Ajo ka thyer të gjitha rekordet shtetërore të atletikës por të njëjtat suksese nuk i ka arritur në arenën ndërkombëtare sepse mungesa e infrastrukturës në Kosovë ia ka pamundësuar Gresa Bakraqit që të jetë në nivel të barabartë me rivalet e saj.
Në një intervistë për KosovaPress, atletja nga Peja ka treguar hapur se sa e ka penalizuar mungesa e infrastrukturës adekuate për të pasur sukses edhe jashtë Kosovës.
Bakraqi: Shkaku i mungesës së infrastrukturës kurrë s’kam qenë e barabartë më konkurrentet e mia
“Unë si atlete nuk kam qenë asnjëherë e barabartë me konkurrentet e mia. Pavarësisht që sporti është fair play edhe kushtet e secilës atlete në ditën e garës janë të barabarta, mirëpo për të ardhur deri tek dita e garës nuk kanë qenë asnjëherë të barabarta sa i përket meje dhe konkurrenteve të tjera për shkak se në Kosovë mungon shumë infrastruktura e atletikës gjë që më pengon shumë dhe më ka penalizuar shumë gjatë”, thotë fillimisht Bakraqi.
Në mungesë të kushteve në vendin e saj, Bakraqi tregon se si në kushte të rënda ekonomike ka gjetur mënyra për të shkuar në kampe stërvitore në shtete të tjera.
Bakraqi: Në çdo rrethanë të vështirë kam menduar ta përfaqësojë sa më mirë Kosovën
“Realisht nuk kam mundur t’i ndjekë gjithë kohën kampet sepse kanë qenë pagesa shumë të mëdha dhe unë gjatë gjithë vitit është dashur të shkoj nëpër kampe dhe më është dashur të bëjë menaxhimin e parave se ku të shkojë për shkak se viti ka qenë i mbushur me gara ndërkombëtare dhe më është dashur ta menaxhojë pjesën ekonomike që të paktën kur shkoj në arenën ndërkombëtare ta përfaqësojë Kosovën sa më mirë”, shton ajo.
Madje teksa kujton momente të vështira kur stërvitje në temperatura të ulëta, Gresa thotë se "e kap stresi e ankthi"
Bakraqi: Më humbte gjaku nga ftohti në stërvitje
“Para disa viteve ka qenë e pa mundur të dal jashtë Kosovës sepse është dashur të vrapoj në minus 12 gradë...Kur unë vrapoja në Pejë dhe u ktheja në shtëpi nuk i ndjeja gishtat nga i ftohti, mu humbte gjaku nga ftohti për shkak se më duhej të vrapoja në ambiente të jashtme dhe në temperatura shumë të ulëta. Sot kur e mendoj se në çfarë kushte kam stërvitur më herët, realisht ndjehem keq, më kap një lloj stresi e ankthi se çfarë kam përjetuar më herët”, tregon më tutje Bakraqi.
Shpresa për përmirësim të kushteve infrastrukturore ekziston pasi Kosova do t'i organizojë Lojërat Mesdhetare në vitin 2030 por Bakraqi ka dyshimet e saj se shteti po vonohet edhe në këtë aspekt.
Bakraqi: Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare po shkojnë ngadal
“Po më duket që po shkon shumë ngadalë sepse unë mendoj që përderisa është duke u mbajtur në vendin tonë, duhet të bëhet pak më shpejtë sepse nuk është qëllimi ynë që ne t’ua ndreqim sa më mirë sportistëve të huaj që kur të vijnë ata të thonë ‘uauu’, kurse ne si sportistë që do ta përfaqësojmë Kosovën ku jemi? Do të thotë nëse gjerat rregullohen në vitin 2029, mos te presin sportistët tanë në vitin 2030 të shkëlqejnë sepse për një vit ne nuk mund të bëjmë diçka që se ka bërë askush”, thotë Bakraqi.
Një situatë e tillë Bakraqi thotë se po bën që shumë atletë të zhgënjehen dhe ta braktisin këtë sport.
Së fundi Bakraqi ishte pjesë edhe e Lojërave Olimpike "Parisi 2024", por që nuk arriti të futej në zonën e medaljeve atje.