Ishte herët në mëngjes kur drejtuesit e automjeteve që kalonin pranë vunë re një re tymi në shtetin e New England në Shtetet e Bashkuara. Të paktën shtatë stacione karikimi ishin përfshirë nga flakët, dhe tymi i zi ngrihej nga stacionet e vendosura në një qendër tregtare në Littleton.
Dikush kishte vënë zjarr në stacionet e karikimit, dhe shërbimet e emergjencës mbërritën me shpejtësi në vendngjarje, duke arritur ta shuanin zjarrin, por dëmet ishin të mëdha. Policia e Littletonit tashmë ka nisur një hetim për zjarrvënie të qëllimshme.
Zjarret në stacionet e karikimit janë jashtëzakonisht të rralla, dhe kur ndodhin, zakonisht shkaktohen nga defekte teknike gjatë karikimit.
Megjithatë, sipas një postimi të Teslës në X, në atë kohë nuk kishte makina të lidhura me karikuesit, gjë që tregon se dikush e ka ndezur qëllimisht stacionin.
Tesla gjithashtu shkroi në të njëjtin postim se stacioni do të jetë sërish funksional brenda 48 orëve. Në platformën X, shumë përdorues të indinjuar shprehën shqetësimin e tyre, duke thënë se kjo prek jo vetëm pronarët e Teslës, por edhe drejtuesit e tjerë të makinave elektrike.
Ndërkohë, njerëzit në platformë po përpiqen të analizojnë situatën, të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes dhe të gjejnë përgjegjësit. Ndër të tjera, është ofruar një shpërblim prej 5000 dollarësh për këdo që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit.
Ky është sulmi i tretë i dyshimtë ndaj Teslës në një periudhë të shkurtër kohore. Në Colorado, më herët gjatë kësaj jave, një burrë u arrestua me lëndë djegëse pranë një përfaqësie të Teslës, ndërsa në Francë, të paktën dhjetëra makina Tesla u dogjën në një qendër shërbimi.
A është kjo një përgjigje ndaj veprimeve të bashkëpronarëve dhe drejtorit të Teslës, Elon Musk, në administratën e re amerikane?! Së shpejti do të mësojmë më shumë.