Prodhuesi japonez i veturave, Nissan, ka thënë të premten se do të vonojë lansimin e planifikuar të verës të modelit të saj të ri elektrik “Ariya” për shkak të mungesës globale të çipave që ka goditur prodhuesit e veturave.
Njoftuar më korrik 2020, modeli i ri tërësisht elektrik fillimisht duhej të dilte në shitje në Japoni nga mesi i vitit 2021, para se të mbërrinte në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Kinë deri në fund të vitit.
Por në një njoftim për shtyp të premten, Nissani ka thënë se klientët në Japoni tani mund të porosisnin modelin e kufizuar B6 për "këtë dimër", pa ndonjë datë të caktuar për ata në tregjet e tjera.
Një zëdhënëse e Nissanit konfirmoi se mungesa e çipave që prek prodhuesit e veturave në të gjithë botën po pengonte lansimin.
Modeli është veçanërisht i rëndësishëm për Nissan, i cili e sheh atë si kyç për hapjen e një "kapitulli të ri" për kompaninë, sipas drejtorit të saj të përgjithshëm Makoto Uchida.
“Ariya” do të jetë vetura e parë tërësisht elektrike i Nissanit që synon tregun e përgjithshëm të veturave që kur Leaf debutoi një dekadë më parë.
Nissan është goditur nga shumë drejtime, sidomos kur ish-shefi Carlos Ghosn u arrestuar dhe më pas arriti të arratisej drejt Libanit. Më vonë, kriza e pandemisë thelloi problemet, ndërsa mungesa e çipave i ka dhënë goditjen finale.