vitesh thyem barrierën, morëm pjesë me uniformat e shkruara Kos (Kosova) dhe normalisht është emocion i veçantë që të garoj në kësi lloj mënyre në garën në Beograd”, përgjigjet atletja e talentuar.
Prizrenasja si çdo sportiste tjetër ka synime të mëdha.
“Normalisht se synimi im është që të bëjë rezultat të mirë, të kap normën botërore e të marr pjesë në Lojërat Olimpike”, përfundon Sara.