Grevist Bytyqi i dorëzohët flamuri i Kosovës

Atletika

Grevist Bytyqi i dorëzohët flamuri i Kosovës

Më: 20 gusht 2024 Në ora: 19:13
Grevist Bytyqi i dhe presidentja e Kosovës

Para-atletit nga Malisheva, Grevist Bytyqit të martën nuk foli asgjë.

Ai dëgjoi vetëm fjalët që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia tha para se t’ia dorëzojë flamurin e Kosovës. 

Bytyqi u shoqërua nga trajneri i tij, Adrian Mazreku dhe kryetarja e Komiteti Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini.

Bytyqi është garuesi i vetëm që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Paralimpike “Parisi 2024”.

Lojërat e Parisit janë të parat për Kosovën pas pranimit të Komitetit Paralimpik të Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar.

Lojërat Paralimpike nisin më 28 gusht, pak javë pas përfundimit të Lojërave Olimpike. Organizimet janë madhështore, ndërsa pjesëmarrja e sportistëve me aftësi të kufizuara, masive.

Paraqitja e paralimpistëve në Paris përfundon më 8 shtator.

Kosova në debutimin e saj në Lojërat Paralimpike paraqitet me para-atletin Bytyqi. Ai do të garoj në 1500 metra. 

Paraqitjen e Bytyqit në Lojërat Paralimpike “Parisi 2024”, presidentja Osmani e ka vlerësuar historike për Kosovën.

“Jemi krenar tashmë që Kosova do të përfaqësohet në Lojërat Paralimpike. Ka qenë sukses historik i Kosovës anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Paralimpik, edhe pse në Lojërat Olimpike po marrim pjesë tashmë që tri herë, është hera e parë për shkak të anëtarësimit në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar që ne marrim pjesë edhe në Lojërat Paralimpike në Paris dhe edhe pse po marrim pjesë me vetëm një atlet, është vërtetë përfaqësim historik dhe jam e bindur që do ta përfaqësosh Kosovën dinjitetshëm dhe Kosova do të shkëlqejë siç ka shkëlqyer çdo herë në arenën ndërkombëtare nëpërmjet sportistëve tanë”, tha Osmani.

Ndërkohë, kryetarja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini ka thënë se me Grevist Bytyqin, fillon një epokë e re për sportin paralimpik në vend.

Ajo e cilëson Grevistin si si pionier të një rrugëtimi të gjatë që do të ndjekin shumë paraatletë të tjerë në të ardhmen.

“Ky moment është fryt i përpjekjeve tona të përbashkëta, i betejave të fituara dhe mbi të gjitha, i besimit në vlerat që përfaqësojmë si lëvizje paralimpike”, ka thënë Emini, njofton Komiteti Paralimpik i Kosovës.

Grevisti është pjesë e klubit Malisheva, i formuar në vitin 1999.

Kosova në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar u pranua dy vjet më parë.

Pritjet ishin që pranimi të ndodhte menjëherë pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. KOK-u në IOC u pranua në dhjetor të vitit 2014.

Prej atëherë janë zhvilluar dy edicione të Lojërave Paralimpike Verore e dy të tjera të Lojërave Paralimpike Dimërore. Kosova nuk ishte pjesë e tyre. Komiteti Paralimpik i Kosovës nuk ia doli të anëtarësohet në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Nuk kishte ndonjë pengesë të natyrës politike, pranimi në IOC hapte të gjitha rrugët.

Problemi ishte i brendshëm, i organizimit jo të duhur të lëvizjet paralimpike në Kosovë. Tani vlerësohet se ka ngritje të organizimit. Pritjet janë për rezultat të mirë nga Grevisti, garuesi i vetëm i Kosovës në Lojërat Paralimpike “Parisi 2024”.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat