Prishtina gati për garën e madhe ndërkombëtare! Halil Sylejmani: Kjo maratonë të jetë sa më faqe bardhë

Atletika

Prishtina gati për garën e madhe ndërkombëtare! Halil Sylejmani: Kjo maratonë të jetë sa më faqe bardhë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 20 shtator 2024 Në ora: 15:22
Halil Sylejmani

E diela e fundjavës pritet me drithërima në mbretëreshën e sportit në Kosovë. 

Atletët nga shtetet e ndryshme të botës pritet të zbarkojnë në kryeqytetin e Kosovës, për të garuar në gjysmëmaratonën dhe maratonën ndërkombëtare. 

Përgatitje po shkojnë sipas planit, ndërsa Halil Sylejmani, president i Federatës së Atletikës së Kosovës, tha se gjithçka është gati dhe pritet të marrin pjesë një numër i madh i atletëve nga Kenia.

Image

Adrian Mazreku, Kushtrim Mushica, Halil Sylejmani, Fatlum Grajçevci

Me moton “Vrapo pa kufi”, Federata e Atletikës së Kosovës do të orvatet të organizojë sa më mirë edicionin e 23-të të maratonës dhe gjysmëmaratonës "Prishtina 2024”.

Risi është edhe pjesëmarrja e kampiones së Evropës në 3000 metra me pengesa, Luiza Gega, e cila do të vrapojë në disiplinën 42 kilometra. 

“Bota sot”: Sa jeni gati për gjysmëmaratonën e 23-të më radhë ndërkombëtare “Prishtina 2024”?   

Halil Sylejmani: Kjo është e 23-ta më radhë, pas gjysmëmaratonës, tani kemi maratonën që dy vite.

Është një punë e përhershme dhe palodhshme, gati i kemi kryer përgatitje për këtë ngjarje.

Kemi bërë lidhje direkt me çdo institucion, federata atletike, këshilli organizativ ku do të janë pjesëmarrës edhe MKRS edhe komuna e Prishtinës. 

Të gjitha çështjet në lidhje me organizimin janë të njoftuar që të gjitha organet të cilat duhet të ndihmojnë, duke filluar nga shëndetësia, policia, ushtria e institucionet tjera që duhen të jenë prezent, edhe mjetet e informimit gjithsesi, që kjo maratonë të jetë sa më faqe bardhë dhe të vijnë sa më shumë atletë nga tërë bota.

Kisha dëshiruar edhe nga vet Kosova sepse shpesh herë mendoj që në Kosovë janë mbi 450 mijë nxënës çdo vit, andaj nga ta në një farë forme përafërsisht madhorë janë mbi150 mijë veta. Plus student dhe të rinj të tjerë, është një kapacitet i jashtëzakonshëm në Kosovën tonë të vogël që të janë prezent 5 apo 10 mijë garues, që kjo ngjarje ka qenë prej vitit 2001 dhe deri më sot, ngjarja më e madhe e organizuar ndërkombëtarisht në Republikën e Kosovës përkatësisht në Prishtinë.

“Bota sot”: Në çfarë gjendje është shtegu garues?

Halil Sylejmani: Shtegu i njëjtë sikur vitet e kaluara, është pak i vështirë.

Sivjet kemi angazhuar edhe më shumë vullnetarë, janë të kyqur nga administrata gjegjësisht nga KOK-u, nga akademia olimpike Diellza Shaqiri e Fitim Arifi, që kanë siguruar diku 55 vullnetarë gjithashtu edhe federata i ka mbi 100, unë besoj me këtë numër të gjyqtarëve apo vullnetarëve e ndihmës, kemi me arritur që kjo garë të jetë në nivelin si gjithherë, (ka pas pengesa dhe mund të ketë sërish por që ne i kemi tejkaluar), si dhe pika ku do të ketë uji e gjëra tjera për atletë ka me qenë e sigurtë.

“Bota sot”: Sa është interesimi i atletëve të huaj?

Halil Sylejmani: Sipas informatave të mija, bukur shumë, si duket janë 18 nga Kenia, edhe shumë të tjerë nga Evropa dhe shtetet e tjera. Ne e kemi bë gjë, një mendim im personal, që e kanë aprovuar këshilli organizativ dhe bordi i federatës, nga 1.200 euro që ka qenë vendi i parë për femra e meshkuj, tani është 3000 euro.

“Bota sot”: Sa është shifra e përgjithshme e shpërblimeve?

Halil Sylejmani: Afër 27 mijë euro, janë shpërblimet të mira, sa ndikojnë ato, ta shohim. 

Sikur të ishte pak më herët ky organizim, që kemi menduar një herë në prill, tani u shty më vonë, besoj që kishte më ndikuar të atletët cilësorë si Ballkan, në Evropë dhe më gjerë që të janë pjesëmarrës.

Është edhe interesi i atletëve tanë sepse në 42 kilometra do të shpërblehen nga  vendi i parë deri në të tetin, ndërsa në gjysmëmaratonë nga vendi i parë deri në të tretin, 10 kilometra, 5 km, 2 kilometra me persona me aftësi të kufizuara. Përgjithësisht si dhuratë është diku afër 27 mijë euro shifra e përgjithshme.

“Bota sot”: A pritet të ketë edhe zyrtarë të lartë nga federata ndërkombëtare?

Halil Sylejmani: Kemi qenë në dilemë disa herë, me 22 a 27 shtator, prill apo në shtator, mendoj prej fillimit të pandemisë na ka luhatur pak besimin tonë apo përcaktimin e datës, data e garës e këtij evenimenti duhet të jetë e njohur një vit më parë ose së paku 6 muaj e më tepër. Kam pas qëllimin t’i ftojë së paku kryetarët e federatave ballkanike. evropiane dhe botërore, mirëpo do të vijnë me siguri nga Ballkani.

Do të jetë edhe atletja nga Shqipëria Luiza Gega, me siguri vjen edhe kryetari i federatës shqiptare.

Nuk e kam pa të arsyeshme mi ftua pa e ftuar presidentin e federatës evropiane Dobromir Kahrimanov, edhe pse ky gjithherë me ka thënë që sa herë ftohet është gati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat