Bashkëthemeluesi i Tesla, JB Straubel tha se startup-i i tij i riciklimit të baterive të automjeteve elektrike, Redwood Materials, do të sjellë qindra milionë dollarë të ardhura këtë vit.
Straubel zbuloi të ardhurat e vlerësuara të Redwood Materials gjatë një interviste me The Wall Street Journal, duke thënë se kompania e tij do të mbledhë rreth 200 milionë dollarë, shkruajnë mediat e huaja.
Straubel lansoi Redwood Materials në vitin 2017 për të krijuar një “ekonomi riprodhimi”, e cila i referohet nxjerrjes së lëndëve të para nga bateritë e përdorura dhe kthimit të tyre në prodhim pas përpunimit të tyre.
Kompania, me bazë në Nevadën Veriore, shpreson se kjo mund të nxisë një zhvendosje nga minierat e mineraleve dhe të forcojë qëndrueshmërinë e industrisë së EV.
Redwood Materials ka nxjerrë mjaftueshëm nikel dhe litium nga bateritë e ricikluara për të “furnizuar 20 gigavat orë bateri litium-jon, ose afërsisht ekuivalente me 250,000 automjete elektrike”, raportoi Journal.
Dhe kompania synon të prodhojë materiale të mjaftueshme baterish për 1 milion vetura elektrike në vit.