Fati tragjik i fëmijëve të vrarë, të burgosur dhe të lindur në kampin nazist të përqendrimit të Aushvic-Birkenaut do të jetë në qendër të përkujtimeve me rastin e 76-vjetorit te çlirimit të kampit.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, 76-vjetori do të zhvillohet online, në vend të ceremonisë në kampin e ngritur gjatë Luftës së Dytë Botërore në Oswiecim.
Përkujtimet do të fillojnë me dëshmi nga dy të mbijetuarit e kampit: Zdzislawa Wlodarczyk dhe Anita Lasker-Wallfisch.
Një fjalim do të mbajë edhe presidenti polak Andrzej Duda dhe diplomatët izraelitë dhe rusë, pas së cilës përfaqësuesit e katër besimeve do të drejtojnë lutjet.
Pas shërbimit përkujtimor, kreu i Muzeut të Aushvicit, Piotr Cywinski, do të drejtojë një diskutim në internet mbi ndikimin e luftës dhe Holokaustin në formimin e identiteteve të fëmijëve.
Muzeu vlerëson se të paktën 232 000 fëmijë, shumica prej tyre hebrenj, kanë qenë në Aushvic. Mbi 200 000 fëmijë u vranë në kamp.
Nga 1,3 milion viktimat e Aushvicit, rreth 1,1 milionë ishin hebrenj.