Dy gjyqtare të Gjykatës së Lartë janë qëlluar për vdekje në Kabul mëngjesin e kësaj të diele.
Gjyqtaret ishin vendosur në shënjestër të njerëzve të armatosur, gjatë kohës që po shkonin në zyrën e tyre me një automjet. Sipas BBC atyre u është ngritur një pritë, ku ka mbetur i plagosur edhe shoferi I tyre.
Incidenti ndodhi në zonën Qala-e-Fathullah të Kabul dhe askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Dyshimi për vrasjet e fundit ka rënë mbi talibanët, por militantët nuk e kanë pranuar kryerjen e tyre.
Atentatet kanë vazhduar, ndërkohë që bisedimet për një paqe të mundshme po zhvillohen midis përfaqësuesve të talibanëve dhe qeverisë afgane në Doha.
Kohët e fundit shënjestër e atentateve kanë qenë gazetarët, aktivistët dhe politikanët.