Të paktën 12 persona vdiqën nga zjarri që shpërtheu në një fabrikë fishekzjarrësh në pjesën jugore të Indisë të premten.
Raja Narayanan, zyrtar i policisë rajonale, tha se autoritetet i kanë filluar hetimet për ta zbuluar shkakun e zjarrit në fabrikën që ndodhet në fshatin Achankulam, shkruan Reuters.
“Dymbëdhjetë persona kanë vdekur dhe 26 janë hospitalizuar pas aksidentit në fabrikë këtë pasdite”, tha ky zyrtar.
Distrikti ku ndodhet fabrika është qendër për prodhimin e fishekzjarrëve në tërë Indinë. Qindra mijëra njerëz në rajon janë të varur nga të ardhurat që sigurohen në industrinë piroteknike, ndërsa rastet e tilla nuk janë të rralla.
Së paku 11 persona vdiqën në dy incidente të ndara në këtë rajon para vendosjes së masave të pandemisë në mars të vitit të kaluar.
Zjarret që shpërthyen në fabrikat e fishekzjarrëve më 2009 dhe 2012 në Indi lanë të vdekur nga rreth 40 persona në secilin prej këtyre dy vjetëve.