Ikja në amshim e Kadri Kaçanollit, është një humbje e madhe për atletikën dhe sportin në përgjithësi.
Kaçanolli ka dhënë kontribut të madh dhe së fundi ishte kryetrajner i klubit të atletikës Prishtina.
Kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, është i tronditur me vdekjen e Kaçanollit në moshën 68 vjeçare.
“Sot ndërroi jetë Kadri Kaçanolli, ikona e atletikës së Kosovës. Sporti i atletikës ka mbetur pa personalitetin e shquar të tij. Varrimi bëhet sot me 18.08.2024 në varrezat e qytetit të Prishtinës në ora 16:30.
I ndjeri Kaçanolli ia ka kushtuar gjithë jetën sportit të atletikës. Detyrat e tij si trajner i ka kryer me përkushtim e pasion shembullor deri në ditët e fundit të jetës së tij.
Pas karrierës së suksesshme si atlet i Prishtinës, i ndjeri Kaçanolli u angazhua si trajner në klubin e Prishtinës. Ka qenë pjesë e iniciativës për pavarësimin e sportit të atletikës në Kosovë dhe është shquar me angazhim të pandalshëm. Sukseset e shumë brezave të atletëve dhe trajnerëve kanë qenë produkt i punë së tij të palodhshme me pasion dhe dashuri.
Ka qenë pjesë e organizimit të shumë ngjarjeve të rëndësishme të atletikës gjatë shumë viteve dhe kontributi i tij ka qenë në shumë sfera të nevojshme për zhvillimin e sportit të atletikës.
Ju shprehi ngushëllimet e mia të sinqerta familjes, anëtarëve të bordit, trajnerëve, atletëve dhe të gjithë komunitetit të sportit për ndarjen nga jeta e trajnerit Kadri Kaçanolli.
Do ta nderojmë punën e tij gjithmonë dhe do ta kujtojmë si një punëtor të madh dhe entuziast që tërë jetën ia kushtoi sportit të atletikës”, ka shpreh ngushëllime Halil Sylejmani, kryetari i Federatës Atletike të Kosovës.