Kosova ka një numër të madh të talenteve në disiplinat teknike të atletikës.
Një emër që po vjen është edhe atletja e klubit Blinaja nga komuna e Lipjanit, Enilda Zeqiri.
Talentja po shënon rezultate të mira dhe së fundi zuri vendin e parë në kërcim së gjati për U-16 në Mitingun e Hapur, që u mbajt në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.
Enilda ka ambicie të mëdha përveç që synon të thyejë rekordin e Kosovës, një ditë të tregojë potencialin edhe në garat ndërkombëtare.
Ajo punon pareshtur që të përmirësojë edhe më shumë kërcimin.
“Synimet e mija për kërcim së gjati janë që ta thyej rekordin brenda shtetit të Kosovës, pastaj të vazhdoj me tutje e të thyej rekorde dhe jashtë shtetit tim. Rekordi im personal është 4 metra e 43 centimetra”, thotë Enilda për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Atletja nga Blinaja thotë se nuk është vështirë të garosh në kërcim së gjati por një motiv shtesë: “Mendoj që nuk është edhe shumë e vështirë.
Normal në fillim duket por pastaj ambientohesh dhe është shumë lehtë, vetëm duhet t’i mësojmë teknikat se si të kërcejmë dhe të ruajmë veten që te mos lëndohemi”.
A keni vështirësi, iu mungon terreni adekuat për kërcim së gjati?
“Vështirësi nuk kam përveç se terreni apo vendi që duhet të kërcejmë nuk e kemi këtu në komunën tonë, andaj stërvitjet nuk mund të mbajmë për këtë disiplinë të kërcimit”, thotë talentja.
Enilda thotë se sa më e fortë është konkurrenca aq edhe më mirë.
“Konkurrenca tek grup-moshat U-16 ku jam edhe unë nuk është edhe shumë e dobët”, përfundon Enilda.