Franko Burraj shkëlqen në raundin para eliminator të garës së 100 metrave, një ndër më spektakolaret dhe eventi më i ndjekur historikisht në Olimpiadë. Në baterinë e tretë të para eliminatoreve, 25 vjeçari shqiptar, doli i dyti me një garë spektakolare. Duke ndalur kronometrin në 10.60 për t’u kualifikuar në raundin e parë.
Ishte një konkurrim me shpirt, zemër po mbi të gjitha shumë inteligjencë për atletin që në korsinë e katërt, pati një nisje jo shumë të mirë. Duke qenë i katërti. Por në 50 metrat e fundit, Burraj shpërtheu me hapin e gjatë në stilin Usain Bolt, duke rikuperuar.
Teksa në vijën e finishit me sy të lirë krijoi idenë se ia kishte dalë të zinte vendin e tretë. Gjithsesi përsëritja e pamjeve me ngadalësim dhe foto-finishi konfirmuan se Burraj duke vepruar me mjaft inteligjencë me zgjatjen e hapit dhe kokës në hapin e fundit, u rendit i dyti.
Pozicion që garanton dhe kualifikimin. Një gjest i jashtëzakonshëm teksa shikon dhe tabelën e renditjeve me Burrajn që në hapin e fundit ka siguruar vendin e dytë, i domosdoshëm për t’u kualifikuar për më tej. Madje me të njëjtën kohë me vendin e tretë pikërisht falë asaj tej zgjatjeje me këmbë e kokë në hapin e fundit.
Padyshim një performancë që entuziazmon publikun shqiptar me Burrajn që bën një përfaqësim dinjitoz në eventin më të madh sportiv të vitit. Teksa me kohën 10.60 jo vetëm është afruar me vetëm 4 të qindtat me rekordin shqiptar në garën e 100 metrave, por ka shënuar dhe rekordin personal në këtë kategori.
Një arritje kjo edhe më domethënëse nëse marrim parasysh se Burraj është i specializuar në garën e 400 metrave, por garon në 100 metra në Paris 2024. Duke qenë se ka shkuar me ftesë në Olimpiadë, me atletin shqiptar që padyshim do të tentojë edhe një tjetër kualifikim në raundin e parë.
Aty ku për të thënë të vërtetën vështirësia shumëfishohet me konkurrencën që do të jetë shumë më e fortë.