Autoritetet indoneziane rinisën të enjten operacionet e kërkimit për 62 viktimat e avionit të aksidentuar të shtunën në Xhakartë.
29-vjeçari, Oki Bisma, me profesion stjuard i avionit, ishte ndër të parët që u varros gjatë ditës në varrezat e kryeqytetit të Indonezisë.
Trupat e shpërfytyruar të pesë pasagjerëve të tjerë gjithashtu janë identifikuar, por shumica mbeten në thellësitë e detit Java.
“Fokusi kryesor sot do të jetë zhytja, dhe prioritet kemi kutinë e zezë me komunikimet mes pilotëve para aksidentit, viktimat por edhe mbetjet e avionit që ndodhen në shtratin e detit.”
Forcat e kërkim-shpëtimit kanë rikuperuar njërën nga kutitë e zeza të avionit, atë me të dhënat e fluturimit, ndërsa regjistruesi i kabinës që shpjegon më së shumti shkaqet e aksidenteve ajrore, ende nuk është gjetur.
“Pjesën e memories e kemi pastruar nga kripa e detit dhe e kemi tharë në një sobë të posaçme. Procesi tjetër është ai i shkarkimit të të dhënave, që nëse shkon si duhet, zgjat rreth 2 orë.”
Autoritetet ende nuk kanë përgjigje pse avioni 26-vjeçar u rrëzua katër minuta pas ngjitjes, duke i zhytur në det të 62 pasagjerët dhe ekuipazhin nga 3 kilometra lartësi.
Kushtet e motit dhe gabimet në pilotim mendohen si arsyet paraprake, por pilotët ishin me eksperiencë dhe nuk kishin njoftuar për ndonjë avari gjatë fluturimit.
Mjeti vetë e kishte bërë servisin në muajin dhjetor.