Volkswagen do të mbyllë të paktën tri fabrika gjermane dhe do të shkurtojë mijëra vende pune, paralajmërojnë sindikatat
Prodhuesi gjerman i makinave Volkswagen po planifikon të mbyllë të paktën tri fabrika në Gjermani, të shkurtojë mijëra vende pune dhe të ulë pagat me 10%, ka zbuluar sindikata e kompanisë.
Daniella Cavallo, kreu i këshillit të punëtorëve të Volkswagen, u tha punëtorëve në selinë qendrore të VW në Wolfsburg sot se kompania po planifikon shkurtime edhe më të thella se sa pritej, shkruajnë mediat e huaja.
Kjo do të ishte mbyllja e parë e fabrikave vendase në historinë 87-vjeçare të Volkswagen.
Cavallo i tha stafit se menaxhmenti i VW ka një “synim të qartë” për të shkurtuar dhjetëra mijëra vende pune, raporton Reuters, për të tkurrur fabrikat gjermane që mbeten të hapura.
“Menaxhmenti është absolutisht serioz për të gjithë këtë. Kjo nuk është shaka në raundin e negociatave kolektive”, citohet të ketë thënë ai.
Ndryshe, në fillim të shtatorit, Volkswagen i tha stafit se po planifikonte të mbyllte të paktën një fabrikë më të madhe të prodhimit të automjeteve dhe një fabrikë të komponentëve në Gjermani.
Kompania ka pasur vështirësi për të menaxhuar kalimin nga makinat me lëndë djegëse fosile në automjetet elektrike, ku po përballet me konkurrencë të ashpër nga prodhuesit kinezë.