​Rrëfimi i atletes Gresa Bakraqi: Shkoj në Paris për rekorde, por gjithçka po bëj e vetmuar

Atletika

​Rrëfimi i atletes Gresa Bakraqi: Shkoj në Paris për rekorde, por gjithçka po bëj e vetmuar

Më: 14 korrik 2024 Në ora: 11:09
Gresa Bakraqi

Kosova do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike në Paris edhe në sportin e atletikës. Me ftesë speciale, do të jetë Gresa Bakraqi ajo e cila do ta garojë në këtë disiplinë.

Duke folur për këtë arritje, në një intervistë për Kp, Bakraqi thotë se ka punuar për vite me radhë në kushte shumë të rënda që ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Bakraqi: Kam punuar me mish e me shpirt për të arritur këtu

“Rrugëtimin drejt Lojërave Olimpike nuk është se jam zgjuar në një mëngjes dhe më kanë thënë ‘Gresa je e ftuar për të marrë pjesë në Lojëra Olimpike’, jo nuk ka ndodhur ashtu, ka ndodhur një punë realisht shumë e madhe ku të paktën dy vitet e fundit nuk kam marrë pjesë ose kam qëndruar shumë pak në Kosovë sepse infrastruktura është shumë e vogël dhe është dashur me mish e shpirt të vrapoj edhe në gara rrugore për t’i mbledhur fondet, për të vazhduar në kampet ndërkombëtare”, ka thënë fillimisht Bakraqi.

Në Paris, ajo thotë se shkon me synimin për të thyer rekordin shtetëror të saj në këtë sport.

Bakraqi: Nga Parisi synoj të kthehem me rekord shtetëror

“Kurse sa i përket garës, unë gjithmonë kur shkoj në gara, pavarësisht konkurrencës, e synoj maksimumin për shtetin tim sepse nuk e përfaqësoj veten, e përfaqësoj Kosovën, kështu që uroj që nga Parisi të kthehem me rekord shtetëror dhe aq sa kam mundësi të kualifikohem në një nivel më të lartë se sa ‘hitsat’ që ne i quajmë në atletikë”, theksoi Bakraqi.

Ajo nuk e fsheh zhgënjimin e saj për mos mbështetjen dhe mungesën e një ekipi stërvitor, dukë thënë se në shumë raste ndihet krejtësisht e vetmuar.

Bakraqi: Në shumë raste jam ndjerë shumë e vetmuar

“Këto katër vite stërvitje kanë qenë në distancë me trajnerin dhe gjithmonë jam munduar të shtyjë gjithçka vet. Prandaj, them se atletika realisht në Kosovë është shumë pak e zhvilluar sepse të paktën të kisha tre apo katër persona të nivelit tim që të paktën në këto garat e arenës ndërkombëtare ose kampet mos t’i bëjë vet, por t’i bëjë me ekip sepse në shumë raste jam ndier shumë e vetmuar kur unë kam marrë pjesë në kampe me 800 sportistë”, tregon më tutje Bakraqi.

Krejt në fund, Bakraqi ka kërkuar mbështetje financiare sikur të gjithë sportistët tjerë në mënyrë që pastaj dikush të ketë të drejt të kërkojë rezultate në gara ndërkombëtare nga ana e saj.

Bakraqi: Kërkoj mbështetje të njëjtë sikur sportistët tjerë

“Unë ndihem shumë e lumtur për përkrahjen që më kanë dhënë, por uroj që cikli tjetër katër vjeçar që është në vitin 2028, unë me një vullnet dhe regjim shumë të madh i synojë Lojërat Olimpike të tjera me normë olimpike më duhet përkrahja të jetë e barabartë sepse nëse kërkojmë të kemi barabarësi me sportet tjera, atëherë edhe unë kërkoj të kem barabarësi me sportistët tjerë dhe me kushte të njëjta që në fund të fundit kur vlerësohem dhe kritikohem, të kritikohen më mënyrë të barabartë, e jo të bëhen kritikat kur fondet nuk janë të njëjta, kështu që le ta provojmë njëherë të jemi të barabartë dhe pastaj pjesa e kritikave të bëhet në fund”, deklaroi Bakraqi.

Lojërat Olimpike në Paris, do të zhvillohen nga data 26 korrik deri më 11 gusht të këtij viti. Aty Kosova do të përfaqësohet me gjashtë norma olimpike dhe tri ftesa nga universaliteti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat