Përfundon rrugëtimi i Franko Burrajt në Olimpiadën Paris 2024. Atleti shqiptar siguroi kualifikimin në raundin e parë si pasojë e renditjes në vendin e dytë në raundin para eliminator.
25-vjeçari garoi në baterinë e katërt në garën e 100 metrave, duke lënë pas vetëm polakun Wdowik. Dihej që gjërat do të ishin shumë herë më të vështira, pasi thuajse të gjithë konkurrentët ishin me kohë më të mira personale.
Ndërsa ata që kualifikoheshin në gjysmëfinalet e garës më të ndjekur të Olimpiadës, ishin të gjithë nën kufirin e 10 sekondave.
Burraj regjistroi kohën 10:66, 6 të qindtat më shumë se koha që vendosi në raundin para eliminator. Duke u renditur i teti nga nëntë garues.
Gjithsesi, atleti shqiptar mund të krenohet me paraqitjen dinjitoze në Lojërat Olimpike të Parisit, veçanërisht nëse marrim parasysh faktin se Burraj është i specializuar në garën e 400 metrave.
Aty mban edhe rekordin kombëtar. Teksa garoi në 100 metra në Paris duke qenë se shkoi me ftesë në Olimpiadë.