Gati gjysmë milioni njerëz në Vuhan mund ta kenë pasur virusin

Azia

Gati gjysmë milioni njerëz në Vuhan mund ta kenë pasur virusin

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 10:11
Pamje nga qyteti i Vuhanit në Kinë, ku koronavirusi ka shpërthyer për herë të parë, në fund të vitit të kaluar.

Gati 5 për qind e popullsisë së qytetit të Vuhanit në Kinë mund të jenë infektuar me koronavirus, tregon një studim i Qendrës kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Vuhani ka rreth 11 milionë banorë, gjë që sugjeron se gati 500,000 mund të kenë pasur virusin.

Nëse është e vërtetë, shifra është gati dhjetë herë më e lartë se numri i zyrtar i të infektuarve në Vuhan, prej 50,354 rastesh.

Rastet asimptomatike nuk llogariten në shifrat zyrtare të Kinës.

Studimi vjen përpara vizitës së një ekipi shkencëtarësh ndërkombëtarë në Vuhan, për të hetuar origjinën e virusit.

Vizita do të realizohet në janar, pas disa muajsh negociata me Pekinin, i cili ka ngurruar të binte dakord për një hetim të pavarur.

Studimi i Qendrës kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka përdorur mostrat e 34,000 njerëzve në Vuhan, në provincën Hubei, Pekin, Shangai dhe katër provinca të tjera.

Studiuesit kanë gjetur një normë të prevalencës së antitrupave prej 4.43% në Vuhan dhe një normë të prevalencës prej 0.44% në provincën Hubei, ku ndodhet Vuhani.

Sipas studimit, vetëm dy njerëz kanë testuar pozitivisht për antitrupat midis 12,000 njerëzve të testuar jashtë Hubeit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat