Mungesa e transparencës, vonesat në lëvrimin e fondeve, ulja e buxhetit për sportin dhe ndarja sipas një sistemi pikëzimi, ka sjell debate dhe pakënaqësi mes Federatave dhe vetë protagonistëve.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur një fond prej 1 miliardë e 494 milionë lekë të vjetër për 17 federatat e shumësportëshit në Shqipëri për vitin 2023, një shumë kjo më e ulët në raport me një vit më parë, 1.8 miliardë, i shpërndarë në dy këste.
Kjo ulje në buxhet nuk është pritur mirë nga kampionia e Evropës, Luiza Gega e cila ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Sinqerisht, kam vërtet përshtypjen që ministrja Evis Kushi s’ka dijeni për këtë logjikën e ndarjes së këtij buxheti. Shpresoj që ta shikojë sa më shpejt.
Personalisht si sportiste elitare nuk kam ndonjë interes sado që të jetë buxheti i Federatës por duke qenë se ai ndahet nga performanca që kanë pasur sportistët vitin e kaluar, ndihem e ofenduar që Federatës sime, në vend që t’i ngrihej buxheti, përkundrazi, i është ulur dhe disa Federatave të tjera, ku me gjithë respektin kur ta meritojnë”, shkruan Luiza Gega.