Janë mbajtur dje në qytetin e Elbasanit garat e Kampionatit Individual Dimëror të Atletikës.
Në këtë aktivitet morën pjesë mbi dhjetë ekipe me mbi 120 sportistë që garuan në disiplinat të ndryshme sportive.
Në fund, sportistja më e mirë me 958 pikë u shpall Relaksa Dauti e skuadrës së Tiranës, ndërsa për djem, Muhamet Çengeli i Vllaznisë doli sportisti më i mirë i aktivitetit me 1029 pikë.
U vu re një dominim i atletëve të Tiranës dhe atyre të Vllaznisë. Sakaq, nuk munguan as atletët veteranë që garuan në disiplinat e tyre, ndërsa këto gara ishin të rëndësishme për të përcaktuar edhe ekipin kombëtar për Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura, si për të rritur gjithashtu edhe për moshat U-20.
GARAT – Sa i përket garave ato u mbajtën në kushte të favorshme për të dhënë rezultate sa më të larta, por gjithsesi në fund të tyre nuk u thye asnjë rekord kombëtar. Në garën e 60 metrave me pengesa, vendet e para i takuan Livia Topit të Skënderbeut dhe Durjon Idrizajt të Vllaznisë. Për të vijuar me atë të 60 metrave, ku fitues u shpallën Paola Shyle e Tiranës dhe Leandro Çardaku i Vllaznisë që e përshkuan këtë distancë më shpejt nga të gjithë.
Livia Topi e Skënderbeut dhe Franko Burraj i Vllaznisë u treguan më të shpejtë se garuesit e tjerë në garën e 400 metrave. Për të vijuar më pas me garën e 800 metrave, ku pati një dominim të atletëve të Tiranës që në fund morën edhe dy vendet e para. Bëhet fjalë për Relaksa Dautin, e cila në fund nëpërmjet kësaj gare mori çmimin si sportistja më e mirë dhe Dionis Kushtën. E njëjta situatë u paraqit edhe në garën e 1500 metrave, me sportistët bardheblu që dolën të parët, me Redia Dautin dhe Bledar Mesin.
Ky i fundit pa asnjë rival në garë rrjedhimisht mori edhe vendin e parë në garën e 3 mijë metrave, ndërsa për femra doli e para Elisabeta Marku e skuadrës Fortius. Për të kaluar në disiplinat e tjera, në hedhjen e gjyles dolën të parët Adisa Arifaj e Tiranës dhe Azgan Zeka i Teutës.
Kelda Spahiu e Partizanit dhe Gledis Haxhiaj i Vllaznisë triumfuan në kërcimin tre hapësh. Sakaq, dy vendet e para në kërcimin së gjati i takuan atletëve shkodranë, me Erisa Rrasën dhe Muhamet Çengelin, me këtë të fundit që nëpërmjet kësaj gare në fund u shpall edhe sportisti më i mirë i aktivitetit. Rexhina Berami e Partizanit dhe Gledis Hazhiaj i Vllaznisë morën vendin e parë në kërcimin në larti. Në fund, risi ishte edhe ecja sportive, ku garuan vetëm sportistët e Elbasanit, ndërsa fitues u shpall Daniel Gjoni.