Klubet e atletikës si shumë klube tjera sportive në Kosovë, po ballafaqohen me peripeci të shumta!
Klubi i atletikës Mitrovica përkundër vështirësive synon të arrijë suksese sa më të mëdha në vitin 2022.
Kryetrajneri i KA Mitrovica, Xhavit Tahiri, shprehet se po punojnë me zell të shtuar, me synime që shënojnë rezultate sa më të mira në shumicën e disiplinave.
KA Mitrovica
Tahiri punon pareshtur në çdo aspekt për t’i përgatitur garuesit e tij për sfidat vendore dhe në rrafshin ndërkombëtar.
“Synimet e klubit janë që në aspektin kolektiv të dalim si klubi më i mirë edhe për këtë vit, të jemi fitues i të gjitha kupave për pionier, junior në të dy gjinitë e po ashtu të radhitemi ndër 3 të parët edhe tek seniorët”, thotë Tahiri për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Mitrovica ka telashe edhe sa i përket kushteve, kjo dikton edhe rrjedhën e punës dhe të rezultateve edhe më të mira. Megjithatë me numrin e atletëve dhe atleteve është i kënaqur.
“Me kushtet nuk jemi të kënaqur aspak sepse nuk i kemi as kushtet elementare, ndërsa sa i përket numrit të atletëve jam mjaft i kënaqur”, nënvizoi Tahiri.
Xhavit Tahiri
Me një buxhet më të mirë, Mitrovica do të shënonte suksese edhe më të mëdha, klub që ka shumë talentë në radhët e veta. Brenga tjetër e Tahirit është edhe shtegu me tartan.
“Klubit i duhet buxhet ende më shumë, ndërsa sa i përket tartanit në Mitrovicë nuk ka tartan dhe atletët e klubit nuk kanë se ku ta përdorin tartanin”, përfundon Tahiri.