Bytyqi e përfundon garën në 1500 metra vrapim

Atletika

Bytyqi e përfundon garën në 1500 metra vrapim

Më: 31 gusht 2024 Në ora: 12:18
Grevist Bytyqi

Më në fund Kosova ka debutuar në Lojërat Paralimpike.

Të shtunën paradite në “Stade de France” në Paris, në praninë e dhjetëra mijëra shikuesve dhe në atmosferë të zjarrtë, paraatleti Grevist Bytyqi ka garuar në 1500 metra, në kategorinë T46. Bytyqi, që e ka humbur njërin krah si fëmijë, kishte konkurrencë shumë të fortë.

Paraatletët tjerë në 1500 metra kanë përvojë të gjatë në gara të këtij niveli. 

Koha e Bytyqit ishte 4 minuta, 32 sekonda e 88 të qindëtat, që është koha më e mirë e tij në karrierë.

Bytyqi u rendit i fundit, përkatësisht i 16-ti, por vetë pjesëmarrja e tij në Lojëra Paralimpike është një lloj suksesi.

Garën në 1500 metra në kategorinë T46 e fitoi Aleksandr Iaremchuk me kohë prej 3 minuta, 50 sekonda e 24 sekonda. Ai garon si paraatlet i pavarur, ndërsa është nga Rusia. Iaremchuk e ka mbrojtur titullin e fituar tri vjet më parë në Tokio.

Iaremchuk triumfoi falë finishit të hatashëm. Në metrat e fundit e kaloi australianin Michael Roeger që fitoi medaljen e argjendtë. Medalja e bronztë i takoi francezit Antoine Praud.

Në kategorinë T46 në 1500 metra, garuan 16 paraatletë.

Bytyqi është nga Malisheva, ndërsa në Kosovë paraqitet në garat me atletët me aftësi të plota. 

Me paraqitjen e së shtunës, Grevist Bytyqi ka shkruar histori të paralimpizmit në Kosovë. Ai është  i vetmi garues i Kosovës në Lojërat Paralimpike në Paris.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat