Shitjet e veturave të reja Tesla pothuajse u përgjysmuan në Evropë muajin e kaluar, duke treguar rënien e kërkesës për automjetet e prodhuesit amerikan pasi shefi ekzekutiv i saj Elon Musk ndërhyri vazhdimisht në politikë në të dy anët e Atlantikut.
Prodhuesi me bazë në Teksas shiti 9,945 automjete në Evropë në janar, 45% më pak nga 18,161 e vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave (ACEA).
Pjesa e Teslas në treg ra në 1% nga 1.8%.
Kjo mund të sugjerojë se ndërhyrjet e Musk në çështjet politike evropiane dhe roli i lartë në administratën e Donald Trump po çojnë në një reagim, shkruan the Guardian.
Bëhet e ditur se Tesla shiti 1,277 vetura të reja muajin e kaluar në Gjermani, totali më i ulët mujor që nga korriku 2021, sipas llogaritjeve të Bloomberg.
Shitjet në Francë ranë me 63% në performancën e saj më të keqe në vend që nga gushti 2022.
Kompania gjithashtu regjistroi më pak automjete në Mbretërinë e Bashkuar se rivali i saj kinez BYD për herë të parë.
Shitjet e Tesla ranë me gati 8% në një treg të EV që u rrit me 42% muajin e kaluar.
Ndryshe, rënia vjen pasi tregu evropian për veturat e reja me bateri elektrike u rrit me 34% në 124,341 njësi, duke kapur një pjesë prej 15% të tregut total, treguan shifrat nga ACEA.
Tre nga katër tregjet më të mëdha në Evropë, të cilat së bashku përbëjnë gati dy të tretat e të gjitha shitjeve të veturave me bateri elektrike, shënuan fitime dyshifrore: Gjermania (+53.5%), Belgjika (+37.2%) dhe Holanda (+28.2%), ndërsa Franca regjistroi një rënie të lehtë prej 0.5%.
Tregu i përgjithshëm i veturave u tkurr me 2.1% në janar.
Shumë nga tregjet e mëdha të BE-së shënuan rënie, me Francën me 6.2%, Italinë 5.8% dhe Gjermaninë 2.8%.
Spanja, megjithatë, regjistroi një rritje prej 5.3%.