Nissan pezullon negociatat për bashkimin me Hondën

Auto

Nissan pezullon negociatat për bashkimin me Hondën

Më: 6 shkurt 2025 Në ora: 06:53

Nissan Motor do të ndërpresë negociatat për bashkimin me Honda Motor, pasi dy prodhuesit japonezë të veturave nuk arritën të bien dakord mbi kushtet kyçe, si përqindja e pronësisë në kompaninë e përbashkët, raportoi Nikkei të mërkurën. Nissan do të tërheqë memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar në muajin dhjetor.

Honda kishte propozuar që Nissan të bëhej një degë e saj, një ndryshim i madh nga plani fillestar për të krijuar një holding të përbashkët, por ky propozim u refuzua për shkak të kundërshtimit të fortë brenda Nissanit.

Të dy kompanitë do të shqyrtojnë nëse do të rifillojnë negociatat për bashkim ose nëse do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në projekte si makinat elektrike në të ardhmen.

Në dhjetor 2024, Nissan dhe Honda kishin njoftuar se do të nisnin negociatat për një bashkim në kuadër të një holdingu të përbashkët në vitin 2026, duke ruajtur markat e tyre. Nëse bashkimi do të realizohej, do të krijohej një nga prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve në botë sipas shitjeve. Kompanitë synonin të finalizonin marrëveshjen zyrtare deri në qershor 2025.

Honda, duke vlerësuar se rikuperimi i Nissanit do të zgjaste më shumë, sugjeroi që Nissan të kthehej në një degë nën drejtimin e saj. Megjithatë, ky propozim hasi në kundërshtimin e fortë të drejtorëve dhe aksionerëve të Nissanit, të cilët kërkuan një partneritet më të barabartë. Ky mosmarrëveshje çoi në pezullimin e negociatave.

Pas publikimit të lajmit, aksionet e Nissanit ranë mbi 4 për qind, përpara se Bursa e Tokios të pezullonte tregtimin e tyre. Nga ana tjetër, aksionet e Hondës vazhduan tregtimin dhe u mbyllën me një rritje prej mbi 8 për qind.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat