Toyota do të ulë prodhimin e veturave në mbarë botën deri në 40 për qind në shtator, për shkak të mungesës globale të mikroçipave, raporton BBC.
Prodhuesi më i madh i veturave në botë kishte planifikuar të prodhonte gati 900 mijë vetura muajin e ardhshëm, por e ka reduktuar prodhimin për në 540 mijë vetura.
Volkswagen, prodhuesi i dytë më i madh i veturave në botë, ka paralajmëruar se mund të detyrohet të zvogëlojë prodhimin.
Pandemia e COVID-19 ka rritur kërkesat për pajisjet që përdorin çipat, si telefonat celularë, televizorët apo konsolat e videolojërave.
Të enjten, firma gjermane, që kishte zvogëluar prodhimin më herët gjatë vitit, ka thënë: “Ne presim që furnizimi me çipa në çerekun e tretë të vitit të jetë mjaft i ngushtë. Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e ndryshimeve tjera në prodhim”.