Ministri izraelit i Energjisë, Yuval Steinitz, të martën tha se Iranit i nevojiten vetëm gjashtë muaj për prodhimin e sasisë së mjaftueshme të lëndës për prodhimin e një arme bërthamore.
Izraeli i ka bërë thirrje administratës së re të Shteteve të Bashkuara që të mos kthehet në marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe për një kohë të gjatë e ka kundërshtuar këtë traktat.
Sidoqoftë, administrata e presidentit të ri, Joe Biden, ka thënë se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga kjo marrëveshje nga ish-presidenti Trump e ka nxitur Iranin që t’i braktisë zotimet që i kishte dhënë në këtë marrëveshje.
“Në aspektin e pasurimit (të uraniumit), ata (iranianët) janë në gjendje ta arrijnë për rreth gjysmë viti, nëse bëjnë gjithçka që kërkohet. Sa i përket arsenalit bërthamor, periudha është rreth një ose dy vjet”, tha ministri izraelit.
Irani, i cili ka mohuar se planifikon prodhim të armëve bërthamore, filloi t’i shkilte pikat e marrëveshjes në vitin 2019 si reagim ndaj veprimit të Shteteve të Bashkuara, të cilat më 2018 u tërhoqën nga marrëveshja dhe i kthyen në fuqi sanksionet e ashpra kundër Republikës Islamike.
Sipas vlerësimit më të ri të vëzhguesit bërthamor të Kombeve të Bashkuara, kryer në nëntor të vitit të kaluar, rezerva e uraniumit të pasuruar e Iranit ka arritur në 2.4 tonë, mbi dhjetë herë më shumë se sasia e lejuar sipas marrëveshjes me fuqitë botërore.
Irani ka filluar ta pasurojë uraniumin në nivelin 20 për qind, ndonëse në marrëveshje i lejohet vetëm shifra prej 3.67 për qind. Megjithatë, ky numër është shumë më i vogël se përqindja e pastërtisë që llogaritet si shkallë bërthamore – 90 për qind.