Një veturë fluturuese prototip ka realizuar një fluturim 35 minuta mes aeroporteve ndërkombëtare Nitra dhe Bratislavë në Sllovaki.
Vetura hibride e zhvilluar AirCar është i pajisur me një motor BMW me benzinë. Krijuesi Stefan Klein ka thënë se mund të fluturojë rreth 1.000 kilometra në lartësinë 2.500 metra dhe deri më sot ka qëndruar në ajër për 40 minuta.
Krijuar në Bratislavë, mjeti me hapësirë për dy pasagjerë është gjashtë metër i gjatë dhe 1.6 metër i gjerë dhe ka një çift krahësh që hapen dhe mbyllen duke e lejuar përdorimin e tij edhe si veturë konvencionale.
Dy vite më parë, Klein tregoi se vetura fluturuese kishte qenë tema e tij e diplomës dhe se motivi kryesor i tij ishte se vinte nga një familje aviatorësh. Ai ka punuar prej mese 20 vitesh në këtë veturë fluturuese.
Krahët e hollë palosen në pjesët anësore të veturës. Ishte vetë Klein që e drejtoi veturën mes aeroporteve. Ai e përshkroi eksperiencën si diçka normale dhe një kënaqësi e veçantë. Në ajër vetura fluturoi me 170 km/h dhe mund të mbajë dy persona me peshë të kombinuar prej 200kg.
Por ndryshe nga taksitë dronë që janë zhvilluar deri më sot, nuk mund të fluturojë vertikalisht dhe ka nevojë për një pistë. Pritshmëritë për veturat fluturuese janë të mëdha dhe shihen si hapi i radhës madhor drejt një të ardhmeje teknologjike.