Gega-Burraj në Paris, Covid-19 në Fshatin Olimpik

Atletika

Gega-Burraj në Paris, Covid-19 në Fshatin Olimpik

Më: 30 korrik 2024 Në ora: 11:48
Luiza Gega në mes

Kanë udhëtuar drejt Francës edhe dy sportistët e fundit të delegacionit olimpik shqiptar.

Bëhet fjalë për atletët Luiza Gega e Franko Burraj, që janë shoqëruar nga presidenti i FSHA-së, Taulant Stërmasi. Atletja Luiza Gega do të garojë më datën 4 gusht në 3000m/p, ndërsa Burraj më 3 gusht në 100 metra.

Ndërkohë, për të tretën ditë me radhë janë anulluar provat për garën e triathlonit (3-garësh: not, çiklizëm, vrap) për shkak të nivelit të ndotjes në lumin Sena.

Garat janë planifikuar për t’u zhvilluar më 31 korrik dhe në rast se situata nuk ndryshon me shumë gjasa që kjo disiplinë do të jetë 2-garësh, duke anulluar notin.

Notari britanik Adam Peaty, një nga ikonat e këtij sporti, ka dalë pozitiv me Covid-19. Dy ditë më parë ai mori medaljen e argjendtë në 100 metra bretkosë, por nuk ka mundur të zbresë më në pishinë. Ai ëhstë pezulluar për disa ditë, ndërkohë që teste anti-covid po u kryhen edhe notarëve të tjerë britanikë e rivalëve të tij në atë garë.

Në Afganistan, grave u është ndaluar të shohin konkurrimet e gjinisë së tyre në Olimpiadë, por vetëm garat për meshkuj. Sipas TV vendës, garat e femrave janë imorale, ndaj Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka bërë apel që gratë në shtetin aziatik të kenë të drejta të barabarta për të parë të gjitha garat.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat