Kampionia e Europës në Atletikë në garën e 3000 metrave me pengesa, Luiza Gega në një intervistë në emisionin ‘’Sport Focus’’ në Ora News u shpreh se ka ardhur koha që të krijojë një familje.
Luiza Gega, tha: "Në fakt ky vit ka nisur ndryshe, të paktën për objektivat që unë kam.
Ndryshe nga vitet e tjera qe le të themi një vit reflektimi.
Një vit që e kam kthyer veten pas në kohë për të parë se si ka nisur rrugëtimi, çfarë kam arritur, a jam ndjerë e plotësuar, etj.
Çfarë do bëj më pas sepse edhe me veten time e kisha vendosur se pas Lojërave Olimpike në fakt edhe e kam thënë se do ta rishikoja le të themi gjithë rrugëtimin tim edhe për të vendosur nëse le të themi a ia vlen të vazhdoj përsëri me këto objektivat e mëdha.
Sepse për të vendosur objektiva të mëdha, unë e di shumë mirë se çfarë më pret për ti arritur.
Shpesh herë ndihesh edhe e lodhur sepse është një rrugëtim shumë i gjatë.
Dhe aq më tepër kur ti bindesh me veten tënde që ndoshta i ke arritur ato limitet dhe aq më tepër ambicia sportive është që ti të arrish gjithmonë e më shumë.
Kam vendosur për të riparë disa gjëra të tjera të jetës time.
Mendoj jo të tërhiqem 100% por ndoshta nga ky sporti elitar elitar ndërkombëtar ndoshta ka ardhur edhe koha që ta rimendoj.
Në fakt mendoj se edhe vetë mosha që unë jam mendoj që ka ardhur koha pse jo të filloj një ëndërr tjetër të madhe siç është ajo e krijimit të një familjeje".