Takimi kombëtar i atletikës për mosha ishte dhe si një inaugurim më tepër për pistën me tartan tek kodrat e Liqenit.
Por mbi të gjitha për të zgjuar interesin e të rinjve për t’u marrë me sport.
Të paktën ky ka qenë mesazhi që dhanë presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Madje kryebashkiaku i Tiranës duke patur përkrahë Luiza Gegën dhe Izmir Smajlajn i dha shembullin të rinjve se si mund të bëhesh kampion dhe në kushte të vështira.
"Jam shumë i kënaqur në fakt që shoh kaq shumë të rinj sot dhe shpresa jonë e madhe e të gjithë neve, apo e komunitetit të atletikës është që ta dyfishojmë dhe ta kemi atletikën në ato nivele që ka qenë gjatë gjithë kohës", thotë Taulant Stërmasi.
"Jam e kënaqur kështu që atletika është një nga disiplinat që ju jeni duke e zhvilluar dhe që nga Shkodra deri në Sarandë ne kemi të përhapur të gjitha disiplinat sportive", shpjegon ministrja Manastirliu
"Mund të bëhesh kampion. Mund të jesh i shpejtë ose e shpejtë. Mund të jesh më i miri ose më e mira pavarësisht kushteve. Ama kur i kemi dhe kushtet është pak më e lehtë", deklaron kryebashkiaku Veliaj.
E më pas pistën e kanë pushtuar fëmijët e të gjitha moshave me garat e tyre të sipas kategorive, teksa për të gjithë kishte Kupa e medalje. Një takim që bëri bashkë dhe veteranët e atletikës shqiptare.