Ford shiti vetëm 147 njësi të markës RS200, nga të cilat 20 ishin në edicionin S. Njëri prej tyre do të dalë muajin e ardhshëm në ankand në Britaninë e Madhe.
RS200 S është një version i modifikuar dhe më i rafinuar i veturës standarde, dhe këta shembuj të rrallë S ishin ndër njësitë e fundit RS200 të prodhuara.
Shumica janë lyer me ngjyrë të bardhë, megjithëse ka dy të lyera blu dhe dy të zeza. Ford gjithashtu ndërtoi vetëm katër shembuj të kuq të RS200 S, duke përfshirë këtë.
Ashtu si me shembujt e tjerë të RS200 S, motori turbo 1.8 litërsh jep 350 kuaj/fuqi dhe vetura vjen e pajisur me veçori që përndryshe ishin opsionale. Këto përfshijnë ulëset prej lëkure Recaro, izolimin shtesë të zërit, mbylljen në telekomandë, sistemin e alarmit, radio/kasetofonin dhe klimatizimin.
Iconic Auctioneers është ngarkuar me shitjen e makinës dhe vëren se ajo ka 19,956 milje (32,116 km).
Ajo ka qenë gjithmonë në pronësi të vetëm një personi dhe është mirëmbajtur dhe servisuar me kujdes gjatë viteve nga specialistë të ndryshëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Sa i përket çmimit, shtëpia e ankandeve pret që ai të shitet nga 361,330 deri në 421,550 euro.